Skip to main content

Rreth meje


Unë jam Rea ose ndryshe një RE e vetëquajtur. 

Ndryshe nga studimet e mia, pasionet nuk lidhen me shifrat, por me artin dhe letërsinë. Zgjedhja e profesionit tim ishte diametralisht e kundërt nga ajo që të gjithë prisnin nga unë. Letërsia është dashuria ime e parë, por unë nuk doja të kufizohesha vetëm në këtë fushë. Vendosa të studioj mbi botën financiare dhe atë bankare për të pasur një formim më të kompletuar dhe pse jo, për të zhvilluar disa aftësi sipërmarrëse, të cilat në të ardhmen mund të më drejtojnë në udhën e kthimit të pasionit tim të parë në biznes.



Ideja për të pasur një blog, i cili i kushtohet tërësisht botës së letrave, librave, letërsisë dhe dashurisë sime për të shkruarit ka lindur vite më parë, kur isha rreth 16 vjeç. Duke pasur parasysh se miqtë dhe të afërmit më kërkonin gjithnjë sugjerime në lidhje me librat dhe letërsinë, mendova që këto informacione mos të kufizohen vetëm në rrethin tim të ngushtë. 


Kështu, rreth njëzetekatër muaj më parë lindi “Një tufë rrezesh nëpër RE”.  
Kuptimi i emrit  të blogut mund të interpretohet në disa këndvështrime. Së pari, rëndomtë  thuhet se realiteti i hidhur tregon që të rinjtë lexojnë pak dhe kjo është tepër e trishtë, kështu blogu kërkon t’i sjellë pakëz dritë diturie kësaj reje të errët dembelizmi. Së dyti, përditshmëria jonë jo rrallë herë është e pushtuar prej monotonisë dhe blogu shërben pikërisht për të përçuar një frymëmarrje diellore në jëtët tona.

Blogu u krijua për të shërbyer si një urë lidhëse mes të rinjve dhe librave, të cilët për hir të së vërtetës, kohët e fundit duken të  braktisur prej lexuesve.

Gjithashtu jam e përfshirë në rrethin e bloggereve të Revistës Class, ku jap sugjerimet e mia në lidhje me librat.

Comments

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *