Skip to main content

Pranvera vjen me lirinë




Prej kohësh më mbylle të jetoja nëpër libra. Qëndroja e strukur aty- këtu, merrja frymë nëpër shkronja e përshpërisja nëpër rreshta, por nuk arratisesha dot nga shtëpia ime e re. Rendja sa në një libër në tjetrin, herë mërzitesha, të kërkoja sërisht ty, ulesha në krahët e një poezie, vajtoja dhe unë me poetin edhe pastaj vrapoja në një tjetër kapak të trashë, me titull të zbukuruar me shkronja të arta, me fletët të verdha prej kohës që ishte ulur kushedi sa vite këmbëkryq në to dhe frymoja me aromën e lagështisë së tyre, vrisja kohën me lulet e thara të harruara prej vitesh kur i mblidhja me ty dhe kotesha mes rreshtave, të cilët nuk mbaronin kurrë.

Durimi soset një ditë dhe ishte e pamundur të me mbante gjallë brenda gërmave përgjithnjë. Një ditë vendosa t'i kthehem jetës së vërtetë, asaj që e mat kohën me përpikmëri, asaj që merret me vogëlsira, që qahet për kotësira dhe që ka harruar se c'do të thotë të duash. U riktheva pa kurrëgjësend nëpër duar, vecse disa librash, shumë kujtimesh dhe me shpresën që digjej si diell brenda meje se mbase do të gjeja sërisht, larg librave por nëpër realitet.

Lulëzimi i luleve të para të pranverës, bari i gjelbert rrëshkitës, vesa e freskët në orët e para të mëngjesit, zogjtë zëmagjepses dhe ngrohtësia e mes-marsit dukej sikur punonin të gjitha për mua, kujdeseshin dhe përpiqeshin të më sillnin buzëqeshje të panumërta e të pakuptimta në fytyrë. Natyra rilindi dhe brenda meje po rilindja dhe unë, iu largova letargjisë kur flija nëpër libra dhe vishesha me pluhurin e tyre. Tanimë librat lexoheshin në mua.

Pikërisht një nga ditët e bukura ku i nxehti i këndshëm të bente ta doja jetën edhe më shumë se librat, mu duk se të pashë jashtë një shitoreje lulesh të sapocelura dhe trëndafilët, zambakët, tulipanët dhe zymbylët dukej se po merrnin jetë prej krahëve të tu. Dallova shkëlqimin e butë të syve, buzëqeshjen e lehtë në cepat e buzëve dhe aromën e mahnitshme të kopshtit që mbaje në duar dhe fluturova nga gëzimi.

Lumturia që ato lule nuk ishin për mua  thërriste në cdo qelizë timen dhe as trëndafilat e bukur, as zambakët elegant, as tulipanët e mi të parapëlqyer e as zymbylat erëplotë nuk i doja, sepse duke vrapuar për vite mes librash kisha kuptuar se ti je i zoti më i keq i luleve dhe di të vrasesh edhe me to. Ditën që kuptova se liria ime vlente më shumë se lulet e tua braktisa edhe kujtimet dhe u paqtova me nisjen e një stine të re në vitin dhe jetën time.

©RE

Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Leximi i mëngjesit, aktiviteti i parë i një dite të mbarë

Të lexuarit është pjesë e rutinës sime të përditshme qysh prej vegjëlisë së hershme, atëherë kur gjyshërit e prindërit lexonin për të më dëfryer. Gjatë gjithë këtyre viteve, rutina e leximit ka qënë më së shumti e përqëndruar gjatë mbrëmjes, para se të shkoja për të fjetur e dukej se më shërbente si një ëndërr-prurës magjik. Kohët e fundit kam nisur të eksperimentoj me një metodë të re leximi të cilën dua ta ndaj me ju. Kjo metodë lidhet pikërisht me nisjen e ditës duke lexuar. Pra, imagjino që veprimi i parë me të cilën nis ditën sapo zgjohesh është të lexuarit. Ky 30-45 minutësh i zgjimit më të hershëm dhe përqëndrimi në një libër sjell dhjetra përfitime për ditën tënde e sidomos për jetën në aspektin afatgjatë. Më poshtë do ndaj me ju disa nga përfitimet që më kanë   ndryshuar përditshmërinë pas kësaj rutine të re:   1.   Zgjimi më i hershëm. Nisja e ditës në më herët të bën të marrësh gjithçcka më me nge. Ky zgjim më i ngadaltë pa patur frikën se po bëhesh von...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *