Skip to main content

Nëpër poezitë e Kadaresë



Isamil Kadare është një nga autorët më të dashur dhe të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqipe. Veprat e tij janë të vecanta dhe mënyra e të shkruarit, shpirti artistik dhe gjetjet letrare janë të pakrahasueshme me autorët e tjerë të brezit të tij.

Poezitë e Kadaresë janë krijimet e tij magjike, të cilat prekin trupin, mendjen dhe shpirtin. Ai shkruan për njeriun e shekullit të ri,I cili përballet me problemet e gjetjes së vetvetes, e konfuzionit politik ( kjo në mënyrë të tërthortë),  konceptin e lirisë përballë oligarkisë, ndrydhjes njerëzore dhe gjithfarë teme universal, që prek secilin prej nesh.

Megjithatë, mbase poezitë më të goditura të tij, janë poezitë mbi temën e dashurisë. Kadareja shfaq emocion nëpërmjet figuracionit të pasur, figurave stilistike të larmishme dhe formës së pazakontë, që marrin poezitë e tij. Ai është i dyti pas Migjenit, i cili përdor gjerësisht në poezitë e tij vargun e lirë, pa kurrëfarë rregulli e norme letrare.

Kadareja e përfshin gjithmonë natyrën ndërkohë që flet për dashurinë. Stinët e vitit janë si stinët e shpirtit për të; temperaturat e luhatshme i krahason me gjendjen e tij emocionale; gjithashtu përfshin fluturat, aromat dhe hapësirën qiellore. Kadareja po aq sa e tregon dashurinë në formë hyjnore, aq edhe e bën atë të prekshme, të gabueshme, të thjeshtë dhe të koklavitur.

Kryesisht në poezitë e tij, Kadareja lë një hapësirë meditimi. Pasi lexon krijimet e tij, kupton se cdo fjalë mbart një nëntekst të fshehur, i cili mbase do kohë e analiza të thella për t’u zbuluar. Kadareja shkruan poezi, të cilat të bëjnë të meditosh pareshtur.

Ndër poezitë më të bukura në këtë përmbledhje poetike mund të përmendim ‘’Mall’’, e cila flet pikërisht për një hendek mes dy të dashuruarish, të cilët fizikisht ishin fare pranë, por shpirtërisht tepër larg, edhe pse stinët kishin ndërruar. Kadareja shpesh e tregon melankolinë me element si shiu, vjeshta, shtegëtimi i lejlekëve, etj.

Në poezitë  si ‘’Të huaj jemi’’ dhe ‘’Kristal’’ ai shfaq përsëri ndjenjat melankolike, përshkruan ndarjen e mungesën.




Në poezinë ‘’Lora’’, Kadareja prek një realitet të njohur për popullin tonë. Ai studio në Bashkimin Sovjetik dhe brezi i tij pati fatin e keq të kthehej ende pa përfunduar studimet për arsye të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Në Bashkimin Sovjetik, Kadareja, por dhe shumë studente të tjerë shqiptare u detyruan të ndaheshin me mikeshat e zemrës. Kjo poezi flet pikërisht për miken e tij ruse, rrethanat me të cilën e larguan prej dashurisë së tyre.

Kadareja është tepër i njohur për faktin se ka pasuruar fjalorin e gjuhës shqipe me fjalë të reja. Neologjizma si ‘’morg-kristal’’, gjen në cdo vepër të tij.

Këtë javë nuk mund t’iu lë pa një poezi prej tij, me shpresën që pasi ta lexoni ju do vraponi për t’u zhytur mes poezive të tjera.

Të huaj jemi

Të huaj jemi ne prej kohësh
Ç'ish për t'u thënë është thënë.
Si gurët që zënë vend në tokë
Një jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njëri tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet
Si dy qytete mesjetarë
Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por natën kur i lodhur truri 
Portat i Mbyll me qetësi,
Ti gjen një shteg dhe futesh mbrenda
Një shteg që vetëm ti e di.

Futesh dhe si n'rrugica parqesh
Shetit mes cirkonvolucionesh.
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Po kur mëngjesi zë ofrohet
Nis shqetësohesh befas ti.
Dhe heshturazi del përjashta
Nga shtegu që veç ti e di.

E dita vjen. Rrjedh prap jeta
Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë e të pamposhtur
Si dy qytete mesjetarë.

Në përfundim, ju ftoj në leximin e ‘’Ca pika shiu ranë mbi qelq’’ nga Ismail Kadare.

©RE

Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Leximi i mëngjesit, aktiviteti i parë i një dite të mbarë

Të lexuarit është pjesë e rutinës sime të përditshme qysh prej vegjëlisë së hershme, atëherë kur gjyshërit e prindërit lexonin për të më dëfryer. Gjatë gjithë këtyre viteve, rutina e leximit ka qënë më së shumti e përqëndruar gjatë mbrëmjes, para se të shkoja për të fjetur e dukej se më shërbente si një ëndërr-prurës magjik. Kohët e fundit kam nisur të eksperimentoj me një metodë të re leximi të cilën dua ta ndaj me ju. Kjo metodë lidhet pikërisht me nisjen e ditës duke lexuar. Pra, imagjino që veprimi i parë me të cilën nis ditën sapo zgjohesh është të lexuarit. Ky 30-45 minutësh i zgjimit më të hershëm dhe përqëndrimi në një libër sjell dhjetra përfitime për ditën tënde e sidomos për jetën në aspektin afatgjatë. Më poshtë do ndaj me ju disa nga përfitimet që më kanë   ndryshuar përditshmërinë pas kësaj rutine të re:   1.   Zgjimi më i hershëm. Nisja e ditës në më herët të bën të marrësh gjithçcka më me nge. Ky zgjim më i ngadaltë pa patur frikën se po bëhesh von...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *