Skip to main content

Vocërrakëve



Vegjëlia është stina më e ëmbël e jetës, ku imagjinata mbretëron mendjen e dlirësia shpirtin. Mbase për shumë mund të duket  kotësi dhe femijënore, por dita e djeshme më frymezoi te shkruaja për 1 Qershorin tim, tëndin, dhe të gjithë atyre për të cilët ora biologjike zvarritet dhe ruajnë të voglin brenda tyre me fanatizëm.

Unë jam ënderrimtare e ky është tipari kryesor që më ka mbetur nga fëmijëria ime. Një njeri jep shpirt, vetëm kur i humbin ëndrrat, imagjinata dhe ciltërisa e të pafajshmit, që ishte ende pa u rritur, pa njohur ambicien e pa ndjerë egoizmin t'i pershkojë si drithërimë në gjithë trupin.

Të qënit ende një shpirt vocërraku, të lejon t'i buzëqeshësh gjërave më të vogla në jetë edhe të ndjesh  shkëndija lumturia, e të veshësh buzen me gaz prej nje tufe rrezesh, të cilat ndricojnë fytyrën tënde kur më pak e pret, e sytë i picërron si me bezdi. Të mbetesh ende pak fëmije, do të thotë t'i gëzohesh cdo vizitë në shitoren e bukur të cokollatave e gjithfarë sheqerosësi tjetër, atje tej, në dyqanin e bukur me qelqe të medha, aromë ftuese e ngjyra të këndshme. Të kesh mbetur vec pak fëmijë, do të thotë të ëndërrosh në mes të ditës, për realizimin e dëshirave të tua, t'i kujtosh vetes cdo ditë ënderrimet  më të cmendura, e mos të lodhesh duke besuar se një ditë TI do i prekësh, do vishesh me ëndrrat e përnjëherësh do bëhesh një me to.

Të kesh mbetur fëmijë, do të thotë të kujtosh me mall petullat e pakrahasushme të gjyshes, të mbyllesh për një cast sytë e  të të shfaqet përnjëherë imazhi i saj, me duart e bukura të bardha, prej të cilash lindin gjithfarë mrekullish. Të jesh i vogël në shpirt, do të thotë të shprehësh atë që përnjëherësh shkel në mendjen tënde, pa shumë kokëcarje, pa shqetësim se cfarë mund të mendojnë të tjerët për sinqeritetin tënd, pa drojë se mbase do gjykohesh, pra me ciltërsi.

Të jesh ende i vockël, do të thotë t’i gëzohesh edhe dhuratës më të vogël e më të thjeshtë, vetëm prej paketimit të bukur, letrave me shkëlqim e fjongove shumëngjyrëshe. Të harrosh se gjërat në dukje të shtrenjta e që kushtojnë një djall e gjysmë do të mbushin zemrën me dashuri.

Të jesh fëmijë i rritur, do të thotë të dish të duash ende pa kushte, vetëm prej përshtjellimesh të pashpjegueshme ndjenjash, të cilat të shfaqen mes rrahjeve të zemrës.

Të jesh i vogël në shpirt, do të thotë të kënaqesh duke parë fishekzjarret xixëllues, të përhumbesh duke numëruar yjet, të kujtosh përrallat e fëmijërisë, të ndihesh i kënaqur pas përfundimit të vaktit, të ndjesh sesi zemra jote buzëqesh e gufon kur sheh prindërit e tu, të numërosh delet për të të marrë gjumi sa herë kokëcarjet e ditës të prishin rehatinë e mbrëmjes.

Prandaj dua të të uroj gëzuar, ty që ndihesh ende fëmijë dhe asgjë nuk të pret hovin e s'të ndal shpresën dhe ëndrrat.


Ti je ende i lirë, gëzuar!

©RE

Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Leximi i mëngjesit, aktiviteti i parë i një dite të mbarë

Të lexuarit është pjesë e rutinës sime të përditshme qysh prej vegjëlisë së hershme, atëherë kur gjyshërit e prindërit lexonin për të më dëfryer. Gjatë gjithë këtyre viteve, rutina e leximit ka qënë më së shumti e përqëndruar gjatë mbrëmjes, para se të shkoja për të fjetur e dukej se më shërbente si një ëndërr-prurës magjik. Kohët e fundit kam nisur të eksperimentoj me një metodë të re leximi të cilën dua ta ndaj me ju. Kjo metodë lidhet pikërisht me nisjen e ditës duke lexuar. Pra, imagjino që veprimi i parë me të cilën nis ditën sapo zgjohesh është të lexuarit. Ky 30-45 minutësh i zgjimit më të hershëm dhe përqëndrimi në një libër sjell dhjetra përfitime për ditën tënde e sidomos për jetën në aspektin afatgjatë. Më poshtë do ndaj me ju disa nga përfitimet që më kanë   ndryshuar përditshmërinë pas kësaj rutine të re:   1.   Zgjimi më i hershëm. Nisja e ditës në më herët të bën të marrësh gjithçcka më me nge. Ky zgjim më i ngadaltë pa patur frikën se po bëhesh von...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *