Skip to main content

Mes dunave të lumturisë



Mes korriku kaustik gërryente kujtimet e ndjenjat e mia, duke e kthyer thatësinë në mbretëreshën e përditshmërisë. Në të dielën e zakontë, kur të gjithë vraponin të zbarkonin në hapësirën më të afërt, ku syri mund t'i zinte pak akuarel bojëqielli, aromë jodi,zhurmë dallgesh,bezedisje rëre dhe afsh frymëmarrës, unë përqëndrohesha vetëm te boritë e tmerrshme, te vargu i stërgjatë i makinave që ulërisnin dhe gjithë problemet e metropolit të paboshatisur as në mes të verës.

Ecja në rrugicën e vegjëlisë, atje ku më bëhej se shihja topin e harruar gjatë lojës sonë të fundit dhe ku veshët më bënin sikur oshëtinin thirrjet e gjyshes ''Nxito! Dreka është gati.'' Ulesha në gurin e vockel, të lyer me gëlqere të bardhë, që atëherë kishte vend për mua e për ty e ku nisnim të flisnim për planetet e grindeshim për vendosjen e tyre. Pranë Uranit qëndronte Neptuni apo Jupiteri? Cili kishte ngjyrën më të thellë Marsi apo Venusi?  Paqtohesha rrëze pemës së kumbullës, ku gjenim lloj e soj marifetesh për të rrëmbyer edhe kokrrën e skajit më verior dhe pasi kishim ngrenë kushedi sesa, ankoheshim për dhimbje të barkut e gjendje marramendje.

Disa vite më pas, kur ndiheshim disi më të rritur e të pavarur, kishim gjetur një tjetër Kep të Shpresës së Mirë. Guri shumëcepësh, i cili bënte herë pas here rolin e nje grisësi pëlhurash, e prej të cilit bëheshim pre e mijëra qortimeve kur ktheheshim në shtepi, nuk ishte më i zoti të na mbante të dyve. Ne e zevendesuam fare lehtësisht.

Në parkun pranë shtëpisë, atje ku pemet ishin aq të dendura sa dukej si një pyll i vogel magjepsës, me aromë bliri e me peisazhin e luleve të mollës, gjetëm dy pemë të prera, të vendosura thuajse përbri njëra-tjetrës. Për shumë vite, ato sherbyen si vendtakimi ynë. Cfarë nuk u tha e cfarë mbeti pa u përmendur aty. Grindjet për planetet ishin zëvëndësuar me shqetësimet e përditshmërisë, besdisjet nga kujdesi i tepët i prindërve, kokëcarjet e detyrave të shkollës, qortimet e të rriturve, dredhitë e shokëve, tingujt e kitarave, leximet e klasikëve, vështiresitë e gjetjes së kohës për t'u takuar dhe shkëmbimi i mendimeve.

Cdo stinë na gjente në të njëjtat pemë të prera, të kthyera nga në një ulëse komode, jo prej rehatisë që të ofronin, por prej ndjenjës së sigurisë që na falnin e ai ishte oazi i zhvillimit të miqesisë sonë, që zgjati deri disa pranvera më parë.

Me kujtohet se së bashku, në të njëjtin vend, ku para nesh shihnim qindra rrënjë peme e deheshim nga aroma e blirit, përjetuam të gjitha shirat e vjeshtës, ishim dëshmitarë të cdo gjetheje, e cila kreu procesin e saj jetesore, nga filiz, në gjelbëroshe, me pas verdhacake, kuqaloshe dhe e kalbur deri në krakullitese prej hapave tanë. Pritëm cdo dimër borën e pare e të fundit, lagështinë dhe kallkanosjen, ku ngroheshim nëpërmjet bisedave të mira,filxhaneve të kafeve në duartë e carë nga i ftohti dhe ndanim me njëri -tjetrin dorashkat e kapucët e leshtë. I gëzoheshim si vocërrak celjes së luleve të para dhe lulëzimit të pranverës, këngës së zogjve e shkëlqimit të diellit. Lodronim mes barit të gjallëruar, buzëqeshnim e ankoheshim për një verë të nxehtë që na priste, plot thatësi e nxehtësi, si mes korriku i këtij viti.

Një dite u largove, nuk erdhe më në vendtakimin e përditshëm e berë që pema jote të mbetej bosh.Nuk i le asnjë porosi zogjve e luleve, të justifikonin mungesën tënde. Pas teje edhe unë  e braktisa vendin tonë në botë, nuk me duhej më, nuk gjeja asgjë aty.
Sot, në një ditë të lodhshme, ku dielli than gjithcka i del përpara, m’u bë më i afert kujtimi yt dhe i miqësisë sonë, por as sot ti nuk je këtu për të falur pak freski, ndaj me kot eci, më kot endem, më kot lodhem e djersi. Korriku mbeti një muaj dreqi…

©RE

Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Leximi i mëngjesit, aktiviteti i parë i një dite të mbarë

Të lexuarit është pjesë e rutinës sime të përditshme qysh prej vegjëlisë së hershme, atëherë kur gjyshërit e prindërit lexonin për të më dëfryer. Gjatë gjithë këtyre viteve, rutina e leximit ka qënë më së shumti e përqëndruar gjatë mbrëmjes, para se të shkoja për të fjetur e dukej se më shërbente si një ëndërr-prurës magjik. Kohët e fundit kam nisur të eksperimentoj me një metodë të re leximi të cilën dua ta ndaj me ju. Kjo metodë lidhet pikërisht me nisjen e ditës duke lexuar. Pra, imagjino që veprimi i parë me të cilën nis ditën sapo zgjohesh është të lexuarit. Ky 30-45 minutësh i zgjimit më të hershëm dhe përqëndrimi në një libër sjell dhjetra përfitime për ditën tënde e sidomos për jetën në aspektin afatgjatë. Më poshtë do ndaj me ju disa nga përfitimet që më kanë   ndryshuar përditshmërinë pas kësaj rutine të re:   1.   Zgjimi më i hershëm. Nisja e ditës në më herët të bën të marrësh gjithçcka më me nge. Ky zgjim më i ngadaltë pa patur frikën se po bëhesh von...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *