Skip to main content

Tetori i ''Tre shokëve''






Muaji tetor ishte i ngrohtë e i bukur dhe vetëm në ditët e fundit të tij, na rikujtoi se i ngrohti nuk është zakoni i tij tradicional. Jemi zyrtarisht në stinën e vjeshtës, shkelim mbi gjethet e kalbura, që veshin rrugët e në mbremje kërkojmë ngrohtësinë pranë një filxhani caji dhe një libri të mirë.

Libri i muajit Tetor, në Klubin e Librit #rrembelibrin ishte një nga librat më të bukur të Erich Maria Remark, ‘’ Tre shoket’’. Për herë të parë e kam prekur këtë roman ende pa hyrë në klasën e parë. Më kuriozonte kopertina e tij lejla e celët , me fanarin e verdhë dhe portreti i shkrimtarit ne fundin e librit. (Vite më vonë, ai portret u mishërua në shkrimtarin tim të preferuar.) Gjyshja ime e shtrenjtë pasi e lexoi këtë libër e ruajti si një thesar për dy arsye. Së pari për kujtimin qe libri barte për të dhe së dyti për dashurinë, që filloi të himnizonte për Remarkun.



Ndërsa e kisha parë shumë shpesh nëpër shtëpi, në rreshtin e parë të bibliotekës së familjes dhe në duart e bukura të gjyshes sime, në duart e mia ky libër erdhi vite më vone, kur isha rreth të 15-tave dhe dëshiroja me kërshëri të dija se cfarë e bëri gjyshen ta donte kaq shumë këtë libër.
Ky është një nga librat më tipik të Remark, një nga autorët më përfaqësues të brezit të humbur. Historia e romanit nis e përfundon me miqësinë, atë më të vërtetën, më të vyerën e të sinqertën. Gjithcka në libër vërtitet rreth tre shokëve: Robit, Otos dhe Grodfit Lencit. Gjithë përjetimet e Luftës së Parë Botërore i kishin bërë të tre më të bashkuar se kurrë. Ata kishin jetuar së bashku tmerret e luftes, u kishte dale para syve vdekja, kishin humbur miqte e tyre ne beteja, ishin plagosur e dërrmuar, por e konsideronin veten me fat sepse u ngrohën nga dielli i paqes.

Megjithatë ëndrrat u thyen shpejt. Premtimet, fjalët e dhëna dhe besët e lidhura gjatë kohës së luftës nuk e patën të gjatë. Ata iu rikthyhen jetës së tyre, të pandarë duke u munduar të krijonin sadopak qetësi mes asaj jete kaotike politike. Në mesin e tyre qendronte pija, bisedat e shtruara, gazmore e kuturu në oficinën e tyre, shoqërimi me Patin dhe përkujdesja për makinën e tyre shumë të dashur, Karlin.



Në këtë roman, pervecse lexon për një miqësi të adhurueshme, për besnikëri e vëllazëri, mëson edhe për dashurinë pakushte. Dashuria e Patit me Robin është një nga më të bukurat, për të cilat ka shkruar Remark. Dashuria e tyre bazohet në gjera të vogla, por me vlera të medha. Fatkeqësisht, fundi i tyre është tragjik, karakteristikë kjo e shkrimtarëve të brezit të humbur.
Ky liber është i shkruar thjeshtë, por me një fabulë mbresëlënëse. ‘’Tre shoket’’ të kujton disa vlera humane, të cilat sa vjen dhe humbasin në shoqërinë tonë. Një nga mesazhet më të bukura të librit është se miqësitë dhe dashuritë e vërteta kalojnë cdo sprovë dhe nuk vdesin, as kur vdekja i ndan.
Gjithashtu nuk duhet lënë pa përmendur fakti se ky libër vjen i shqipëruar nga Robert Shvarc, mjeshtri i gjuhës shqipe.



Nga Klubi i Librit, një nga mikeshat më besnike, Greta shprehet: ‘’ Ky është një libër, që përcjell emocion në cdo fjali, faqe dhe kapitull. Ndjesi të papërjetuara më pare, që pasqyrojnë vlerat dhe rëndësinë e miqësisë së vërtetë. Momente historike të palexuara ndonjëherë dhe një histori dashurie e rrallë. Ka humbur shume kush nuk e ka lexuar ‘’Tre shoket’’! ‘’

Nëse ende nuk e ke lexuar, nxito dhe do dashurohesh me të!

Ju ftoj në leximin dhe rileximin e një libri, që të bën të buzëqeshësh e të derdhësh lot!

Rilexohemi të shtunën e ardhshme,

©RE

Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Leximi i mëngjesit, aktiviteti i parë i një dite të mbarë

Të lexuarit është pjesë e rutinës sime të përditshme qysh prej vegjëlisë së hershme, atëherë kur gjyshërit e prindërit lexonin për të më dëfryer. Gjatë gjithë këtyre viteve, rutina e leximit ka qënë më së shumti e përqëndruar gjatë mbrëmjes, para se të shkoja për të fjetur e dukej se më shërbente si një ëndërr-prurës magjik. Kohët e fundit kam nisur të eksperimentoj me një metodë të re leximi të cilën dua ta ndaj me ju. Kjo metodë lidhet pikërisht me nisjen e ditës duke lexuar. Pra, imagjino që veprimi i parë me të cilën nis ditën sapo zgjohesh është të lexuarit. Ky 30-45 minutësh i zgjimit më të hershëm dhe përqëndrimi në një libër sjell dhjetra përfitime për ditën tënde e sidomos për jetën në aspektin afatgjatë. Më poshtë do ndaj me ju disa nga përfitimet që më kanë   ndryshuar përditshmërinë pas kësaj rutine të re:   1.   Zgjimi më i hershëm. Nisja e ditës në më herët të bën të marrësh gjithçcka më me nge. Ky zgjim më i ngadaltë pa patur frikën se po bëhesh von...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *