Skip to main content

‘’E veçanta e dhjetorit’’, përpëlitjet mes vetmisë e dashurisë



Muaji i fundit i vitit, i cili shoqërohet pashmangshmërisht me dritat vezulluese te qytetit dhe mbremjet e ngrohta në prani të më të dashurve ulur poshtë pemës menjëherë krijon ndjesinë e një reflektimi për një vit të plotë. Libri ‘’E veçanta e dhjetorit’’ jo vetëm më bëri të ndërtoj një bilanc suksesesh e dështimesh, lumturish e trishtimesh në mendje, por gjithashtu më la shijen më të mirë, në muajin më special.



Donal Ryan është një autor irlandez,i cilësuar si ndër më të pazakontët e brezit të tij. Nësë do cekim paksa historikun e letërsisë irlandeze duhet përmendur se një karakteristikë e përgjithshme e saj është nje përshfaqje viktimizuese e Irlandës, si një vend i pushtuar nga varfëria, i shtypur nga kolonizatorët, me mungesë vendimmarrje dhe me uri masive emigrimi. Ky peisazh i Irlandës është vështirë të përfytyrohet me Irlandën e para krizës së 2008, e cila gëzonte një ekonomi të lulëzuar e konsumi gëlonte. Pikërisht në këtë kohë të bezdisshme për njerezit, te cilet duan letesine dhe nuk gjenin asgjë që përfaqësonte të tashmen dhe realitetin në të, por vetëm revokonte të kaluarën e dhimbshme e të hidhur del në pah Donal Ryan, ai që nëpërmjet qoshkës së tij rrëfimtare na prezantoi me një realitet të panjohur irlandez.

Personazhi kryesor i romanit është Xhonsi, një djalë i ndrojtur, i pashoqërueshëm, femijë i vetëm, i cili gjatë gjithë viteve të rritjes së tij kishte gëzuar dashurinë, përkujdesjen e përkëdhelitë e nënës e babait, por mungesa e ballafaqimit me botën e gjen  të pambrojtur, të dobët e të pazotë në përballjen me jetën pas oborrit të fermës familjare.



Jeta e tij ishte e kufizuar mes shetitjeve dhe punëve të fermës me babain, shijimit të gatimeve të mrekullueshme të nenës, mungesës së miqve, përndjekjeve të djemve të fshatit, përqeshjeve, talljeve e mungesës së respektit të të tretëve.

Ditët e tij morën një tjetër kthesë fill pas humbjes së të atit. Dy vitet pa babin ishin të vështira për të e për nënën. Mungesën e tij e ndjente në cdo mendim, që i kalonte nëpër mend dhe admirimin për figurën atërore e shfaq në cdo rresht. Nëna nuk e perballoi dot humbjen e të shoqit, kështu që në një hark të shkurter kohor Xhonsi mbeti fillikat në botë, duke humbur kështu edhe të ëmën.
Tanimë jeta për të ishte e kotë dhe mendimet për t’i dhënë fund kësaj torture e shoqëronin ditë e natë.

Pas vdekjes së prindërve, Xhonsit i mbeti në pronësi ferma dhe tokat e familjes e një llogari kursimesh prej babait e nënës, por ai nuk ishte sipërfaqesor e as materialist. Gjithnjë e shoqëronte mendimi se paratë nuk ishin edhe aq të dobishme për të. Punonte me bashkëfshatarin e tij Patin, ushqehej nga duartë e Zonjëzës e Zoterisë, dy të moshuar dashamirës, të cilët e donin Xhonsin si të ishte i vogli i tyre dhe shpenzimet e tij i rrumbullakoste deri në 50 paund në javë.

Jeta e tij ishte një ferr dhe ai kërkonte gjithnjë nëpër shtëpi hijen e nenës a të babait për t’i kërkuar llogari se përse e braktisën tërësisht. Daljet e vetme të tij ishin të dielave për të ndjekur meshën në fshat dhe rruga nga kisha në shtëpi ishte e mbushur me ankth se mos papritmas shfaqej Juxhini i paskrupullt e shfrynte dufin në mënyrën më barbare mbi mishin e eshtrat e tij.
Një episod i pakëndshëm me djemtë rrugac e bëri Xhonsin të përfundonte në spital e gjendja e tij të ishte kritike. Cdo e mirë e ka një të keqe e cdo e keqe e ka një të mirë, kështu gjatë rikuperimit fizik Xhonsi njohu në spital Zërin e Ëmbël, infermieren Shivoni prej të cilës provoi për herë të parë ndjenjën e bukur të dashurisë. Gjithashtu, po në dhomën e ngrysur të spitalit njohu mikun e tij të parë në jetë, Dejvin, një llafazan të bezdisshëm me shpirtin më të mirë në botë.

Nga ana tjetër, në sytë e fshatit Xhonsi ishte një budalla, që i kishte pjell gjeli e kishte një pasuri të cilës nuk ia dinte vlerën, e asgjë më tepër. Shumë njerëz, fqinj, shokë të babait, të njohur e të panjohur trokitën në derën e tij. Disa per t’i blerë mendjen e të tjerë për ta mashtruar mbi tokën, por ai nuk e shiti asnjëherë, sepse nuk e konsideronte si të tijën, por si të paraardhësve të tij. Natyrisht, në sytë e të tjerëve u cilësua si një lakmitar, një njeri që nuk ngopej me para e nuk dëshironte që fshati të përparonte, por në të vërtetë Xhonsi ishte veçse një njeri i drejtë.



Ditëve të Xhonsit iu shtua dielli e gëzimi. Gjithcka kishte dashur në jetë paskësh qënë pak dashuri e një mik i mirë. Rrethanat deshën që Dejvin të largohej nga kjo botë e mbase Shivonin ta humbiste. Rikthimi në vetmi ishte edhe me i trishtë se vetë vetmia.

Ky libër është një klithmë për të na zgjuar para problemeve me të cilat hasemi cdo ditë. Në një botë, ku komunikimi virtual gëlon më shumë se kurrë ekziston një problem  madhor, mungesa e komunikimit verbal, socializimit e miqësive, që të ngrohin zemrën. Gjithashtu, jetojmë në kohë të vështira, ku paraja ka fuqinë absolute të erri sytë, të flaki në djall ndërgjegjen e t’i japi lamtumirën e fundit humanizmit.

Një tjetër çështje që më prek e dua ta trajtoj në mënyrë të vecantë nga problematikat që libri ezauron është bullizmi e integrimi i fëmijëve të vetëm në shoqëri. Si një femije i rritur me mijëra perkedheli dhe ledhe, pa vëllezer dhe motra mund të them se kam hasur në jetë të tjerë si Xhonsi, të shkëputur nga realiteti, të mbërthyer në botën e tyre të pambuktë teëdashurisë dhe përkujdesjes familjare dhe tërësisht me veshtirësi në socializim dhe miqësim me të tjerët. Jo rrallëherë, individ të tillë kthehen ne shinjestër të talljeve, përqeshjeve dhe poshtërimeve dhe kur përshfaqin brishtësinë dhe ëmbëlsinë me të cilat prindërit i kanë rritur mbeten të izoluar përgjithnjë.

Për fat të mirë, edhe pse pa motër a vella nuk jam strukur kurrë në strehëzën time të lumturisë familjare duke pasur frikë të përballem me ashpërsinë e botës së vërtetë, por kjo lidhet ngushtësisht me karakterin e individit. Gjatë librit vihet re se roli i shkollës në integrimin e Xhonsit ishte inekzistent dhe të gjithë jemi koshient se kështu ndodh edhe në vendin tonë.

Libri është rrëfyer këndshëm e përkthyer me një natyralitet të pamasë. I ndarë në dymbëdhjetë kapituj, të cilet përfaqësojnë dymbedhjetë muajt e viti, libri përfundon me Xhonsin, të braktisur sërisht nga jeta, por akoma jo nga vetja. Gjatë leximit haset një humor i hollë, i cili të bën të vendosësh buzën në gaz, por njëkohësisht të ndjesh dhimbje. Një tjetër karakteristikë është atmosfera e romanit, e cila shoqërohet gjithë kohën me mjegullinën dhe paqartësine e qiellit, shoqëruar me baltën e fshatit,tingujt e kafshëve dhe rrugët e ngushta të zbrasta.

Në përfundim mund të them se ky libër është zgjedhja më e mirë e fundvitit, për të ndihmuar në ndërtimin e Pasqyrës së Realitetit, në të cilin jetojmë. 

Kur brenda zemrës zotëron fuqinë t’i bësh të qeshin, mos i helmo me hidhërim!

Ju ftoj në leximi e ‘’E veçanta e dhjetorit’’ shkruar nga Donal Ryan.

Rilexohemi të shtunën e ardhshme,

©RE

*Ky artikull nuk lejohet të ribotohet pa lejen e autores. 
Kontaktoni: njetuferrezeshneperre@gmail.com


Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Leximi i mëngjesit, aktiviteti i parë i një dite të mbarë

Të lexuarit është pjesë e rutinës sime të përditshme qysh prej vegjëlisë së hershme, atëherë kur gjyshërit e prindërit lexonin për të më dëfryer. Gjatë gjithë këtyre viteve, rutina e leximit ka qënë më së shumti e përqëndruar gjatë mbrëmjes, para se të shkoja për të fjetur e dukej se më shërbente si një ëndërr-prurës magjik. Kohët e fundit kam nisur të eksperimentoj me një metodë të re leximi të cilën dua ta ndaj me ju. Kjo metodë lidhet pikërisht me nisjen e ditës duke lexuar. Pra, imagjino që veprimi i parë me të cilën nis ditën sapo zgjohesh është të lexuarit. Ky 30-45 minutësh i zgjimit më të hershëm dhe përqëndrimi në një libër sjell dhjetra përfitime për ditën tënde e sidomos për jetën në aspektin afatgjatë. Më poshtë do ndaj me ju disa nga përfitimet që më kanë   ndryshuar përditshmërinë pas kësaj rutine të re:   1.   Zgjimi më i hershëm. Nisja e ditës në më herët të bën të marrësh gjithçcka më me nge. Ky zgjim më i ngadaltë pa patur frikën se po bëhesh von...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *