Skip to main content

Më ndjekin ëndrrat




Hëna e plotë, vezullonte si argjend e po përhumbej në një nebulozë të thellë,të paqartë. Në kokë më thërrisnin zëra me timbër të metalë, a thua se dilnin nga ndonjë gërvishtje hekurishtesh. Mendimet pluskonin e ecejaket shpeshtoheshin, sikur sa më shumë të vërtitesha nëpër korridorin e ngushtë, plot pasqyra e me dritë të feksur, aq më tepër do i largohesha nakatosjes së mendimeve.

Të jetosh kur gjithçka të ka mbetur është vetja e të pranosh pasqyrimin e ndërgjegjes me gabimet,mëkatet e dobësitë është tortura e të pamëshirshmëve.

Agonia e frika qëndronin këmbëkryq në dyshemë, ulur aty krah meje, ku tinëz bëja sikur i shihja me bisht të syrit e përnjëherë ndjeja zmadhimin e iridëve të kaftë.

Jo, ato nuk ishin në kokën time, unë as nuk i krijoja e as i riprodhoja nga ndonjë imazh i mëparshëm, ato ishin të gjalla dhe kishin dalë prej mendjes e shpirtit tim. Të tjerët janë krijues të akteve të mirësisë, dashurisë e ndërlidhjes, ndërsa unë di të trazoj mendimet e mia aq shumë sa të harroj të vërtetat.
Ato shtegtojnë larg, mbase në vendet e ngrohta, atje ku kanë lirinë të preken nga flladet e ëmbla e unë mbetem vetëm më gënjeshtrat e tejshkuara.

Pasi gjerb diç të ngrohtë e ndjej përvelimin deri në kraharor, më mbetet nakël një fjalë e pathënë, dy mirënjohjë të pashprehura, tre dëshira ngulmuese , disa përralla të pandara e shumë kujtime të thyera.

E ndragur mes pendesash e harrimesh vendos të mos tregohem mikpritëse as me ankthin e aq më pak me frikën. Ndjej një prafullim në mes të zemrës, aty ku ende bie erë dashuri. Tregohem shpuzake e diç lëshoj nëpër dhëmbë, teksa mundohem të kundroj tejpërtej pasqyrave të panevojshme.

Afrohem për te njëra nga ato e ndërsa shoh reflektimin e vetes qëndroj e nemitur. Për pak sa nuk kisha harruar si dukesha edhe pse e rrethuar mes pasqyrash. Vështroj pak më me vëmendje se mbase ka diçka më shumë sesa vetëm rrathë të errët sysh, flokë të shpurpuritura e lëkurë të akullt.

Gjej valixhen e mbushur me pëlhura, e zbras dhe e lë përdhe. Menjëherë i jap urdhër mendjes të rendisi të gjitha ëndrrat në të. Ashtu nis të largohem, e vetme e gjithçka më duhet të tërheq pas vetes është një grumbull ëndrrash ndjekëse.

©RE

*Ky artikull nuk lejohet të ribotohet pa lejen e autores. 
Kontaktoni: njetuferrezeshneperre@gmail.co

Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Leximi i mëngjesit, aktiviteti i parë i një dite të mbarë

Të lexuarit është pjesë e rutinës sime të përditshme qysh prej vegjëlisë së hershme, atëherë kur gjyshërit e prindërit lexonin për të më dëfryer. Gjatë gjithë këtyre viteve, rutina e leximit ka qënë më së shumti e përqëndruar gjatë mbrëmjes, para se të shkoja për të fjetur e dukej se më shërbente si një ëndërr-prurës magjik. Kohët e fundit kam nisur të eksperimentoj me një metodë të re leximi të cilën dua ta ndaj me ju. Kjo metodë lidhet pikërisht me nisjen e ditës duke lexuar. Pra, imagjino që veprimi i parë me të cilën nis ditën sapo zgjohesh është të lexuarit. Ky 30-45 minutësh i zgjimit më të hershëm dhe përqëndrimi në një libër sjell dhjetra përfitime për ditën tënde e sidomos për jetën në aspektin afatgjatë. Më poshtë do ndaj me ju disa nga përfitimet që më kanë   ndryshuar përditshmërinë pas kësaj rutine të re:   1.   Zgjimi më i hershëm. Nisja e ditës në më herët të bën të marrësh gjithçcka më me nge. Ky zgjim më i ngadaltë pa patur frikën se po bëhesh von...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *