Skip to main content

''Mëngjese në Kafe Rostand'' dhe të pathënat e Kadaresë



Mes dyzimeve se rreth cilit libër do flisja sot me ju zgjodha një autor të dashur e të mirënjohur shqiptar. Ditët e fundit, në kryeqytet janë hapur dyert e shtëpisë muze të Ismail Kadares, në zemër të Tiranës. Pallati famëmirë, ku jetuan e lanë përditshmërinë e tyre Kadare dhe Agolli, dy kolosë të letrave shqipe mban firmën e arkitektit e aristit të veçantë Maks Velo.

Për t’u kthyer pak në retrospektivë, ky pallat u ndërtua më vitin ‘74  dhe konsiderohet si prurje e frymës kubiste, pra moderne dhe e pazakontë për kohën. Arkitektit Velo, guximi i pashoq i shfaqur nw stilin e pallatit i kushtoi plot dhjetw vite burg, nw ferrin e izolimit tw komunizmit.Kur bie në mendime rreth pallatit, para të cilit kaloj çdo ditë e çdo herë më bie në mendje secili rresht e varg i shkruar në ato themele, shkallë e apartament. Ndaj sot zgjodha të flas për një libër pak më personal shkruar nga Kadare, i cili titullohet ‘’Mëngjeset në Kafe Rostand’’. Lehtësisht mund ta cilësoja si një formë autobiografie, por në të vërtetë, ky libër është shumë më tepër se aq.

Kadareja zgjodhi të rrëfente në mënyrën e tij karakteristike plot guxim e sinqeritet kujtimet e tij qysh prej vegjëlisë së hershme. Në kafenenë e famshme të Parisit ai kujton kalldrëmet e Gjirokastrës, shtëpinë në të cilën u lind e u rrit, Sokakun e të Marrëve, admirimin për prejardhjen dhe grimca kujtimesh si fëmijë.

Gjithashtu, Kadare prezanton marrëdhënien e tij më letërsinë, njohjen nëpërmjet leximeve me shkrimtarët e mëdhenj botëror dhe kërshërinë për botën artistike. Bashkë me rritjen e tij, ai nuk kursen memorien si student dhe përjetimet e kohës. Gjithçka është rrëfyer rrjedhshëm e bukur dhe e ka kthyer këtë libër në një prezantim jo vetëm me shkrimtarin shqiptar kandidat për Cmimin Nobel, por edhe si Ismailin, njeriun pas emrit të lavdishëm në kopertinat e librave.

Ndër pjesët të cilat lexohen edhe më me kërshëri duke njohur historinë është marrëdhënia e Kadares me sistemin totalitar. Shumë lexues gjykojnë, shumë të tjerë tregohen të ashpër e një pjesë e madhe mbështetës, port ë vërtetat mbi trysninë dhe betejat për librat e tij i zbulon vetëm ai nga cepi i tij vetmitar i Kafe Rostand.

Kafe Rostard nuk është vetëm vendi ku kanë lindur sa e sa shkrime, sa e sa poezi e libra, por njëkohësisht është hapësira, ku Kadare është njohur edhe më shumë koleg të tjerë të huaj. Gjithashtu, ky vend mban peshën e qoshkës së këndshme të veçuar nga gjithçka, që i pengon mendimet e për rrjedhojë krijimtarinë.

Teksa e lexoja isha në mëdyshje nëse ky libër meriton të lexohet pasi ke përfunduar së përthithuri të gjitha veprat e autorit apo pa i nisur ende si për t’u prezantuar së pari më njeriun e më pas më shkrimtarin. Ende nuk e kam gjetur përgjigjen dhe mendoj se këshilla të tilla janë të parëndësishme kur bëhet fjalë për një libër, të cilin duhet ta lexoni domosdoshmërisht.

Së pari, ky libër hap horizonte të reja mbi Ismailin, duke nisur me vogëlushin në Gjirokastër, studentin në Tiranë e Moskë, shkrimtarin në monizëm e njeriun e shquar të letrave në Paris. Vendbanimet e ndryshme prezantojnë lexuesit me figurën poliedrike të autorit.
Së dyti, ky libër është disi më intim se veprat e tij letrare. Kadareja i rrëfehet lexuesit pa korniza, por me elegancën që gjithnjë e karakterizon dhe sheshon barrierat mes tyre, duke shuar kureshtjen për çështje me interes të lartë.

Së treti, asnjëherë nuk ke lexuar aq shumë sa do duhej nga Kadare. J Të tregohem e sinqertë, sa herë më bie në duar një libër, në të cilin nuk jam zhytyr ende nga Kadare e rrëmbej pa e menduar  më gjatë. Finesa e të shkruarit, artikulimi i qartë, thellimi i mendimit, stili i tij i papërsëritshëm dhe delikatesa e të shprehurit e bën çdo libër një bekim në duartë e lexuesit.

Në përfundim, ju ftoj jo vetëm të lexoni ‘’Mëngjese në Kafe Rostand’’ për të njohur anën më njerëzore të përshfaqes së shkrimtarit të madh, por gjithashtu të vizitoni hapësirën, ku lindën veprat emblematike të tij, shtëpinë e tij tanimë muze.

Rilexohemi shumë shpejt,
©RE

*Ky artikull nuk lejohet të ribotohet pa lejen e autores. 

Kontaktoni: njetuferrezeshneperre@gmail.com

Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Leximi i mëngjesit, aktiviteti i parë i një dite të mbarë

Të lexuarit është pjesë e rutinës sime të përditshme qysh prej vegjëlisë së hershme, atëherë kur gjyshërit e prindërit lexonin për të më dëfryer. Gjatë gjithë këtyre viteve, rutina e leximit ka qënë më së shumti e përqëndruar gjatë mbrëmjes, para se të shkoja për të fjetur e dukej se më shërbente si një ëndërr-prurës magjik. Kohët e fundit kam nisur të eksperimentoj me një metodë të re leximi të cilën dua ta ndaj me ju. Kjo metodë lidhet pikërisht me nisjen e ditës duke lexuar. Pra, imagjino që veprimi i parë me të cilën nis ditën sapo zgjohesh është të lexuarit. Ky 30-45 minutësh i zgjimit më të hershëm dhe përqëndrimi në një libër sjell dhjetra përfitime për ditën tënde e sidomos për jetën në aspektin afatgjatë. Më poshtë do ndaj me ju disa nga përfitimet që më kanë   ndryshuar përditshmërinë pas kësaj rutine të re:   1.   Zgjimi më i hershëm. Nisja e ditës në më herët të bën të marrësh gjithçcka më me nge. Ky zgjim më i ngadaltë pa patur frikën se po bëhesh von...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *