Skip to main content

Personazhet, të cilët lanë gjurmë në mendësinë time



Gjatë leximit, përveç përvetësimit të njohurive të reja, pasurimit të fjalorit, mishërimit të dijeve, zhvillimit të imagjinatës, kalitjes së durimit dhe ndërtimit të vyrtytit të empatisë, mes lexuesit dhe personazheve krijohet një marrëdhënie imagjinare, thuajse e pashpjegueshme, e cila mundet të ndryshojë përgjithnjë jetën. Personazhet e librave jo gjithnjë janë të veçantë apo të aftë të ndikojnë tërësisht botëkuptimin e lexuesit, por në mesin e tyre mund të gjesh nga ata që të kanë frymëzuar duke u shndërruar në të paharrueshëm, në modele për t’u ndjekur dhe miq me mësime të vyera. Më poshtë, do të gjeni pesë personazhet, të cilët kanë ndikuar thellësisht tek unë, në çaste të ndryshme jetësore.

1.Hamleti

Hamleti është një nga personazhet më enigmatike të Shekspirit, i cili mençurinë, filozofinë dhe mprehtësinë e tij e fsheh mes rrethanave. Gjithnjë e kam admiruar për guximin, luftën e hapur me të gjithë për të vënë në vend të vërtetën e babait të tij; vetëflijimin për arritjen e qëllimit të tij madhor; konceptin e tij mbi dashurinë dhe përgjegjësinë e jashtëzakonshme për Mbretërinë e tij.Kur e kam lexuar për herë të parë Hamletin, në një moshe fare të re, pothuajse e kam patur të vështirë të kuptoj të gjitha prapaskenat e mendimeve të tij të pazakonta, por me bindje mund të them se nga Hamleti kam mësuar peshën e heshtjes me qëllim vënien e drejtësisë në vend e njëkohësisht kam kuptuar se ruajtja e qetësisë me hileqarët, herët apo vonë do të japi titullin e fitimtarit.

2. Uilliam Stivens

Një nga librat e mi të parapëlqyer prej vitit të shkuar ka qënë ‘’Dita e mbetur’’ shkruar nga Nobelisti Kazuo Ishiguro. Në këtë libër gjeta paqen, mirësinë dhe motivimin për të cilin kisha aq shumë nevojë. Gjatë leximit, personazhi kryesor Zoti Stivens, i cili luante rolin e narratorit në rrëfim dhe shërbente një jetë të tërë në Darlington Hall ishte shëmbulli i njeriut të besuar, dinjitoz dhe me integritet të lartë, i cili për hir të besnikërisë dhe elegancës së tij në marrëdheniet me njerëzit është i gatshëm të sakrifikojë marrëdhëniet e tij vetjake. Stivens më ka mësuar mbi mirënjohjen, sakrifikimin e dashurisë për të respektuar vendimet e të tjerëve, përulësinë, e cila e bëntë njeri të nderuar dhe të qënit gjithnjë falenderues.

3.Kozeta

‘’Të mjerët’’ konsiderohet vepra më kuptimplotë dhe përfaqësuese shkruar nga Viktor Hygo. Ndër atë galeri të pasur personazh, e parapëlqyera ime ka qënë gjithnjë Kozeta. Kozeta, një vajzë e vogël, jetime dhe pa përkrahje e cila endej rrugëve të Parisit preku ndjeshmërinë time, qysh kur unë isha rreth 8 vjeç. Që prej asaj kohe, Kozeta përfaqëson për mua fëmijën e rritur në një mënyrë a një tjetër, që nuk ndjeu kurrë dashuri prindërore të vërtetë e që jeta e endte mes mijëra peripecish.

4. Edmond Dantes

Edmond Dantes njohur ndryshe si Konti i Monte Kristos është një nga personazhet më të dashura të letërsisë botërore. Dante përfaqëson njeriun e ndershëm, të mençur dhe zemërmirë, i cili shndërrohet tërësisht pas dënimit  mbi akuzat e një krimi. Rikthimi i tij, me gjitë hakëmarrjen dhe ashpërsinë, shpërblen këdo që e ndihmoi duke dhënë kështu shëmbullin e transformimit njërëzor, por duke ruajtur zemrën e mirë.

5.Princi i vogël

Princi i vogël, përveçse një nga personazhet më të dashur për mua, gjithashtu e konsideroj si një nga personazhet më edukativ. Imagjinata e tij e larmishme, rrëfimet e bukura të mbushura me mesazhe dashurie dhe paqe, përpjekjet për të mbajtur gjallë fëmijën brenda të gjithëve dhe pafajësia e tij, e cila ndërvepron në çdo situatë, duke e kthyer sa komike aq edhe të adhurueshme, më bën të mundohem të gjej mënyra sesi të rikthehem edhe një herë fëmijë. Mbase kjo është e pamundur, por sa herë i rikthehem rileximit të këtij libri ndihem njeri më i mirë dhe gjithnjë e më e sinqertë siç Princi është.

Në përfundim mund të them së për të paraqitur këtë listë të shkurtër me personazhet e mi më të dashur ishte një punë e vështirë. Me siguri kam lënë pa përmendur shumë personazhe të tjerë të mrekullueshëm, të cilët kanë ndikuar botëkuptimin tim. Mezi pres të lexoj mbi personazhet tuaj të dashur, të cilët kanë lënë gjurmë në jetët tuaja. Shkruamëni!

Rilexohemi së shpejti,

©RE

*Ky artikull nuk lejohet të ribotohet pa lejen e autores. 

Kontaktoni: njetuferrezeshneperre@gmail.com

Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Leximi i mëngjesit, aktiviteti i parë i një dite të mbarë

Të lexuarit është pjesë e rutinës sime të përditshme qysh prej vegjëlisë së hershme, atëherë kur gjyshërit e prindërit lexonin për të më dëfryer. Gjatë gjithë këtyre viteve, rutina e leximit ka qënë më së shumti e përqëndruar gjatë mbrëmjes, para se të shkoja për të fjetur e dukej se më shërbente si një ëndërr-prurës magjik. Kohët e fundit kam nisur të eksperimentoj me një metodë të re leximi të cilën dua ta ndaj me ju. Kjo metodë lidhet pikërisht me nisjen e ditës duke lexuar. Pra, imagjino që veprimi i parë me të cilën nis ditën sapo zgjohesh është të lexuarit. Ky 30-45 minutësh i zgjimit më të hershëm dhe përqëndrimi në një libër sjell dhjetra përfitime për ditën tënde e sidomos për jetën në aspektin afatgjatë. Më poshtë do ndaj me ju disa nga përfitimet që më kanë   ndryshuar përditshmërinë pas kësaj rutine të re:   1.   Zgjimi më i hershëm. Nisja e ditës në më herët të bën të marrësh gjithçcka më me nge. Ky zgjim më i ngadaltë pa patur frikën se po bëhesh von...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *