Skip to main content

Pesë shqetësimet e një libërdashësi



Komuniteti i libërdashësve është i veçantë, kreativ dhe disi i çuditshëm. Mos prisni asgjë të zakontë nga njërëz, të cilët hera-herës harrojnë të jetojnë jetët e tyre duke u endur mes mijëra jetëve imagjinare të personazheve letrare. Shkrimi i mëposhtëm do të shërbejë si një hapësirë e përbashkët sensibilizuese për lexuesit e sprovuar dhe gjithashtu si një guidë interesante për lexuesit e largët, të cilët dëshirojnë të njohin mendimet, shqetësimet dhe jetën e një njeriu, që frymon me librat. Thënë kjo, mëposhtë do të njiheni me problemet që shqetësojnë një lexues të apasionuar në përditshmërinë  e tij.

1.       Huazimi i librave dhe moskthimi ose dëmtimi i tyre.

Nëse një lexues ju huazon një libër, këtë gjest vlerësojeni si një akt dashamirës dhe respektojeni. Huazimi i një libri të dashur mund të konsiderohet fare lehtë si falja e një copëze shpirti. Fatkeqësisht, jo gjithnjë lexuesit janë korrekt e të përgjegjshëm. Shpesh ndodh që librat e bujtur të rikthehen të dëmtuar, të grisur, të bërë pis, të shkarravitur e të keqtrajtuar ose më keq akoma ndodh të mos kthehen më kurrë.  Të besuarit të një libri, që mbart një kujtim të veçantë, përcjell emocione dhe ka shënjuar jetën në një çast të saj ndaj respektojeni bujarinë për dijen dhe jini të përpiktë.

2.       Shoqërimi me miq aspak dashamirës ndaj librit.

Për një individ të lidhur pazgjidhshmërisht me botën letrare shoqërimi me njerëz, të cilët nuk i duan librat po njësoj është një torturë psikologjike, shpirtërore dhe emocionale. Leximi është një mënyrë jetese dhe për një lexues besnik të mos paturit mundësinë e të konsumuarit diskutime të përditshme mbi librat do të ishte disi e vështirë. Miqësi të tilla mbase janë të destinuara të përfundojnë, ose libërdashësi me gjithë durimin dhe vullnetin e përftuar prej kohës së investuar në libra do i ndryshojë jolexuesit tërësisht rrjedhën e jetës. J

3.       Etiketimi si të pashoqërueshëm.

Të qënit i përqëndruar në botën e librave bën të shkëputesh disi nga bota reale. Megjithatë, dashuria për librat nuk të bën më pak miqësor. Paragjykimet se lexuesit e përhershëm janë ‘’peshkopë’’, ‘’të pashoqërueshëm’’, ‘’të vështirë për t’u përshtatur’’ apo ‘’problematik’’ duhet të shemben një herë e përgjithmonë. Përkudrazi, lexuesit e rregullt kanë një vyrtyt të zhvilluar si empatia, që i bën të ndjeshëm dhe miq të mirë.

4.       Ekranizimi i librave.

Leximi konsiderohet si ndërtues i një fantazie, e cila zhvillohet sipas botëkuptimit dhe prapavijes intelektuale. Inteligjenca emocionale është një nga aspektet që ndikohet drejtpërdrejt nga leximi dhe pikërisht përjetimi vejtak i ngjarjeve, ndërtimi i personazheve dhe përshtypjet për ta shkërrmoqen gjatë ekranizimit, cilido qoftë regjisori apo kasti i aktorëve. Magjia e librit është e paarritshme dhe fuqia që ai zotëron pët të ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë me lexuesit bën që mes librit dhe filmit, në përgjithësi filmi të jetë i kontestuar, sidomos nga lexuesit fanatikë.

5.       Pyetjet mbi librin/autorin e parapëlqyer.

Në respekt të vështirësisë së zgjedhjes, presionit që krijohet dhe pavendosmërisht që në përgjithësi kjo pyetje shoqërohet, mbase do ishte më e udhës të shmangej. E mbani mend kur si një vogëlush, i përqëndruar në lojrat e tua të kryqëzonin me pyetjen më të tmerrshme të historisë njerëzore, ‘’ Pra, cilin do më shumë mes mamit dhe babit’’?  Kujto mendimet e tua të ngatërruara prej një fëmijë, të zënë në kurth në këtë pyetje të pavend, dilemën e vështirë dhe frikën se mos prindërit e tu do mërziteshin shumë, nëse do mundeshe të zgjidhje mes tyre. Pikërisht kështu ndihet një lexues nëse e pyet për librin apo autorin e parapëlqyer.  Gjasat janë të hasesh me një listë të gjatë ekuivalente me përgjigjen fëmijënore,‘’ Të dy njësoj.’’

Në përfundim duke shpresuar se me situatat e paraqitura më sipër jo lexuesit do të mirëkuptojnë botën e libërdashërve ose vetë këta të fundit do të buzëqeshin duke gjetur veten, ju ftoj të respektoni zgjedhjet e njëri-tjetrit duke qëndruar larg paragjykimeve. Një lexues i mirë nuk mund të jetë kurrë një qytetar i padenjë, për vetë mësimet e veçanta që leximi mishëron.

Rilexohemi herën tjetër,

©RE

*Ky artikull nuk lejohet të ribotohet pa lejen e autores. 

Kontaktoni: njetuferrezeshneperre@gmail.com



Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Leximi i mëngjesit, aktiviteti i parë i një dite të mbarë

Të lexuarit është pjesë e rutinës sime të përditshme qysh prej vegjëlisë së hershme, atëherë kur gjyshërit e prindërit lexonin për të më dëfryer. Gjatë gjithë këtyre viteve, rutina e leximit ka qënë më së shumti e përqëndruar gjatë mbrëmjes, para se të shkoja për të fjetur e dukej se më shërbente si një ëndërr-prurës magjik. Kohët e fundit kam nisur të eksperimentoj me një metodë të re leximi të cilën dua ta ndaj me ju. Kjo metodë lidhet pikërisht me nisjen e ditës duke lexuar. Pra, imagjino që veprimi i parë me të cilën nis ditën sapo zgjohesh është të lexuarit. Ky 30-45 minutësh i zgjimit më të hershëm dhe përqëndrimi në një libër sjell dhjetra përfitime për ditën tënde e sidomos për jetën në aspektin afatgjatë. Më poshtë do ndaj me ju disa nga përfitimet që më kanë   ndryshuar përditshmërinë pas kësaj rutine të re:   1.   Zgjimi më i hershëm. Nisja e ditës në më herët të bën të marrësh gjithçcka më me nge. Ky zgjim më i ngadaltë pa patur frikën se po bëhesh von...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *