Skip to main content

''Mami,unë dhe mami'', të vërtetat rrënqethëse të Maya Angelou



Javën e fundit ia kam besuar shoqërinë një libri autobiografik, i cili mes dhimbjes dhe forcës më bëri të reflektoja thellësisht mbi marrëdhëniet njerëzore. Nëse do më pyesnin se cili libër do ju sigurojë freski, poshtë çadrave e pranë detit, në këto ditë me vapë frymërrëmbyese është ‘’ Mami, unë dhe mami’’ shkruar nga Maya Angelou.

Me siguri keni dëgjuar për këtë personalitet të veçantë. Angelou është artiste, shkrimtare, poete, aktiviste e të drejtave të njeriut, e dekoruar disa herë me çmime të rëndësishme në veprimtarinë e saj humnitare dhe në karrierën e saj artistike. Libri ‘’Mami, unë dhe mami’’ është libri i saj i fundit autobiografik botuar në moshën 85 vjeçare dhe dedikuar tërësisht marrëdhënies së saj me të ëmën, por njëkohësisht dhe asaj me të birin.

Rrëfimi i këtij libri ngrihet mbi dhimbjen, dhunën, mungesën e dashurisë dhe dhimbshmërisë, marrëdhënies së distancuar nënë-fëmijë dhe një rrugëtimi të vështirë në afrimitetin e tyre, por jo të pamundur ku në themel mbillet sinqeriteti. Ngjarjet nisin me përshkrime prekëse mbi mungesën e figurës atërore dhe mëmësore, përkujdesjen e gjyshes, marrëdhënies së ngushtë me vëllain dhe një grumbull ndjenjash të padeshifruara mbi dhunën, frikën, mungesën e komunikimit, dashurinë e pashprehur, të cilat së bashku krijonin një ngërç psikologjik dhe emocional.

Historia e  Maya Angelou tregon të gjitha etapat e një marrëdhenië të thyer familjare, e cila rindërtohet prej respektit, sinqeritetit, mirënjohjes dhe dashurisë duke u shndërruar në të pathyeshme. Përgjatë leximit, pasazhet traumatike të dhunës, mungesës së dhembshurisë dhe sjelljet larg asaj njërëzorës krijojnë empati te lexuesi duke krijuar kështu një afërsi të jashtëzakonshme me vetë autoren.

Veçantia e këtij libri është se pavarësisht historisë së fuqishme emocionale, dhimbjes së përjetuar dhe vështirësive të panumërta, gjatë këtij tregimi nuk haset në asnjë shkronjë nevoja për t’u shfajsuar, për t’u viktimizuar apo për të ndryshuar të vërtetat, sado të hidhura qofshin ato. Ky libër është transparent, i gjallë dhe befasues, për lirinë e të dhënit të gjërave, pavarësisht peshës së tyre të rëndë.

‘’Mami, unë dhe mami’’ është himni mbi adhurimin e figurës mëmësore kompozuar nga e bija, e cila që pas njohjes me të ëmën, veten e konsideronte si qenia që jo vetëm mori jetë prej Vivian, por gjithashtu mori dinjitetit, forcën, dashurinë për veten, respektin për të tjerët, dëshirën për të ndryshuar realitetin, adhurimin deri në brutalitet të së vërtetës. Të gjitha këto vyrtytet, Maya u mundua për t’i përcjell tek i biri, duke treguar se të qënit njëkohësisht nënë e fëmijë është bekimi më i madh i kësaj jete.

Ky libër është i rëndësishëm të lexohet për disa arsye kryesore. Së pari, për shoqërinë shqiptare, ku familja shpërfytyrohet prej frikës së të vërtetës, mungesës së komunikimit dhe opinionit të të tjerëve, i cili shkatërron lidhjet e afërta, ky libër shërben si thirrje për të qënë të hapur, jo paragjykues e për të vlerësuar vendimet e të tjerëve, pa patur dëshirën e ndikimit në to. Së dyti, rrëfimi i ndjerë dhe plot ngjyra i Maya Angelou ngre një çështje të rëndësishme, siç është racizmi. Mesazhet e thella mbi paqen, mirëkuptimin, tolerancën dhe dashurinë, që përcillen në këtë libër janë një prekje shëruese për plagët globale, me të cilat secili nga ne haset herët apo vonë. Së treti, autobiografi të tilla, të pa autocensuruara, në të cilat ndërshfaqen mendimet e vërteta pa filtra dhe pa frikën e mospëlqimit të lexuesve të gjërë janë tëpër të rralla për letërsinë shqipe, e me siguri lexuesi shqiptar ka nevojë të menjëherëshme të përballet me to, si një mundësi për të çliruar veten nga komplekset e panevojshme.

Në përfundim, prej leximi të këtij libri do të huazoni mësime të vërteta dashurie dhe sakrifice. Shkruar në mënyrë rrjedhëse, e cila të mban mbërthyer dhe përshkruar cdo ngjarje me detaje të hollësishme, duke të krijuar ndjesinë e të parit të një filmi, plot mësime të vyera njerëzore.


Ju ftoj në leximin e ''Mami, unë dhe mami'' shkruar nga Maya Angelou dhe sjell në shqip nga Botimet Pegi!

Rilexohemi së shpejti,

©RE

*Ky artikull nuk lejohet të ribotohet pa lejen e autores. 

Kontaktoni: njetuferrezeshneperre@gmail.com




Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Leximi i mëngjesit, aktiviteti i parë i një dite të mbarë

Të lexuarit është pjesë e rutinës sime të përditshme qysh prej vegjëlisë së hershme, atëherë kur gjyshërit e prindërit lexonin për të më dëfryer. Gjatë gjithë këtyre viteve, rutina e leximit ka qënë më së shumti e përqëndruar gjatë mbrëmjes, para se të shkoja për të fjetur e dukej se më shërbente si një ëndërr-prurës magjik. Kohët e fundit kam nisur të eksperimentoj me një metodë të re leximi të cilën dua ta ndaj me ju. Kjo metodë lidhet pikërisht me nisjen e ditës duke lexuar. Pra, imagjino që veprimi i parë me të cilën nis ditën sapo zgjohesh është të lexuarit. Ky 30-45 minutësh i zgjimit më të hershëm dhe përqëndrimi në një libër sjell dhjetra përfitime për ditën tënde e sidomos për jetën në aspektin afatgjatë. Më poshtë do ndaj me ju disa nga përfitimet që më kanë   ndryshuar përditshmërinë pas kësaj rutine të re:   1.   Zgjimi më i hershëm. Nisja e ditës në më herët të bën të marrësh gjithçcka më me nge. Ky zgjim më i ngadaltë pa patur frikën se po bëhesh von...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *