Skip to main content

Albatrosit dhe lirisë që vjen me të



Veçse një lexuese besnike, e cila e ndjek me kërshëri dhe vëmëndje çdo nismë të një prej autorëve të saj më të dashur, lumturohem sa herë me Albatrosim këmbej ndonjë mendim. Pas një sërë librash të botuar për ata që jetën e zhveshin nga paragjykimet, gënjeshtrat, kotësitë dhe stisjet, pas rikthimit në jetën publike me librin e tij më personal ‘’Kthimi’’, Rexhaj zgjoi dy projekte krijuese të reja, inovative dhe premtuese.

Sa e shpeshtë është ndërthurja e fotografisë artistike me copëza letrare, në një atmosferë të qëndisur për t’iu përshtatur në mënyrën më të këndshme fjalëve që burojnë afër zemrës?
Qysh në fëmijëri jam lidhur me idenë e të paturit ditar, duke zhvilluar kështu një traditë vetjake të këndshme për ndërtimin e kështjellës së kujtimeve të mia, forcimit të marrëdhënies me vetveten e njëkohësisht të qënit e sinqërtë, pavarësisht gjithçkaje. Libri i parë që lexova prej Albatrosit ishte ‘’Ditar dashurie i një shkrimtari’, i cili mbetet i parapëlqyeri im duke ma marr një pjesë zemre,  një grumbull mendimesh e një grusht lotësh. Për të lidhur binomin ‘’ditar-Albatros’’, ekuivalent me ‘’rebel e i lirë’’ vërtetova se shpirti i artistit nuk shterron, e gjen gjithmonë gjuhën e tij për t’u përshfaqur pavarësisht formës.

Foto ditari publik i Albatrosit është kthyer në një hapësirë reflektuese, ku përmes vizives dhe magjisë së fjalës siç vetëm ai di, të bën të kredhesh në mendime, të reflektosh mbi gjithfarë vendimi madhor a vogëlsie, të dashurosh të bukurën, të mos ngopesh duke parë feksjen e dritës, teksa lutesh që fjalitë të mos përfundonin aty.

Nga ana tjetër, sa e zakontë është për lexuesin shqiptarë, që veçse një shkrimtar e një artist poliedrik, të zbulojë një mik, nëpër fjalët e të cilit ngushëllohet shpirti, prehet dhe rigjen shpresën për të nisur një ditë të re. Zëri i Albatrosit, nëpërmjet podcastit të tij Filozofia Urbane, për mijëra dëgjues u shëndrrua në mikun këshillues të rrugëve të vetmuara, në shiun e pabesë të verës e vapën përvëlese të saj. Për më tepër, mënyra e thjeshtë, e pakoklavitur, me të cilat trajton çështje jetësore, që na ngatërrohen nëpër përditshmëri, përnjëherësh të rikthen në gjendje të ngrohtë, duke menduar se diku, një mik i largët po aq sa i afërt të kupton e të gjendet pranë nëpërmjet fjalës së tij.

Ju sugjeroj të dëgjoni episode e Filozofia Urbane e njëkohësisht të ndiqni hap pas hapi Albatrosin në foto ditarin e tij të pazakontë. Diç do ndryshojë brenda jush!

Të gjithë librat e tij mund t’i lexoni online në www.albatrosrexhaj.com.

Rilexohemi së shpejt,
©RE

*Ky artikull nuk lejohet të ribotohet pa lejen e autores. 


Kontaktoni: njetuferrezeshneperre@gmail.com

Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Leximi i mëngjesit, aktiviteti i parë i një dite të mbarë

Të lexuarit është pjesë e rutinës sime të përditshme qysh prej vegjëlisë së hershme, atëherë kur gjyshërit e prindërit lexonin për të më dëfryer. Gjatë gjithë këtyre viteve, rutina e leximit ka qënë më së shumti e përqëndruar gjatë mbrëmjes, para se të shkoja për të fjetur e dukej se më shërbente si një ëndërr-prurës magjik. Kohët e fundit kam nisur të eksperimentoj me një metodë të re leximi të cilën dua ta ndaj me ju. Kjo metodë lidhet pikërisht me nisjen e ditës duke lexuar. Pra, imagjino që veprimi i parë me të cilën nis ditën sapo zgjohesh është të lexuarit. Ky 30-45 minutësh i zgjimit më të hershëm dhe përqëndrimi në një libër sjell dhjetra përfitime për ditën tënde e sidomos për jetën në aspektin afatgjatë. Më poshtë do ndaj me ju disa nga përfitimet që më kanë   ndryshuar përditshmërinë pas kësaj rutine të re:   1.   Zgjimi më i hershëm. Nisja e ditës në më herët të bën të marrësh gjithçcka më me nge. Ky zgjim më i ngadaltë pa patur frikën se po bëhesh von...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *