Skip to main content

"Deri në frymën e fundit", fjalorthi zbërthyes i të rriturit prej prapaskenave të vegjëlisë

 

Ndër leximet e mia të fundit është një autore suedeze, libri i së cilës më ra rastësisht ndër duar. Letërsinë nordike e njoh pak, ndaj kureshtja për të zbuluar më tepër për të sidomos në këndvështrimin e një shkrimtareje bashkëkohore ngjalli shpejt interes tek unë. Libri “Deri në frymën e fundit” i Anne Sward është një histori e veçantë, e cila më rikthen në leximin e librave më një nga temat e mia të parapëlqyera, fëmijërinë dhe ndikimin e saj në formimin e personalitetit të individit.

Historia zhvillohet në Suedinë e viteve ‘60, brenda një familje të madhe emigrantësh, ku mbizotëron një dashuri e paqtë për secilin pjestar. Foshnjëza që vjen në jetë, shkurtimisht e quajtur Lo është dhurata e bukur të cilën të gjithë të rriturit mezi e presin. Lo rritet me shumë përkujdesje e dashuri nga prindërit, gjyshërit e të afërmit, aq shumë saqë nganjëherë e ëma e shfaq këtë si shqetësim që mund t’i hapi telashe më vonë.

Kjo lloj përkundesje dhe dashurie e bën atë të ëmbël, të çiltër, por të vetmuar mes gjithë të rriturve teksa nuk gjen një moshatar për t’u miqësuar. Shtëpia e tyre e madhe në periferi është gjithçka që mund të duhet për të rritur një fëmijë të lumtur pranë natyrës. Megjithatë gjithë jeta e saj e zakontë prej gjashtë vjeçcare merr një kthesë tjetër kur në një mbrëmje të frkshme troket Lukas. Lukas është rreth të trembëdhjetave dhe dy të vegjëlit hyjnë në jetët e njëri-tjetrit gjatë frikës dhe tmerrit që kaplon gjithë fshatin prej rënies së një zjarri të pazakontë.

Miqësia e tyre nuk ngjan aspak si e çdo dysheje fëmijësh të tjerë, pikërisht sepse mënyra e rritjes së tyre nuk është e ngjashme. Lukas, një tjetër fëmijë i ardhur prej një familje emigrantësh, ndryshe nga Lo, dashurinë e të atit nuk e ndjen kurrë. Edhe pse më i rritur se ajo, Lo arrin t’i ofrojë ngrohtësinë e një familje të vërtetë, me pafajsinë, dëlirësinë dhe naivitetin që i përfshin të dy ata. Shtëpia e braktisur e peshkatarëve në mes të pyllit është arratisja e tyre e ëmbël, vendi ku zbulohen librat më të bukur, ku kredhen në lexim, në hulumtimin e natyrës, në ecejaket e bukura mes pyllit, pllaquritjet në liqen e në zbulimin e vetvetes teksa të dy rriten.

Gjithçka merr një rrjedhë tjetër në ditëlindjen e pesëmbëdhjetë të Lo-së, teksa ajo gjendet mes qiellit e tokës dhe plot dyshime për Lukasin,marrëdhënien e tyre unike dhe të ardhmen e saj.

Ky libër rrëfehet nga vetë Lo dhe gjatë të gjithë rrugëtimit narrativ haset sinqeriteti, pasiguritë dhe pyetjet që i çukisin mendjen. Herë duket si një rrëfim i plotë, e herë të tjera sikur ngec prej frikës së saj për të thënë gjithçka ose thjeshtë prej të qënit vocërrak. Në thelb, ngjarjet tregojnë dhe një herë rëndësinë e një fëmijërie të jetuar në mënyrën e duhur dhe të balancuar. Pavarësisht gjithë dashurisë familjare, Lo gjente veten në shtëpinë e harruar në pyll, pranë Lukas dhe botës së tyre të përbashkët, të ndërtuar me ëndërrime. Ajo çka mbetet nga kjo marrëdhënie pasi të dy rriten dhe pësohet një krisje pak e shpjeguar prej Lo-së është një ndjenjë jopërmbushmërie. Lo ndihet gjithnjë një gjysmë, prej faktit që në marrëdhien e tyre asgjë nuk u tha kurrë shkoqur, prej paragjykimeve të të rriturëve, pengesave që ata krijonin dhe frikës se diku po gabonin në miqësinë e tyre.

Ky roman veçse i veçantë e i këndshëm, mendoj se mbart mesazhe të rëndësishme rreth mirërritjes së fëmijëve. Nganjëherë prindërit duke u munduar t’i mbrojnë fëmijët i ngurtësojnë, i mbyllin e ndalojnë të jenë të lirë duke u bërë më vonë përgjegjës për të rritur të pazotë të njohin mirë veten, të paguximshëm për të shprehur ndjenjat e tyre dhe të paaftë për të marrë në dorë jetët e tyre.

Mendoj se ky libër duhet të lexohet nga prindërit për t’i rikujtuar rëndësinë e lirisë edhe te më të vegjlit. Ky roman i shkruar bukur shërben për të kuptuar se kontrolli dhe ndjenja e posesivititetit ndaj fëmijëve nuk është asnjëherë e shëndosh, nëse fëmijën e shndërron në të ndrydhur dhe të padeshifrueshëm edhe nga vetë prindërit e tij.

Së dyti, libri ka element të këndshëm, të cilët më kujtojnë realizmin magjik. Përshkrimet e miqësisë së Lukas dhe Lo-së janë aq të gjalla e të bukura saqë do doje mos të përfundonin kurrë.

Së treti, libri është një ndërthurje realitetesh të cilat duken të largëta, por zemra e historive është e prekshme nga të gjithë ne në përditshmëri. Të tillë libra ndihmojnë edhe në emancipimin dhe zhvillimin e mentalitetit të shoqërisë.

Në përfundim do të thoja se ky libër do jetë ideali për t’u shijuar brenda një fundjave. Historia do ju bëjë të mos e lëshoni derisa ta përfundoni e përveç kësaj gjatë ditës së nesërme të përfundimit me siguri do e gjeni veten duke përfunduar punët e përditshme, por në të vertëtë duke reflektuar mbi librin, mesazhet e saj dhe delikatesën me të cilën duhet të rriten fëmijët.


Ju ftoj në leximin e “Deri në frymën e fundit”!

 

Lexohemi shpejt,

©RE


*Ky artikull nuk lejohet të ribotohet pa lejen e autores. 
Kontaktoni: njetuferrezeshneperre@gmail.com

Comments

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *