Skip to main content

"Fundi i gjithë ligësive", lirisë, njeriut dhe dashurisë për jetën



Ditët e fundit jemi përballur me kërcënime dërguar prej ligësisë, lufta e përhershme e të mirës ndaj të keqës, e terrorit ndaj paqes, e dashurisë ndaj gënjeshtrës, interesave më të koklavitur sesa ato qesharaket që paraqiten etj. Unë, me siguri njësoj si të gjithë ju nuk jemi të frikësuar nga e liga, nga çmenduria, injoranca, pabesia e nga asnjë i pamend që kushedi ç’i thotë mendja e kërkon të mbjell vdekjen në emër të terrorizmit.

Ekzaktësisht një vit më parë falë një miku që çmon shumë lirinë, drejtësinë e paqen më ra në duar një thesar i vyer, të cilin do doja ta kisha lexuar shumë vite më parë, libri “ Fundi i të gjitha ligësive” shkruar nga Jeremy Locke. Ky libër nuk është ende i përkthyer në shqip e me titullin origjinal do mundeni ta gjeni si “ The End Of All Evil”.
 
Për herë të parë dua ta nis nga fundi. Mesazhi më i madh i këtij libri është se vlera e njeriut është e pafund e çdo ide, akt, mendim, rregull, propagand, burokraci a sistem politik që mundohet t’i vendos një vlerë të ndryshme nga infiniti në thelb është veçse një ligësi.
Me fjalë të thjeshta, fjali të shkurtra, shumë pozitivitet e realizëm, në rreshtat e këtij libri mund të lexosh përshkrimin më të bukur të lirisë duke të zgjuar një shqisë të gjashtë alarmi në jetën tënde të përditshme për të dedektuar e ndaluar edhe shkeljen më të vogël të lirisë tënde.

Libri përbëhet nga nëntë kapituj të organizuar në mënyrë të përsosur për të të bërë ty të kuptosh të vërtetën në mënyrën më të thjeshtë në botë. Më shumë se një libër, këtë do ta quaja një instruksion mbi liberalizmin, që të mëson shumë më tepër se librat voluminoz politik, të cilët nganjëherë  ngatërrohen aq shumë për lexuesin e thjeshtë sa bëhen ta pakuptueshëm. Këtë libër do ia dhuroja çdo njeriu pa e diferencuar nga arsimimi, mosha, mënyra e rritjes, profesioni e çdo kategorizimi që shoqëria ka vendosur, sepse ky është një libër për shpirtin njerëzor; për fuqinë e tij të bukur me të cilin arrihen mrekullira; për inteligjencën e tij të admirueshme dhuruar nga Zoti; për paçmueshmërinë e vlerës së secilit prej nesh e për dashurinë ndaj lirisë e jetës.

Veçantia e këtij libri qëndron te thjeshtësia e tij dhe fakti që të bën të kuptosh se secili prej nesh ka lindur për të ndjerë lirinë, për të ushtruar vullnetin e tij e për të mos pranuar cënimin e saj. Të kuptuarit të lirisë nga ana e autoritetit, kulturës, demokracisë, ekonomisë  dhe Tokës, në fakt është një fotografi e madhe, e parë nga larg për kuptimin e vërtetë të jetës, rëndësinë e saj e për të mirëkuptuar botën e shoqërinë në të gjitha dimensionet e saj.

Pas leximit të këtij libri do luftosh më shumë për lirinë tënde në çdo sekond të jetës; do kuptosh ku të tolerosh e ku të thuash NDAL; do identifikosh thjeshtësisht mënyrat e cënimit të lirisë nga shoqëria; do i japësh rëndësinë që i takon sovranitetit; do qeshësh çdo ditë e më shume me politikën shqiptare e përkthimin që ajo i jep shtetit, lirisë e sovranitetit me lojën e saj të admirueshme teatrale; do vendosësh vetë për moralin tënd; do kuptosh sa i vyer është besimi, sa i veçantë je TI e sa gjëra të paçmueshme i fal çdo ditë kësaj bote.

Ky libër të kthen në gjërat minimaliste, të kujton se liria është e paçmim, e pakorruptueshme, e pamanipulueshme dhe sekreti i respektimit të saj qëndron në marrëdhënine me vërtetësinë.

Me pak fjalë dua të rendis arsyet pse duhet të lësh menjanë gjithçka për të lexuar  “ Fundin e të gjithë ligësive”:
Së pari, në një situatë kaq të tensionuar globale kuptojmë çdo ditë e më shumë rëndësië e lirisë, ku qëndrojmë ne në këtë çështje e çfarë hapi duhet të ndërmarr secili prej nesh në luftën kundër ligësisë.

Së dyti, ky libër vërtetë që të zgjon nga opiumi i politikës, që është dehes e gjumëdhënës në çdo kohë, e për çdokënd pavarësisht nivelit të vetëdijes e vetëkontrollit.

Së treti, ky libër mund të kontribuojë në përmirësimin e formësimit të disa temave të caktuara me të cilat mund të kesh ndeshur  vështirësi në të kuptuarit të tyre më parë.

Në përfundim do thoja se ky libër është dhuratë që u bëhet atyre që do më fort e mua më ka humbur numri sa shumë të tjerëve ua kam sugjeruar këtë libër. Nëse ke nevojë për të kujtuar se cili je, pse ke ardhur në këtë botë e sa shume gjëra mund të lesh pas me veprat e tua te mrekullueshme, kushtoi vëmëndjen tënde këtij libri.

Ju ftoj në leximin e “Fundi i të gjithë ligësive”!

Lexohemi shpejt,

©RE


*Ky artikull nuk lejohet të ribotohet pa lejen e autores. 
Kontaktoni: njetuferrezeshneperre@gmail.com
 

Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Leximi i mëngjesit, aktiviteti i parë i një dite të mbarë

Të lexuarit është pjesë e rutinës sime të përditshme qysh prej vegjëlisë së hershme, atëherë kur gjyshërit e prindërit lexonin për të më dëfryer. Gjatë gjithë këtyre viteve, rutina e leximit ka qënë më së shumti e përqëndruar gjatë mbrëmjes, para se të shkoja për të fjetur e dukej se më shërbente si një ëndërr-prurës magjik. Kohët e fundit kam nisur të eksperimentoj me një metodë të re leximi të cilën dua ta ndaj me ju. Kjo metodë lidhet pikërisht me nisjen e ditës duke lexuar. Pra, imagjino që veprimi i parë me të cilën nis ditën sapo zgjohesh është të lexuarit. Ky 30-45 minutësh i zgjimit më të hershëm dhe përqëndrimi në një libër sjell dhjetra përfitime për ditën tënde e sidomos për jetën në aspektin afatgjatë. Më poshtë do ndaj me ju disa nga përfitimet që më kanë   ndryshuar përditshmërinë pas kësaj rutine të re:   1.   Zgjimi më i hershëm. Nisja e ditës në më herët të bën të marrësh gjithçcka më me nge. Ky zgjim më i ngadaltë pa patur frikën se po bëhesh von...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *