Skip to main content

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës




Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është  hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut.
‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’.

Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e cimbiste edhe kuriozitetin e doktorit për të hyrë atje e për të mësuar dicka më shumë. Pas disa ditësh u takua me avokatin e Madame de Merret, i cili ishte i autorizuar për të ruajtur shtepinë e për ta mbrojtur nga sytë kureshtarë e të panjohurit, pas vdekjes së saj.



Ky misticizëm dhe proteksion e rritën edhe më shumë kërshërinë e tij e për këtë arsye kërkoi të zbulonte historinë. Doktori mësoi se Madam de Merret kishte qënë një grua e sërës së lartë, por jetonte në një martesë të palumture. Ajo kishte gjetur një rreze dielli te një dashuri e krijuar rishtazi me një spanjoll, e cila ishte pikasur në mënyrë flagrante nga i shoqi. Për t’i shpëtuar turpit, Madam de Merret kishte genjyer duke u betuar mbi një kryq, por bashkëshorti I saj kërkonte me doemos të muroste dollapin nga i cili kishte dëgjuar zhurmën e spanjollit, që Madame de Merret e kishte fshehur me shpejtësi. Natyrisht, muratori mbërriti dhe në përpjekjet e largimit të spanjollit pa u vërejtur prej të shoqit, Madam de Merret hasi shikimin depërtues të tij, shikim i cili nuk e la të qetë për shumë gjatë. Ky incident tepër i papëlqyeshëm bëri që ajo ta konsideronte këtë shtëpi si misterioze e të vendoste ta linte të braktisur edhe pas vdekjes.



Ky libër është një margaritar jo vetëm për pushimet e verës, por përgjatë gjithë vitit. Stili realist, i hollësishëm e i mrekullueshëm i Balzakut e përkthimi  i këndshëm i Klio Evangjelit, të rikthejnë në botën franceze në mënyrën më të bukur. Historia njerëzore, e cila përfshin dashurinë, tradhëtinë, egoizmin, pendimin, misterin e të panjohurën bën që mos t’i ndahesh librit deri në fjalinë e fundit.
Fatkeqësisht, ky është një tregim i shkurtër , por mund të ishte shumë mirë një roman i hollësishëm,  i bukur e i gjatë.



Ju ftoj në leximin e ‘’Shtëpia misterioze’’, librit, të cilin nuk do e lëshoni nga dora deri në përfundim.

Rilexohemi javën e ardhshme,
©RE




Comments

Popular posts from this blog

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Vargjet e lira dhe mesazhet e Migjenit

Në letersinë shqipe, kur në mendje na vijnë vargjet e lira dhe një ndryshim rrënjësor i formës dhe përmbajtjes të zakontë të poezive, menjëherë na kujtohet Migjeni dhe vargjet e tij të lira. Poezitë e tij janë një paraqitje e zhveshur e realitetit të dhimbshëm, e botës së harruar, e problemeve ekzistencialiste dhe e fenomeneve të cilat dukeshin të rëndomta dhe nuk fliteshin në letërsi, me mendimin se Shqipëria kishte nevojë për patriotizëm dhe atdhedashuri për të ngritur në piedestal frymën atdhetare, përpara problemeve të rënda të përditshmërisë. Vargjet e lira të Migjenit hodhën poshtë të gjitha kufijtë, barrierat dhe klishet. Forma e tyre ishte e crregullt, e lirë dhe e pakufizuar nga kanone të paracaktuar, rimë apo ritëm i brendshëm. Më e lirë akoma ishte përmbajtja, e cila u kthye në himn për kryengritjen kunder varfërisë, padrejtësisë, urisë dhe dhimbjes njerëzore. Vepra ndahet në disa pjesë: Së pari,  Këngët e pakëndueme , të cilat shfaqin një rebelizem t...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *