Skip to main content

Simfonia e stinëve


I nxehti kishte pushtuar gjithcka dhe e vetmja mënyrë për të gjetur freskinë e munguar gjatë një dite pervëluese korriku ishte të zhytesha në sytë e tu. Ata vezullonin si një qelq i pastër, i cili bërtiste brishtësi. Aty, mes teje, vëreja një det të thellë, ngjyrë safiri blu, me ca dallgë te lehta si përkëdhelja e flladit ndaj sipërfaqeses së pasqyrueshme të tij. Ndjeja aromën e ashpër të detit e shijen e ujit të kripur, stërkalat e pikëzave dhe rrezatimin e pakursyer të diellit, i cili mbretëronte gjithë qiellin kaltërosh.

Sërisht aty, përjetoja rikthimin në kohë, kur në muzgun e vonë, në qiellin e brutë ku sapo ishte shfaqur hija e lehtë e hënës elegante e lojcake, prehnim trupat poshtë pëmes së qershis, shuanim afshin përvëlues që sillte mbrëmja e mes verës dhe sytë na perëndonin teksa dëgjonim këngën e gjinkallave dhe gumëzhimat e insekteve.

Teksa binte nata, nëpër syte e tu më shfaqeshin konstelacionet më të magjishme, meteorët e rënë dhe dëshirat e thëna me mendje që ishin: ''VETEM TI.'', sepse ti gjendeshe atë verë në zemër të të gjitha ëndrrave të mia.

Koha ecen, fluturon me nxitim dhe kështu bën dhe lumturia. Ajo nis të zbehet me ngadalë derisa arrin të cbëhet e të zhduket, sikur të mos kishte ekzistuar asnjeherë, e ne sikur mos ta kishim përjetuar kurrë. Disfata e vjeshtës erdhi papandehur dhe atë e kuptova vetëm nga sytë e tu, qe flisnin më shume se mijëra fjalë. Mes vezullimeve që percillnin kristalet e lotëve, ndjeva trishtim teksa ecja drejt një pylli, të pushtuar nga vjeshta, me shpirt të ngrysur, gjethe të arta dhe hapat e mi qe tërhiqnin vëmendje prej kalbësisë së tyre dhe tingujve krakullitës. 
Koha e lagësht dhe rrëkeja e syve të tu që ngatërrohej nëpër flokët e mi, më bënin të ndjeja zëvëndësimin e aureolës time me një kurorë fatkeqi.

Pemët e zhveshura, ma vishnin shpirtin me dhimbje. Ikja e zogjve më therrte më pak se largimi yt. Degët e vetmuara ngjanin me mua dhe tingulli i eres e pikëlimat e shiut ushtonin në sytë e tu braktisje, humbje, melankoli.

Përshtjellimi i trishtë i vjeshtës është parapërgatitje për acarin e shpirtit. Në dimër nuk i pashë më kurrë sytë e tu. Rishtazi, e lashë veten në letargji, mes vetmisë, ngricës dhe të ftohtit. Era ulëritëse përplasej nëpër xhama dhe unë i strukesha edhe më thellë ngrohtesisë së shtepisë sime edhe pse ne shpirtin tim, malli për ty bënte të binin flokë të mëdha dëbore. As ngrohtësia e oxhakut dhe as flaka e tij e kuqe  nuk e ndalonin stuhinë e kujtimeve qe derrmonin cdo dite ajsbergun e madh të krijuar nga mënjania.
Stalaktitet dhe stalagmitet ishin i vetmi art që buronte në cepat e çative, e në qoshkën e ndjenjave te mia.

Unë iu largova botës, përqafova letargjinë sepse pa ty dielli ishte i ftohtë akull, i errët skëterr dhe i varfër skamje.

Ama ngrohtësia e pranverës shkriu borën brenda meje. Nisa të ndjeja se nuk më duhej më te zhytesha thellë nëpër sytë e tu për të rigjetur shpresën. Hijeshia e natyrës, cicërima e bukur e zogjve, tingujt e zgjimit të natyrës, përplasja e krahëve të zogjëve që u kthyen përsëri dhe lulëzimi i gjithfare lulesh e kundërmimi i aromave të tyre, e largoi cdo grimcë dhimbje. Më në fund nisa të dihas qetësisht.

Ndeja sesi shkrija nëpërmjet buzeqeshjeve të mia cdo grimcë akulli që mbeti prej largimit tënd. Asnjë dhimbje nuk zgjat përjetë, dielli lindi përsëri dhe unë nga e para do nis pranverën time.

©RE


Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Katër shkrimtarët që behen pjesë e bibliotekës sime me çdo botim

Librat janë si miqtë që nuk të braktisin as kur je gati të arratisesh prej gjithë botës. Nëpërmjet një magjie pak të shpjeguar ato ndërhyjnë në gjak e deje për të të mbushur me energjinë e pashterrshme të miliona jetëve të tjera. Unë jam e mendimit se shpenzimet në blerjen e librave nuk janë kurrë të shkuara dëm, pavarësisht se çfarë parapëlqen secili lexues. Gjithashtu, jam skeptike për të përcaktuar “libra të mirë” e “libra të këqinj”, siç rëndomtë dëgjojmë këtu-atje të flitet. Megjithatë, pavarësisht se librat para se t’i mbështjell me ngrohtësinë e bibliotekës sime i studioj me kujdes prej pasionit tim fanatik, sot dua të ndaj me ju disa shkrimtarë, librat e të cilëve i blej pa u menduar dy herë. Në gjuhën e libërdashësve (mos u habit, ne kemi gjuhën tonë), termi i autorëve që i blen në çdo botim të ri të tyre konsiderohet “ shkrimtarët auto- të blerë”.   Në këtë listë vendosa të përfshij dy autor shqiptare e dy të letrave botërore, të gjithë klasik të g...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *