Skip to main content

Gjashtë librat që nuk duhet të mungojnë në bibliotekën e fëmijëve




Kjo javë nisi me një risi të ëmbel dhe të bukur sic vogëlushët janë. Programi më i ri në televizionet shqiptare ''Nën kurthin e Piter Pan'' nën drejtimin e Alketa Vejsiut dhe kujdesin e vecantë të Vera Grabockës, jo vetem qe përbëri një nga lajmet me të mirëpritura dhe interesante të fillim javës, por frymëzoi ''Një tufë rrezesh nëpër RE'' të dedikonte këtë të shtunë një artikull mbi letërsinë e fëmijëve.

Vogëlushët janë thesari më i cmuar i familjes dhe kujdesi për librat të cilet ata duhet të lexojnë është i vecante nga të gjithë të rriturit që i dedikojnë kohë mirërritjes së tyre. Librat e rinj për fëmije, më shumë të përkthyer e tek- tuk të shkruar rishtazi prej autorëve shqiptar duket se pushtojnë raftet e bibliotekave. Letërsia bashkëkohore ka vlerat e saj për vetë  natyralitetin me të cilin i bën fëmijët të zhyten në botën e tyre, por sot dëshiroj t'ju kujtoj gjashtë libra të cilët i kemi adhuruar të gjithë gjatë vegjëlisë sonë, si një tringëllimë për kujtesën që mos të harrojmë t'ia prezantojmë të vegjëlve të familjeve tona.



Së pari, një nga librat që thërret sinqeritet fëminor dhe mban aromën e një morie lojërash dhe ngjarjesh argëtuese, të cilat të zgjojnë kërshërinë e të bëjnë të lodrosh nëpër to është ‘’Aventurat e Tom Sojerit’’ nga Mark Twain. Ky është një nga librat më të lexuar të letersisë së fëmijëve dhe i parapelqyeri jo vetëm i të gjithë fëmijëve që do e lexojnë, por edhe i të rriturve të cilët me siguri brenda vetes dëshirojnë t’i rikthehen këtij libri e ta rrëmbejnë edhe një herë si të ishin ende të vegjël. Tom Sojeri është heroi i fantazisë së cdo të vogli, i cili në kohët tona për fat të keq shpenzon më shumë kohë mes argetuesëve elektronik e më pak kohë në rrëmujën dhe bukurinë e natyrës si vetë Tomi. Tomi ka aftesinë të bëhet një mik i ngushtë, i cili me naivitetin e një fëmije dhe capkënllëqet e tij rrëfen lojërat, argëtimet, prapësirat dhe ëndrrat e një fëmije të mencur dhe gazmor.

Së dyti, një roman i cili i mëson femijët mbi rëndësinë e të qënit zemërgjerë, bujar dhe të dhuruarin e mirësisë prej thellësisë së zemrës.''Heidi'' u botua për herë të parë më 1881 nga autorja zviceriane Johanna Sypri. Historia e Heidit, vajzës që me miqësine e saj, dashurinë dhe përkujdesjen shëroi Klaren, miken e saj, jep mesazhin e jashtëzakonshëm se miqësia e vërtetë është një dhuratë e vyer në jetën tonë. Fëmijët mund ta kenë parë këtë histori të përshatur në një film vizatimor, por libri mbetet një tjetër magji.

Së treti, një nga autorët më të mirë shqiptar dhe më të dashur nga të rriturit, i cili në krijimtarinë e tij të mrekullueshme i ka kushtuar një hapësirë dhe të vegjëlve. Romani ‘’Shpella e Piratëve’’ nga Petro Marko është një libër që zgjon tek fëmijët shpirtin e aventurës. Një përshkrim magjepsës, një histori mbërthyese dhe një nga ata libra, historia e të cilit do i mësojë fëmijët më shumë nga arkeologjia dhe historia shqiptare.  Ky është një libër që nuk duhet t’i shpëtojë as leximeve të të rriturve të cileve nuk i ka rënë në dorë kur ishin ende të vegjël. Petro Marko mrekullon të vegjël e të mëdhenj!

Së katërti, një roman për fëmijë, i cili do të pasurojë botën emocionale dhe shpirtërore të fëmijëve është ‘’Princesha e vogel’’ shkruar nga Frances H. Burnett. Ky liber fsheh brenda vetes një histori rrënqethëse, e cila prek emocionet njerëzore, i bën fëmijët më të ndjeshëm dhe jep mesazhin më kuptimplotë rreth të cilit duhet të rrotullohet bota: Të shohim përtej vetes sonë. Ky është një roman, i cili lë kujtime dhe mesazhe të forta për gjithë jetën. Një libër për të mos u humbur kurrsesi.

Së pesti, si mund të mungonte një liber me karakter legjendar, i cili zgjon interesin mbi historinë, botën e legjendave dhe ndihmon në pasurimin e fantazisë së fëmijëve? Libri ‘’Kalorësit e tryezës së rrumbullakët’’ i përshtatur për fëmijë dhe i shqipëruar mjeshtërisht nga Nasi Lera është një nga librat për të cilët fëmijët do t’ju jenë mirënjohës pasi të rriten. Ky është një libër,i cili të pushton me magjinë dhe madhështinë e tij dhe ndihmon në pasurimin e dijeve të të voglit mbi legjendat dhe historinë.

Së fundi por jo nga rëndësia, kësaj liste e cila mund të zgjaste pambarimisht nuk mund të mos i shtoja një tjetër autor shqiptar, Mitrush Kutelin dhe librin ‘’Tregime të mocme shqiptare’’. Ky është një nga ata libra, të cilët nga dashuria me të cilën lexohen fëmijët i përfundojnë me një frymë. Gjuha e bukur e Kutelit, përshtatja e jashtëzakonshme e tregimeve të trashëguar prej vitesh e vitesh me rradhë dhe kujdesi me të cilin e ka trajtuar këtë pjesë të letërsisë shqipe, e cila mund të përbëjë një nga më të rëndësishmet ethemeleve të letersisë sonë është e adhurureshme. Këto tregime mund të lexohen në organizimin e një klubi të vogël libri mes familjarësh dhe gjithë atmosfera e të lexuarit bëhet edhe më argëtuese dhe interesante.

Në përfundim, dëshiroj të theksoj se këto janë një pjesë tepër e vogël e sygjerimeve mbi librat e vogëlushëve. Megjithatë mendoj se do të shërbejnë si një kujtesë jo vetëm për fëmijërinë tonë, por dhe si propozime për titujt e rradhës ne duartë e vogëlushëve.

Lexohemi të shtunën e ardhshme,

©RE


Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Gjashtë faqe ku mund të lexoni libra në internet

Në #njetuferrezeshneperre flasim cdo javë për librat, të mirat që leximi sjell në jetët tona dhe sugjerime mbi letersinë që vërtetë vlen të lexohet. Këtë javë mendova të prezantojmë së bashku një tjetër   temë interesante e cila lidhet me të lexuarin dhe mendoj se do t'i vijë në ndihmë cdo liber-dashësi. Përditshmëria jonë është e vrullshme, e ngarkuar me punë dhe përgjegjësi dhe këto janë disa nga justifikimet që përmendim për të shfajsuar veten pse nuk kemi rrëmbyer kohët e fundit një libër në duar. Meqënëse dita jonë është e lidhur ngushtësisht me teknologjinë dhe botën e internetit konsiderova si temë tepër interesante për këdo që do të lexojë   në internet. Librat përcjellin vlerë të jashtëzakonshme, por njëkohësisht ato janë kthyer në një biznes të mirëfilltë, prandaj pirateria dhe leximi i librave papagesë në internet është gati i pamundur. Megjithatë pas një hulumtimi të gjatë, më poshte do ju prezantojmë me disa nga faqet ku  mund të lexoni libra të buku...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *