Skip to main content

Letra e panisur


Negativi bardhezi, i vetmi kujtim që ruaj prej teje më bën të mendoj se ngjaj shumë me ty. Unë jam njësoj si ti. Flokët e shëndritshëm, sy shprehës, faqe të kuqta dhe duar të hollë.

Biseda me yjet përfundonte cdo mbremje tek ty. I lutesha të të shihja vetëm një herë,se herën e fundit s'të vështrova dot kurrë. Më le në ëndërrime ëngjëjsh, brenda  një lëkundëse  të pastër, por të ftohtë, tepër të ftohtë pa dashurinë tënde. E ule kanistrën në cimenton, para derës së hirtë të shtepizës që kurrë nuk u bë e imja dhe rende pas jetës tënde, sikur unë të mos kisha lindur kurrë, sikur mos të kisha marr jetë nga ty, e sikur mos të ishim bërë të pandara për muaj me rradhë ku cdo enë gjaku e tendinë nervore bashkonte trupat e zemrat tona. Unë perjetova shumë magji prej teje.Unë pashë dritën e ngrohtë e të ëmbël të diellit prej teje, por kurrë nuk mu vanitën nga sytë lotët e fëmijës së strukur në kërkim të nënës, në kërkim të kurrkujt.

Unë nuk kujtoj asgjë. Asnjë tingull i zerit tënd s'më vjen ndërmend edhe pse e imagjinoj se duhet të jetë simfonia më e bukur e Beethoven , ajo që ai nuk e shkroi dot. Nanurisjet që krijoje për mua i imagjinoj si shpëtimi im nga bota e qaramanëve, por unë isha foshnjë e të vëgjëlit qajnë shumë.Mbase nuk ishte kjo arsyeja e largimit tënd. Me siguri nuk ka qënë kjo.

Unë nuk e kujtoj aspak aromën tënde kur më mbështillje në gjoksin tënd e më bëje të prehesha e qetë, pa frikë, t'i harroja dhimbjet e zakonta të barkut e të mos kujtohesha se kisha uri. Uria nuk vjen nga mungsa e ushqimit, por nga ajo e dashurisë. Une sot jam e uritur, e babëzitur për t'u hedhur në krahët e tu, për të vendosur kokën në prehrin tënd, për të ndjerë përkëdheljen e kokës teksa unë qaj papushim dhe e uritur për të puthur duart e tua të bardha, me gishta të gjatë e elegante. Jam e uritur për të thirrur fjalën që s'më bën goja as ta përshperis, jam e uritur për t'u verbuar nga hijëshia jote, jam e uritur për të dhuruar kurora për ty me gjithë lulet e botës e të zbukuroj flokët e artë e të gjatë.
Jam e dëshpëruar ma, vërtitem, endem, rend në një bosh, i cili kurrë nuk do mbushet pa praninë tënde. Rritja në një botë e vetme, ku më shumë se për cdo gjë kam nevojë të të prek ty, të të puth e të të  pyes: '' A nuk isha një fëmijë mjaftushëm i urtë e i bukur, prandaj u largove apo jo?''.

I tregoj cdo ditë yjeve për ty. I pyes njëmijëenjë pyetje në minutë, i kerkoj shpjegime, por ato tallen me mua. Nënqeshin nëpër dhëmbë dhe shkëlqejnë edhe më, sikur unë të jem duke thënë brockulla e sikur ti mos të kishe ekzistuar kurrë. Unë i mallkoj ma, sepse në lutjet me lot të cdo nate e të cdo mëngjesi, ato kurrë s'të sollën më pranë meje. Prej vitesh sytë e mi shohin vetëm nga rruga përtej pemës së kumbullës, qëndroj aty e të pres. Herë zë e qaj, herë vizatoj për ty, herë dëgjoj cicërimat e zogjëve dhe kërkoj ledhatimin e diellit. Dielli ma, vetëm ai më ledhaton lëkurën kur nis e qaj.

Një kujdestare më qortoi para disa orësh. Më tha se më lexohej në sy që nuk doja prindër prandaj, askush nuk më ofron mua familje, prandaj askush nuk mi hedh sytë. Unë nuk bëzova, ajo kishte të drejtë. Unë nuk kërkoj një nënë të re, unë kërkoj nënën që rrjedh brenda dejeve të mi. Unë të kërkoj ty, prandaj po të shkruaj, por nuk kam asnjë adresë ndaj kjo do mbesi një letër e panisur, si mijëra të tjerat të stivuara në sirtarin e dytë të komosë krah shtratit...

©RE

Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Katër shkrimtarët që behen pjesë e bibliotekës sime me çdo botim

Librat janë si miqtë që nuk të braktisin as kur je gati të arratisesh prej gjithë botës. Nëpërmjet një magjie pak të shpjeguar ato ndërhyjnë në gjak e deje për të të mbushur me energjinë e pashterrshme të miliona jetëve të tjera. Unë jam e mendimit se shpenzimet në blerjen e librave nuk janë kurrë të shkuara dëm, pavarësisht se çfarë parapëlqen secili lexues. Gjithashtu, jam skeptike për të përcaktuar “libra të mirë” e “libra të këqinj”, siç rëndomtë dëgjojmë këtu-atje të flitet. Megjithatë, pavarësisht se librat para se t’i mbështjell me ngrohtësinë e bibliotekës sime i studioj me kujdes prej pasionit tim fanatik, sot dua të ndaj me ju disa shkrimtarë, librat e të cilëve i blej pa u menduar dy herë. Në gjuhën e libërdashësve (mos u habit, ne kemi gjuhën tonë), termi i autorëve që i blen në çdo botim të ri të tyre konsiderohet “ shkrimtarët auto- të blerë”.   Në këtë listë vendosa të përfshij dy autor shqiptare e dy të letrave botërore, të gjithë klasik të g...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *