Skip to main content

Mes kryqëzimesh të Teodor Kekos




E shtuna troket shpejt, java kalon plot lodhje, punë, monotoni dhe pak kohë për veten, por një liber i mirë është shërimi i një jave të zakontë. Këtë fundjavë, në '''Një tufë rrezesh nëpër RE'' zgjodha një libër krejtësisht të ndryshëm nga ata, të cilët kam sygjeruar deri më tani.

Kjo javë është e vecantë sepse sjell një autor të papërsëritshëm, të dashur, të ndjeshëm e të afërt. Një autor i cili hyn në cdo rrahje zemre të lexuesit dhe jeton në të përjetësisht, Teodor Keko me përmbledhjen e poezive të zgjedhura ''Kryqëzim''.

Së pari, poezitë e tij kanë aftësinë unike të shfletojnë cdo fletë të shpirtit tuaj. Teodor Keko zhvesh me sinqeritetin, ciltërsinë dhe elegancën cdo petkë fshehëse të shpirtit, mendjes dhe fytyrës së vërtetë. Ai shkruan për njeriun dhe hyn me delikatesë deri në skutat më të errëta të mendimeve njerëzore, deri atje ku njeriu ka frikë të pranojë se mendon. Vargjet e tij përcjellin jetë, atë të vërtetën, me ciltërsi, buzëqeshje, dashuri, dhimbje,ndarje, vuajtje, rimëkembje, përpjekje deri në përpëlitje dhe fatalitetin e pashmagshëm njerëzor. Poezitë e tij janë burim frymëzimi, reflektimi dhe vërtetësia e tyre e kristaltë shërben si një ngushëllues përnjëherë.

Së dyti, poezitë e tij janë kaq transparente dhe të sinqerta saqë nuk do e ekzagjeroja aspak nëse do thoja se nëpërmjet tyre cdo lexues mund të njohi cdo fazë të jetes së Dorit, me përjetimet e tij origjinale, me ndjeshmërinë dhe shpirtin e tij të madh. Dori ka aftesinë magjike të arrijë të realizojë një katarsis të plotë të shpirtit tonë. Ai zhytet në përjetimet njerëzore dhe flet për to, si për dic të zakontë, trishtohet dhe buzeqesh sërisht. Shpresa në poezite e tij ndihet në cdo varg edhe kur përshkruan pamjen më pak të dashur që ka fituar njeriu sot, zemërngushtësinë, egoizmin, dhunën.

Së treti, ky libër është një përmbledhje e përsosur e poezive që përshtaten për cdo moshe, që nga të rinjtë ënderrimtar e deri te gjyshërit plot eksperienca të vlefshme jetësore, por me dëshirën e madhe për jetën, me dashurinë  e pakufijtë për të. Poezitë për dashuritë, herë të gëzueshme e herë të trishta janë një nga gurët e cmuar në thesarin e letërsisë shqipe. Figuracioni i tij letrar është mahnitës, leksiku i jashtëzakonshëm, metaforat dhe krahasimet që të krijojnë një ndjesi fluturimi në një udhëtim letrar magjik, të cilin vetëm Dori di ta dhurojë. Poezitë për jetën, mbi dëshirën e tij për të jetuar, mbi dashurinë për familjen, bashkëshorten, fëmijët japin ndjesi të papërshkrueshme me fjalë. Poezitë për vdekjen, për burrerinë me të cilën e priste atë, për luftën e tij deri në frymën e fundit, për një minutë më shumë dritë, për dashurinë.

Dori ishte një poet i rrallë, poezitë e të cilit prej artit, mrekullisë dhe muzikalitetit, jo më kot janë kthyer në hite të ajkës së muzikës shqiptare, këngë këto të kompozuara nga muzikantë të njohur, të suksesshëm dhe të denjë për magjinë e vargjeve të tij. Filozofinë e tij e përcjell në cdo poezi, mendimet e tij të thella, dashurinë e madhe për njerëzit, vetësakrifikimin e tij në poezitë  për dashurinë dhe shpirtin e tij të brishtë dhe të pastër, i cili  të bën të dashurohesh me të nëpërmjet penës së tij të artë në cdo gërshetim vargjesh.

Në përfundim, poezitë janë një shprehje intime e ndjesive njerëzore. Një poezi nuk  bën  transparent vetëm poetin, por bën të lexohet edhe shpirti i lexuesit. Nje poet i mirë arrin të krijoj këtë  lidhje dhe të vendosi një urë komunikimi mes tij dhe lexuesit vetëm nëpërmjet ndjenjave dhe kryqëzimesh të njëjta njerëzore në të cilat kalojnë të dy dhe Dori është poeti i cili pasi krijon këtë lidhje me lexuesin, asnjëri prej tyre nuk shkëputet më prej tij. Dashuria për poezitë e tij shtohet e shtohet dhe adhurimi për sinqeritetin dhe shpirtin e tij e ben Dorin të jetojë gjithmonë brenda zemrave tona, nëpërmjet artit.

Këtë javë nuk mund t’iu lë pa një poezi prej Dorit, me shpresën që pasi ta lexoni ju do vraponi për t’u zhytur mes poezive të tjera të tij.

Përqafimi
Po fryn një erë e ngrohtë nga jugu,
në park, ngadalë përkulen pemët,
si krahë të dridhshëm të dashuruarish
në përqafim ndërthurren degët.

Dhe mua më kujtohesh ti
e ngrohtë, e bukur si kjo erë,
me krahët lidhur pas trupit tim
për puthje etur dhe pamje mjerë.

Cfarë mrekullie do ish të vije
në sup symbyllur të rrije pranë,
dhe puthja jote, si dorë artisti
ta kthente gjoksin tim në kitarë.

Por ti, s’vjen më! Mjerisht s’vjen!
Vec motin ngroh e dërgon erë,
që unë të qaj me një lot
që unë të perqafoj një pemë.

Ju ftoj në leximin e ‘’Kryqezim’’ me shumë këmbëngulje dhe dashamirësi.

Lexohemi së shpejti,

©RE

Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Katër shkrimtarët që behen pjesë e bibliotekës sime me çdo botim

Librat janë si miqtë që nuk të braktisin as kur je gati të arratisesh prej gjithë botës. Nëpërmjet një magjie pak të shpjeguar ato ndërhyjnë në gjak e deje për të të mbushur me energjinë e pashterrshme të miliona jetëve të tjera. Unë jam e mendimit se shpenzimet në blerjen e librave nuk janë kurrë të shkuara dëm, pavarësisht se çfarë parapëlqen secili lexues. Gjithashtu, jam skeptike për të përcaktuar “libra të mirë” e “libra të këqinj”, siç rëndomtë dëgjojmë këtu-atje të flitet. Megjithatë, pavarësisht se librat para se t’i mbështjell me ngrohtësinë e bibliotekës sime i studioj me kujdes prej pasionit tim fanatik, sot dua të ndaj me ju disa shkrimtarë, librat e të cilëve i blej pa u menduar dy herë. Në gjuhën e libërdashësve (mos u habit, ne kemi gjuhën tonë), termi i autorëve që i blen në çdo botim të ri të tyre konsiderohet “ shkrimtarët auto- të blerë”.   Në këtë listë vendosa të përfshij dy autor shqiptare e dy të letrave botërore, të gjithë klasik të g...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *