Skip to main content

Njeri...




Ecja nëpër rërën e bardhë, të pastër, të pashkelur dhe të lëmuar dhe në mendje më vijnin ditët kur të pandarë shëtisnim duarmbërthyer së bashku. Dallgët e lehta të detit, shkumonin nën këmbët e mi dhe ngaterroheshin me rërën, e rrëmbenin  me forcë dhe dashuri, për ta risjell disa sekonda më pas dhe për ta lënë sërisht të lirë.

Edhe unë ndihesha si rëra, herë e lirë dhe e herë e pushtuar; herë e shkujdesur nëpër ecejaket e jetës time dhe herë e gjunjëzuar mes kujtimesh; herë e bezdisur nga përvelimi I diellit mbi lëkurën time dhe herë e përkëdhelur prej rrezeve, dritës dhe ngrohtësisë së tij. Kështu ecja, ecja si në fluturim, sikur dëshiroja t’i ndaloja mendimet e mia dhe për disa minuta të isha një njeri pa të shkuar e pa të ardhme, pa dëshira e pa pengje, pa lot e pa gëzime. Doja të isha një njeri i zbrasur nga të gjitha përjetimet, doja të isha disa kilogram mishi e eshtrash dhe vetëm aq.

Doja të kthehesha në një det pa brigje, në një pafundësi bluje, ku endesha vetëm unë dhe ku gjithcka trazuese të ishte zhdukur si me magji. Kjo ndjesi zgjati për fare pak, sepse fytyra jote u shfaq në qiellin e pastër, nga ku merrte zemër ylli i asaj dite. Sytë e tu vezullonin si kurrë më parë, sikur donin të më thonin se nga vështrimi  i tyre nuk do shpëtoja dot kurrë. Flokët shkërmoqeshin me retë e pambukta dhe hijezoheshin prej rrezeve të diellit e unë e shushatur u dorëzova edhe një tjetër herë.

U riktheva në kujtime, u luta për ëndrrat e mia, nisa të ndjeja përsëri dhe harrova të isha vetëm një thes me kocka e me lekurë. Une u rimishërova në njeri, u ngjiza përsëri prej dashurisë, u kujtova se dhimbja mbante gjallë shpresën brenda meje dhe rifillova të përkedhelesha nga flladi i ëmbël, i cili më parfumoste cdo milimeter lëkurë me aromë deti, kripe dhe dëshirash.

©RE


Comments

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *