Skip to main content

Pesë këshilla para se të nisësh të shkruash esen e rradhës





Eseja është një sprovë, e cila gërsheton mendimet, argumentet, kundërshtimet dhe shprehitë me njëra-tjetrën, me qëllim realizimin e prezantimit të opinionit tënd mbi një temë të caktuar. 

Gjatë viteve të shkollës, esetë kthehen në një nga detyrat më të pandara, në lënde të ndryshme, por sidomos në atë të letërsisë. Në fillim të gjithë hasin vështirësi me to, duke pasur parasysh sesa lehtë shprehej mendimi për tema të ndryshme gjatë klasave më të ulëta, mirepo gjimnazi është pikërisht hapi i një individi më të pjekur ku cdo fjalë e shprehur merr peshë më të madhe dhe ku mënyra e prezantimit të mendimit tënd tregon shumë për botëkuptimin dhe edukimin tënd.

Në vazhdim do të ndaj me ju disa këshilla praktike se si të përmirësoheni në shkrimin e eseve.

1. Shkruaj, shkruaj, shkruaj.

Të ushtrohesh do të thotë të mesosh. Një nga armët e tua më të forta kur vjen puna tek perfeksionimi në shkrimin e eseve duhet të jetë durimi. Askush nuk lindi duke ditur të shkruajë ese të përsosura dhe mbresëlënëse, por gjithcka arrihet me punë. Esetë janë një përpjekje e vazhdueshme dhe një ''shtrydhje'' e mendimeve në bashkëpunim me një hulumtim në fjalorin tend, për të zgjedhur fjalët më të mira, më kuptimplota dhe ato qe tregojnë se ti nuk je rastesisht duke shkruar një ese të arrirë.

2. Blloku i shënimeve duhet të bëhet miku yt më i mirë.

Një ide e mirë për të mbajtur mend fjalë të reja, për t'i përdorur në vazhdim dhe për t'i bërë pjesë të eseve të tua është të mbash shënim cdo fjalë që të tingëllon e duhura për esen tende të rradhës  dhe që të lë përshtypje. Mos harro të nenvizosh cdo fjale të re, të mundohesh t'i gjesh kuptimin dhe të lexosh sa më shumë libra. Këto janë mënyrat e vetme që fjalori yt të jetë i pasur dhe mos të vështirësohesh për të gjetur fjalë të larmishme në esen tënde.

3. Mos lejo që shkrimi i parë të jetë përfundimtari.

Një ese e mirë nuk shkruhet dot përnjëhere, prandaj mos u cudit nësë do të them se esetë e mia me të vlerësuara janë shkruar e rishkruar rreth pesë herë. Draft-i i parë i tyre më shumë ngjan me shkarravina të crregullta sesa një ese e mirëfilltë dhe pas cdo rishqyrtimi përfundimi është më i mirë. Pra, eseja nuk është për dembelët, por kjo nuk do të thotë se nuk arrihet edhe nga ata, nëse punojnë shumë.

4. Më përpara planifiko.

 Para se të nisësh të hedhesh rreshta në letër, në fillim bëj një listë me gjithcka për të cilën do doje të shkruaje dhe vetëorganizohu. Plani paraprak është një ndihmë e vyer për esenë sepse gjithcka mirëorganizohet me detaje dhe asnjë rresht nuk i mbetet rastesisë.

5. Krijo.

Një ese e mirë të bën të mendosh përtej asaj që është shkruar, të lë mbresa dhe të rikthen përjetime ose të bind mbi një ceshtje të caktuar. Eseja është një shkrim, i cili i përmbahet disa rregullave që do ishte mirë të mos shkelen (për këto do të flasim në javët në vazhdim) , megjithatë ji kreativ dhe shpreh lirisht veten. 

Për ta përmbledhur, të gjithë mund të kemi nevojë të përmirësohemi në shkrimin e eseve, prandaj mos u shqetësoni edhe nëse herë pas here mesuesja ju ka kritikuar. Kritikat kthejini në pika të forta dhe mos hiqni dorë lehtë.

©RE

Comments

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *