Skip to main content

Ngjan me parajsën



Dielli ishte ulur mbi fytyrën tënde, i kishte dhënë jetë dhe hijeshi lëkurës së bardhë borë, i kishte zverdhur flokët e shëndritshëm dhe të mëndafshtë dhe sytë e tu të picërruar dhe të bezdisur prej rrezeve më bënin mos ta ndaja dot vështrimin. Pulitjet e ëmbla e të shpeshta të syve dukej sikur lodronin me ngrohtësinë e diellit. Në atë cast, papritur e papandehur, mendja më ra te parajsa. Si duket ajo vallë?

Një botë ëndërrimtare, për të hyrë në të cilën duhet të hapen portat e larta e të renda, sa pesha e mirësive që i ke falur botës, të zbukuruara me trendafila, peoni, zambakë e ammi. Portat magjepsëse, në të cilat mund të humbisje në hapësirat e pafundme të kohës vetëm duke qëndruar para tyre e duke vështruar  lulëzimin e jashtëzakonshëm, celjen e jetës. Mes cicerimave të zogjve dhe aromave të gjithfare lulesh erëplota, dyertë hapen dhe mes një bardhësie si shkuma e dallgëve në përplasjen e ëmbël me shkëmbinjtë dhe detin, dehesh nga pastërtia. Drita e diellit ndricon gjithë bardhësinë duke e kthyer në verbuese, njësoj si bukuria e syve të tu teksa puliten prej diellit trazovac.

Rruga drejt parajsës duhet të jetë me mijëra shkallë të bukura, të zbukuruara me re të pambukta e aspak të lodhshme për t'u ngjitur. Shkallë me parmakë të veshur prej degëve të pemëve gjigande dhe të shoqëruara me muzikë ëndrrash. Duhet të ketë shumë viola, violina, harqe e lira atje mes ëngjëjsh. Tinguj të qetë, të lehtë e të kërcyeshëm si zhdërvjelltësia e një njeriu të dashuruar, i cili ka humbur peshën e trupit, prej ndjenjës. 

Shija e ëmbelsirave dhe frutave duhet të jetë e pandarë. Një sheqerosje delikate, ashtu duhet të jetë parajsa. Një ledhatim rrezesh nëpër fytyrën tënde, një vështrim i hedhur shkarazi e nje buzë e vënë lehtë në gaz, era florale e flokëve të shkundura nga pakujdesia dhe aureola hyjonre, e cila të mbështjell gjithë qënien.

Zoti më uli krah një parajse të prekshme, këtu mes të gjallësh.


©RE

Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Katër shkrimtarët që behen pjesë e bibliotekës sime me çdo botim

Librat janë si miqtë që nuk të braktisin as kur je gati të arratisesh prej gjithë botës. Nëpërmjet një magjie pak të shpjeguar ato ndërhyjnë në gjak e deje për të të mbushur me energjinë e pashterrshme të miliona jetëve të tjera. Unë jam e mendimit se shpenzimet në blerjen e librave nuk janë kurrë të shkuara dëm, pavarësisht se çfarë parapëlqen secili lexues. Gjithashtu, jam skeptike për të përcaktuar “libra të mirë” e “libra të këqinj”, siç rëndomtë dëgjojmë këtu-atje të flitet. Megjithatë, pavarësisht se librat para se t’i mbështjell me ngrohtësinë e bibliotekës sime i studioj me kujdes prej pasionit tim fanatik, sot dua të ndaj me ju disa shkrimtarë, librat e të cilëve i blej pa u menduar dy herë. Në gjuhën e libërdashësve (mos u habit, ne kemi gjuhën tonë), termi i autorëve që i blen në çdo botim të ri të tyre konsiderohet “ shkrimtarët auto- të blerë”.   Në këtë listë vendosa të përfshij dy autor shqiptare e dy të letrave botërore, të gjithë klasik të g...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *