Skip to main content

20 mësime prej 20 vjetorit që lashë pas




Ditëlindja është një ditë e vecantë, të cilin e mbajmë mend pothuajse përgjithmonë (ose mbase deri ditën që do rrokulliset një vit tjetër).

Viti i 20-të i jetës time ishte i bukur. Më kujtohet sikur dje, mesnata e një viti më parë, kur më të shtrenjtët e mi mbushën shtëpinë me britma hareje dhe zemrën time me dashuri, teksa më uronin me dhurata e përqafime të 20-tat. Pothuajse i njëjti ritual i ëmbel më rrethoi edhe sot në ditën e 21 të jetës sime, kur dëgjoj frazën: ''Gëzuar datën e lindjes.''

Unë nuk jam ''njeri ditëlindjesh''. As nuk e admiroj ditëlindjen time dhe as nuk e pres me padurim dhe me kalimin e viteve duket se zbehet edhe më shumë idealizimi i ditëlindjes për mua. Njerëzit nuk rriten prej viteve që kalojnë, por prej mësimeve që marrin nga eksperiencat e tyre. Njerëzit nuk piqen pasi fryjnë një qiri më shumë në tortën e ëmbël, por nga gabimet, të cilat vlejnë më shumë se mijëra këshilla.

Mua më pushton disi melankolia ditën e lindjes time. Përjetoj ndjesi të ndryshme, por në pergjithesi e shfrytëzoj si një kohë të mirë për të kryer ''bilancin e kujtimeve'' e për të parë në munda t’i arrija qëllimet, të cilat i pata vendosur vetes, kur isha një vit më e vogel në moshë.

Viti i 20-të kaloi shpejt e solli mijëra kujtime të paharrueshme, të bukura, mësime të vlefshme, nga ato që do doja t'i ndaja edhe me ju.

1. Mirënjohja.

Fëmijet nuk dëgjojnë kurrë këshillat e prindërve, por ndjekin shëmbullin e tyre. Një nga vyrtytet më të vyera të dy të shtrenjtëve të mi është mirënjohja. Unë jam rritur me fjalën ''faleminderit'' edhe në gjërat më të thjeshta të përditshmërisë prej tyre dhe duket se ky nuk ishte mësim i vetëm këtij viti, por i plot një jete me ta. Ndaj unë i jam mirënjohëse Zotit, sepse më dhuroi prindërit, të cilët cdokush do ënderronte t'i kishte.


2. Lumturia e vertetë gjendet te ty.

Unë mendoj se lumturia nuk është një gjendje e pafundme. Ne jetojmë cdo dite grimca lumturie, shkëlqime të vogla të saj, por në të vërtetë, lumturia gjendet brenda nesh. 
Ti zgjedh për veten tënde nëse dëshiron të jesh i lumtur, nëse je i kënaqur e falenderues për ato që ke në jete, nëse e vlerëson dashurinë që të tjerët të falin, nëse nuk ndikohesh nga fjalët, paragjykimet, mendimet, opinionet dhe gjithfarë ngacmuesi i jashtëm, qe mund t'i humbi vezullimin  lumturisë tende të vockël, po aq me vlerë për ty.

Njësoj sic mëriza të kaplon sepse t'i e kërkon atë përjetim. Askush nuk mundet të të trishtojë nëse nuk e lejon të preki thellësitë e zemrës tënde.
Të gjitha ndjesitë që përjeton janë në dorën tënde, ndaj kujdesu per veten.

3. Kërko falje dhe fal.

Gjesti më afër hyjnores, të cilin ne mund të bëjmë, duke qënë gjithë jetën të gabueshëm e mëkatarë është të falim e të kërkojmë falje. Falja është më shumë se thjeshtë një fjalë, një institucion, i cili lidhet pazgjidhshmërisht me respektin, zemërgjërësinë, inteligjencën dhe paqen me veten. Pas një peshe të rënde mbi supe, mundesh të dremisësh i qetë vetëm kur me shpirtin plot fal dhe me sinqeritet lutesh për falje.

4. Harro.

Këtë vit punova shumë me veten sesi të ruaj qetësinë e të tregohem më gjakftohtë. Sot mendoj se ia kam dal dhe kjo vetëm në saj të harresës. Harro gjithcka që të lëndon, harroi fjalët e nxituara, veprimet e pamenduara, padrejtesitë,kujtimet e këqija, gënjeshtrat, zilitë, urrejtjen dhe xhelozine.

Më beso, kjo llojë harrese është më e ëmbla për qetësinë e shpirtit tënd.

5. Kujdesu për kujtimet.

Në një botë, e cila është kthyer tërësisht në virtuale e ku duket se gjithcka e krijojmë për ta ekspozuara në rrjetet sociale, duket se vlera e kujtimeve po shuhet. Kjo është shumë paradoksale, pasi ne nuk rreshtim së mbajturi në duar telefonët inteligjentë e llojë-sojë cikerrime tjetër tekonologjike, e cila mund të përjetësojë të gjitha castet e ditëve dhe netëve tona, por vetëm dicka nuk e kanë shpikur dot ende, të përjetojmë ndjenjat e emocionet prej tekonologjisë. Përpara se të shkrepim një foto, e të bëjmë gjithcka për të arritur dritën perfekte, gjatë një perëndimi dielli, a s'do ishte më e natyrshme, thjesht ta jetonim atë mrekulli të natyrës, t'i gezoheshim rrëshqitjes së diellit në det e të harroheshim me ngjyrat e tejalojos së qiellit?

6. Ruaji miqtë e vërtetë.

Miqtë janë familja që i zgjedhim vetes, janë të dashur, të cmuar e të pazëvëndësueshëm. Jeta nuk tregohet shpesh bujare dhe të  dhurojë cdo dite njeë mik të besuar, të pandare e të vërtetë, ndaj nëse e ke gjetur, kujdesu shumë ta ruash përjetësisht. Miqësitë e vërteta nuk vdesin kurrë, ato thjesht maturohen bashkë me ne.

7.Vendos familjen mbi gjithcka.

Familja është thesari i pacmueshëm me asgjë tjetër, dielli i lumturise dhe dashuria pakushte. Dashuria për ta lind e nuk do marri fund as kur ne të mos marrim më frymë.

8. Mos harro ëndrrat.

Ëndrrat na bëjnë ata që jemi. Të harrosh dëshirat e tua më të mëdha, do të thotë të shuhesh dalë-ngadalë. Unë këtë vit, jo vetëm nuk i harrova ëndrrat, por gjeta një mënyrë të vockël për t'i realizuar ato. Krijova ''Një tufë rrezesh nëpër RE'', të cilën e kam ëndërruar që prej nuk e mbaj mend se kur, u njoha me të gjithe ju, me të cilët flasim cdo dite për libra e shkrimtarë, lexojmë e argëtohemi.

Në fakt ende shumë ëndrra presin me durim të realizohen, por disa të tjera më duket se unë vetë nuk dua t'i prek. A keni menduar edhe ju , që kur një ëndërr realizohet duket se ajo humbet e t'i mbetesh tanimë pa ëndrrën, nuk ke me për cfarë të punosh pa u ndalur e me cfarë imagjinate të të kaplojë gjumi në një natë të gjatë?

9. Investo në dije.

Dijet janë ushqimi i mendjes dhe arti është i shpirtit. Mënyra e vetme për të tejkaluar vetveten, për t'u përmirësuar e për t'u bërë njerëz të dobishëm është duke u mirëarsimuar. Unë gjithnjë e kam dashur shumë shkollën, procesin e të mësuarit, studimet dhe mendoj se thesari i vërtetë nuk janë gjërat që kemi, por ato që jemi, që mbajmë brenda nesh e s'do i humbasim dot kurrë, dijet.

10. Koha është flori.

Sa e sa proverba e fjalë të urta kemi hasur për kohën. Koha është e pacmueshme ndaj duhet të bëjmë kujdes se kujt aktiviteti ia kushtojmë. Këtë vit jam munduar shumë të jem e mirëorganizuar, duke u munduar që me një program të vërtetë orari, të listoja të gjitha aktivitetet, të cilat duhet t'i përfundoja në mënyrë të panegocueshme në fund të ditës. Kështu, mes studimeve të financës, të cilat marrin kohë, impenjim dhe përkushtim, mes pasioneve të mia, leximit, blogut e kohës me të dashurit e mi, kam zgjedhur të heq dorë nga aktivitetet e përditshme të cilat jo vetëm s'më japin asnjë përfitim, por edhe më shpenzojnë kohën e pakthyeshme.

11. Parafytyro diellin në mes të furtunës.

Në përgjithësi, të gjithëve na ndodh të ndihemi të dobët e të brishtë para vështirësive. Shpresa është motivi më i fortë për të tejkaluar pengesat e për t'u afruar grimcave të lumturisë.Të parafytyrosh diellin në mes të furtunës, kjo nuk është e lehte, por është mënyra e vetme për t'i dhënë vetes forcë,besim dhe energji. Lejoi vështirësitë të të përkulin, por jo të të thyejnë.

12. Kalit durimin e puno.

Durimi është një vyrtyt me të cilin nuk lindim të gjithë, por secili mundet ta kalisi. E vetmja mënyrë për t'u bërë pjesë e ëndrrave të tua, për ta prekur qoftë edhe fare pak magjinë e tyre e për të ndjerë kënaqësinë e suksesit është puna. Ndërsa edukata mbi punën dhe dashuria për të, kthehet në një mënyrë jetese, durimi kalitet nëpërmjet aktiviteteve të shëndetshme, një prej të cilave leximi, që promovojmë në ''Një tufë rrezesh nëpër RE''.

13. Gjithcka krijoje me pasion.

Pasioni është celsi i përmbushjes emocionale. Kur gjërat rrëmbejnë prekjen e pasionit realizohen më mirë, më bukur e ruajnë brenda tyre një energji pozitive. Unë besoj te forca e pasionit dhe mendoj se vetëm ai mundet të shtyjë ëndrrën e puna ta realizojë atë. Ky është një zinxhir i pazgjidhshëm, ku cdo hallkë zë peshën e saj të rëndësisë.

Nëse pasioni im nuk do ishte arti dhe letërsia mendoj se edhe karakterialisht do isha ndryshe. Pasioni ndikon thellësisht në atë që ne jemi e në ndryshimin që duam t'i sjellim botës.

14. Zgjidhja e cdo problemi qëndron te dashuria.

Dashuria është tharmi i jetës dhe me siguri pa të, bota do ndalonte së rrotulluari. Të gjitha përgjigjet e botës gjenden tek ajo dhe  vetëm dashuria ka aftësinë të ndricojë mendjet tona përpara një udhëkryqi. 

15. Mos lejo askënd të uli vetëvlerësimin tënd.

Lidhja jonë me rrjetet sociale është bërë e fortë dhe bota,  të cilën shohim duket mishërimi i përsosmërisë. Shpesh herë, të gjitha imazhet e bukura, luksi dhe gjërat materiale na bëjnë të krijojmë komplekse të dëmshme te vetja. Së pari, mediat sociale dhe televizioni nuk janë reale dhe të genjehesh prej tyre e të ënderrosh të jesh si to është një dëmë, që i krijon shëndetit tënd fizik, emocional e psikologjik. 
Jeto në një botë pa modele, ku cdo masë veshjesh është ''normale'', e bukur dhe aspak shqetësuese. Jeto në një botë, ku cdo shenjë në fytyrën tënde ta mbash me krenari dhe jo të duash ta fshehesh prej frikes se nuk ngjan mjaftueshëm me personazhet e pavërtetë të mediave sociale.
Njerëzit nuk vlerësohen prej një fytyre të bukur e një mendje pajetë, por prej një mendje plot imagjinate e një fytyre që shkëlqen prej dashurisë për vetën.

16. Nëse nuk beson tek vetja, askush s'do besojë te ty.

Unë mendoj se energjia që i fal cdo punë në përditshmërinë tënde reflektohet në rezultatin përfundimtar. Edhe sic e përmenda shumë herë më lart se gjithcka nis e përfundon te vetvetja, kjo lidhet edhe me besimin. Të gjithë duam të na japin besimin e mjaftueshëm për të nisur një punë, të na falin kohë për të qënë të lumtur, por harrojmë se të gjitha keto nuk duhet t'i presim nga askush, vecse vetes.

17. Ruaj fëmijën brenda vetes.

Vegjëlia është periudha më e bukur e jetës, sepse është më e pafajshmja, ku di pak, por do shumë. Edhe nganjëherë zemra di më shumë se mendja e është një udhërrëfyese më e mirë. Unë nuk dua të humbas fëmijën brenda meje, sepse mendoj se s'do mundem më kurrë të jetoj gëzimin e atyre viteve, ku gjërat materiale ishin të fundit, që më interesonin e ku lumturia gjendej te përqafimi i gjyshes, kutia e ngjyrave të drurit, të cilat më bënin të ëndërroja se isha një piktore e vërtetë dhe shoqja ime Kiti, e cila ishte një mikeshë imagjinare në formën e ditarit. Luftoj shumë që mos ta humbas të voglën brenda meje, të ruaj imagjinatën e fëmijës së kujtimeve të mia, që ëndërronte gjithë ditën për universin dhe të mbetëm e cilter dhe e vërtetë, pa veshur petkat e maskat e të rriturve, aq sa të tjerët të më paragjykojnë se mbeta një fëmijë. 

18. Kushtoji kohë njerëzve që do vërtetë.

Humbjen e njerëzve të dashur e përjetojmë të gjithë herët ose vonë, dhe kjo jo vetëm në formën e vdekjes. Jetën ia kemi besuar atij që na e dhuroi, por është dicka që kemi në dorë për ta bërë atë më të bukur, koha. Të kalosh gjithë kohën e mundshme me njerëzit që do, të lesh disa punë pa bërë, të lesh disa faqe pa lexuar, të lesh disa story pa parë në Instagram, por të qëndrosh me njerëzit që thellësisht i do, që do i zgjidhje si më të dashurit e tu edhe në njëqind jetë të tjera, që të mbushin zemrën e të lehtësojnë hidherimet. 
Të krijojmë kujtime të bukura, kjo është detyra jonë në jetë.

19. Mos hiq dorë nga ëndrrat e vertetoi të gjithëve se ti mund të ndryshosh botën.

Unë jam ëndërrimtare dhe nuk do mundesha të jetoja pa ëndërrime. Nganjëherë, pamundesitë ekonomike, probleme të tjera të cilat nuk varen nga ne, ose thjesht fati ( sic preferojmë të quajme gjithcka, të cilës nuk i japim dot shpjegim) na bëjnë të rritemi para kohe, edhe të hedhim tutje ëndrrat. Në fakt ëndrrat nuk janë vetëm për fëmijët edhe pse janë gjurmë e fëmijërisë sonë. Nëse do nisja të flisja për ëndërrimet e mia, më besoni, s'do ndaloja për shtatë netë të gjata dimri, pranë oxhakut me flakë bubulake dhe gështenja të pjekura, por shkurtimisht di se ëndrra ime më e madhe është të shoh të realizuara ëndrrat e atyre që dua. Realizimi i kësaj për mua ndryshon botën, sepse disa ëndrra të plotësuara, na bëjnë njerëz më të mire, e për rrjedhojë qytetare më të denjë.

20. Lexo, lexo, lexo.

Librat janë mënyra e vetme për të ndricuar mendjen, për të zhvilluar botën emocionale dhe për të ndihmuar veten të bëhemi njerëz më të mirë. Një nga vyrtytet më të mira që të jep leximi është empatia. Ti jeton nën lëkurën e mijëra personazheve, bëhesh një me ta dhe reflekton për jetën e veten. Empatia të drejton për tek arti dhe ky i fundit i jep jetës tënde kënaqësitë më të papërshkrueshme. Unë nuk dua të zgjatem shumë sot për leximin, pasi flas cdo dite për të, por vetëm leximet do realizojnë njeriun e bukur fizikisht e shpirtërisht, të cilit kërkon t'i ngjash.

Në përfundim, dua t'ju falenderoj për kohën, dashamirësinë dhe mbështetjen!

©RE

Comments

Popular posts from this blog

Vargjet e lira dhe mesazhet e Migjenit

Në letersinë shqipe, kur në mendje na vijnë vargjet e lira dhe një ndryshim rrënjësor i formës dhe përmbajtjes të zakontë të poezive, menjëherë na kujtohet Migjeni dhe vargjet e tij të lira. Poezitë e tij janë një paraqitje e zhveshur e realitetit të dhimbshëm, e botës së harruar, e problemeve ekzistencialiste dhe e fenomeneve të cilat dukeshin të rëndomta dhe nuk fliteshin në letërsi, me mendimin se Shqipëria kishte nevojë për patriotizëm dhe atdhedashuri për të ngritur në piedestal frymën atdhetare, përpara problemeve të rënda të përditshmërisë. Vargjet e lira të Migjenit hodhën poshtë të gjitha kufijtë, barrierat dhe klishet. Forma e tyre ishte e crregullt, e lirë dhe e pakufizuar nga kanone të paracaktuar, rimë apo ritëm i brendshëm. Më e lirë akoma ishte përmbajtja, e cila u kthye në himn për kryengritjen kunder varfërisë, padrejtësisë, urisë dhe dhimbjes njerëzore. Vepra ndahet në disa pjesë: Së pari,  Këngët e pakëndueme , të cilat shfaqin një rebelizem të au

‘’Katedralja e Parisit’’ dhe madhështia e Hygo

Java duket se fluturon e bashkë me të vjen dita kur prezantojmë me ju leximin e kohëve të fundit. Nga një bisedë me një mikeshë të krijuar së fudmi, me të cilën jemi gjendur në Klubin e Librit #rrembelibrin, mu kujtua një nga librat, që kam lexuar më me dëshirë gjatë viteve të gjimnazit, ‘’Katedralja e Parisit’’ shkruar nga Viktor Hygo. Vrapova drejt bibliotekës së familjes dhe iu riktheva kësaj kryevepre botërore që atë natë. Nuk munda ta lëshoja nga duart deri ditën e ardhshme dhe në mendje më vërshonin dhe një herë të gjitha ngjarjet e rikujtuara e cdo emocion, të cilin kisha përjetuar nëpërmjet këtij libri. Viktor Hygo konsiderohet si një nga autorët më të mëdhenj të letërsisë frënge e njëkohësisht të asaj botërore. I njohur ndryshe si babai i romantizmit, në veprat e tij dallohet qartë prania e rëndësishme e konceptit "turmë" dhe pikërisht kjo përbën një nga idetë themeltare të tij, ku sipas tij para feudalëve qëndrojnë me autoritetin maksimal për

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e cimbis

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *