Skip to main content

‘’Pa frymë’’, himni për jetën




Librat kanë një fuqi të pazakontë për të ndryshuar humorin, kendvështrimet për çështje të caktuara, ndjesitë dhe mbase edhe jetën. Një libër i veçantë ka aftësinë të shëndërrohet në një ngjarje të rëndësishme për përditshmërinë tënde dhe shërben si një kthesë për mendësinë dhe përbuzjen e paragjykimeve, të cilat na shoqërojnë këmba-këmbës.

Këto ditë u prezantova me një autor për të cilin nuk dija asgjë, por pas leximit të librit të tij, përnjëherësh m’u krijua ndjesia se e njoh dhe nëse do ishte mes nesh, do lutesha ta kisha mik.
Lorenzo Amurri ishte një muzikant, producent dhe së fundmi shkrimtar prej librit të tij të parë ‘’Pa frymë’’ nëpërmjet të cilit rrefeu aksidentin e tij të rëndë, dhimbjet, peripecitë e sëmundjes dhe vështirësitë e rikuperimit.

Jeta e Lorenzos ndryshoi rrënjësisht pas një aksidenti të rëndë me ski, nga i cili mbeti paraplegjik.
Rrëfimi i tij trondites nis qysh në çastin e aksidentit, humbjet e vetëdijes dhe lojërat e pakëndshme të mendjes,përshkrimi i detajuar i dhimbjes, përkundesja mjekesore, ankthi i përgjithshëm që kaplon çdokënd, mungesa e koshiencës së pacientit dhe lufta me vdekjen janë kaq të vërteta dhe të gjalla, saqë e bëjnë lexuesin menjëherë protagonist të librit.

Ky roman është një himn për jetën, i cili këndohet nëpërmjet vuajtjeve, mungesës së shpresës, dashurisë për jetën, mbështetjes së familjes e miqve. Lorenzo kaloi muaj të tëra në një spital të Zvicrës, të cilat i cilësonte si më të vështirat në jetën e tij. Shoku i përjetuar prej aksidentit të papritur, pasojat e tmerrshme, të cilat i ndryshuan përgjithnjë jetën dhe dualizimi brenda vetes mes luftës dhe dorëzimit e bëjnë rrëfimin e Lorenzos të gjallë, te afërt dhe të ndjeshëm.



Çastet e para të përplasjes me të vërtetën ai i përjetoi me ankth, pasiguri, frikë nga të shpresuarit, xhelozi për çdo njeri që kishte një fat ndryshe nga i tij, zili të pashpjeguar, inat verbues dhe mllef. Për Lorenzon fatkeqësia më e madhe ishte të mos mundej të përdorte më duart e tij, të mos luante më në kitarë, të mos kompozonte dot më muzikë. Muzika për të, tanimë ishte kthyer në një klithmë vdekje. Ai nuk mundej të dëgjonte asnjë notë të vetme, pa i plasur zemra dhe veshët.

Pas një periudhe reablitimi psikologjik përveçse fizik, pacienti arriti të pranonte të vërtetën dhe ky ishte momenti i kthesës në jetën e tij. Përballja me realitetin e bëri të guxonte t’i bashkohej një lufte të përbashkët me stafin mjekësor dhe miqtë e familjarët kundër aksidentit, i cili e braktisi në shtratin e palëvizshmërisë. Bashkë me përpjekjet lind frika nga paragjykimet, ankthi i braktisjes nga të afërmit dhe strukja në vetvete duke eleminuar çdo mundësi komunikimi me botën.

Dashuria ishte për Lorenzon forca më e madhe dhe durimi, përkushtimi, mirësia dhe respekti i Johanës arritën në një ngopje, shkaktuar nga indiferentizmi dhe frika e Lorenzos. Johana u largua, por për t’u rikthyer e për ta ushqyer Lorenzon me dashurinë e vërtetë.

Mënyra e thjeshtë, e drejtpërdrejtë dhe e akullt narrative të bën të kthjellohesh, të vlerësosh shëndetin, jetën dhe gjithashtu të prezanton me dramën e përditshme të shumë njerëzve, që fati deshi të kalojnë nëpër të njëjtat monopate si Lorenzo. Njohja me botën e palëvizshmërisë, ku lind për së dyti e kalon të njëjtat faza rritje si një i porsalindur; eksplorimi i botës së ulët, asaj në të cilën endesh në një karrike me rrota, ku gjithçka që të rrethon është disa kokë më e lartë se ty; ndjesia e pafuqisë; plogështia dhe humbja e dëshirës për të jetuar;  të gjitha japin mesazhin e rendesishëm të të dashuruarit pakushte, me sytë e zemrës dhe me forcën e mirësisë.

Ky libër vjen i shqipëruar nga Beti Njuma, me rrjedhshmëri të brendshme deri në faqen e fundit.
Për ta përmbledhur mund të them se ky libër më ndryshoi botëkuptimin për jetën e më bëri të rishqyrtoj prioritetet në përditshmerinë time.

Ju ftoj ne leximin e ‘’Pa frymë’’ nga Lorenzo Amurri.

Rilexohemi javën e ardhshme,

©RE

*Ky artikull nuk lejohet të ribotohet pa lejen e autores. 
Kontaktoni: njetuferrezeshneperre@gmail.com

Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Gjashtë faqe ku mund të lexoni libra në internet

Në #njetuferrezeshneperre flasim cdo javë për librat, të mirat që leximi sjell në jetët tona dhe sugjerime mbi letersinë që vërtetë vlen të lexohet. Këtë javë mendova të prezantojmë së bashku një tjetër   temë interesante e cila lidhet me të lexuarin dhe mendoj se do t'i vijë në ndihmë cdo liber-dashësi. Përditshmëria jonë është e vrullshme, e ngarkuar me punë dhe përgjegjësi dhe këto janë disa nga justifikimet që përmendim për të shfajsuar veten pse nuk kemi rrëmbyer kohët e fundit një libër në duar. Meqënëse dita jonë është e lidhur ngushtësisht me teknologjinë dhe botën e internetit konsiderova si temë tepër interesante për këdo që do të lexojë   në internet. Librat përcjellin vlerë të jashtëzakonshme, por njëkohësisht ato janë kthyer në një biznes të mirëfilltë, prandaj pirateria dhe leximi i librave papagesë në internet është gati i pamundur. Megjithatë pas një hulumtimi të gjatë, më poshte do ju prezantojmë me disa nga faqet ku  mund të lexoni libra të buku...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *