Skip to main content

Një mbrëmje, Xhoanë



Çdo lexues i zellshëm ka një shkrimtar të preferuar, të cilin e ka lexuar e stërlexuar deri në hollësite më të imta dhe personazhet e te cilit i vërtiten si fantazma në mendje e jo rrallë lidh përditshmërinë me to. Natyrisht, kjo marrëdhënie nuk i përket çdo lexuesi. Një libërdashës i tillë nuk është i zakontë, haset rrallë e më rrallë dhe mund ta quani me plot gojë të çuditshëm, shpirt i shekullit të shkuar dhe veteran i ‘’Brezit të Humbur’’.

Unë jam njëra prej tyre e hapat e mi i hedh nga njëri personazh i Remarkut te tjetri. Nëse do me duhej të zgjidhja vetëm një libër për të lexuar gjatë gjithë jetës time, me zë të lartë do thërrisja ‘’Harku i Triumfit’’ nga Erih Maria Remark.




Njërën prej mbrëmjeve kur rrokullisesha ne nje vorbull trazimi, paqartësish dhe dilemash m'u kujtua Xhoana Madou. Xhoana, personazhi kryesor femëror në veprën "Harku i Triumfit" është karakteri feminil i skalitur me kujdes e dashuri nga Remark. Desha të isha për disa çaste nën lëkurën e saj, u përfshiva, u mundova t’i ngjaj dhe lashë veten të lirë, si ajo.

 Ravik, kirurgu i njohur për papërkatësinë e tij etnike e shoqërore përgjatë viteve  të vështira të luftës, pas humbjesh e disfatash, në një mbrëmje të pashpresë, gati për dehje e përhumbje njohu sërisht dashurinë, Xhoanën, e cila gjendej edhe më e humbur dhe hutuar se ai. Natën e rrëmbeu Kalvadosi dhe tymi i rëndë i duhanit, ndërsa ata të dy një ndjenjë sigurie dhe bashkimi mes dy zemrash të trishta. 



Marrëdhënia e tyre, çiltërsia, melankolia, po aq sa zemra e butë dhe sinqeriteti i Xhoanës e mirëpriten edhe një herë Ravikun në botën njerëzore, në vendin ku lulëzon dashuria edhe në mes të luftes, arrative dhe frikës së spiunimeve; në hapësirën  ku nuk përkiste askund, ku kishte humbur miqtë, dashurinë, familjen dhe ekzistencën e tij legale. Aty kuptoi se zelli dhe dashuria gjendeshin ende brenda shpirtit të tij edhe pse prej kohesh jetonte vetem në humnerën e  bisturive, sallave të operacioneve, vdekjes dhe lloj e soj sëmundjesh, të cilat vështirë se kishte forcën për t'i kontrolluar.



Xhoana ishte një aktore, brenda së cilës gëlonte talenti, arti e shpirti i bukur, por fati nuk kishte qënë kurrë bashkëudhëtar me të. Dashuria me Ravikun zgjoi tek ajo një tjetër dimension duke e shndërruar në një grua të fortë, të gatshme të përballonte shumëçka dhe pse e brishtë dhe e ndjeshme vetëm në krahët e tij. Dita-ditës, Xhoana përplasej me të papritura, me vështirësitë e mbartura nga fëmijëria, hijet, të cilat e shqetësonin nga e shkuara, pasiguritë për të ardhmen dhe dëshirën e madhe për të mos menduar për nesër, e për të jetuar të tashmen e dashurisë së tyre.



Xhoana ishte një personazh kompleks, me një botë shpirtërore të luhatshme, e cila mendonte me zemër e vepronte me mendje. Të gjitha vendimet e saj mund të vendosen lehtësisht në pikëpyetje.
Një ndër fragmentet më të dhimbshme  të librit lidhet me dashurinë e tyre. Ndër castet  më prekëse është kur Raviku merr një telefonatë të papritur, pas ndarjes së tyre dhe zhgënjimi i tij nuk e rrëzon dot krenarinë. Xhoana e thërriste për ndihmë, por ai nuk e besoi derisa mundi vetëm ta ndihmonte në agoninë e fundit mes jetës e vdekjes.




Ajo ndihej e përkëdhelur, e ledhatuar dhe e vogël sa një femijë pranë tij, ndërsa Raviku harronte sa vetë kishin vdekur prej duarve të tij si ushtar e si mjek vetëm afër saj. Secili i dha kuptim e dritë ditëve të tjetrit, atëherë kur shpresat ishin të pakta dhe kur dashuria ishte pak të quhej veçse dashuri.
Xhoana më shumë se endej në rrugët e Parisit, jetonte brenda rrugicave të zemrës së saj. Paçka se në qytet kishte trazira, vranësira a gjemime, koha e vërtetë ishte ajo mes shpirtit të saj.

Të qënit ëndërrimtare, emocionale dhe kokëkrisur e përfshinin atë në histori të panevojshme, në telashe të kota e rreziqe të mëdha prej të cilave iu mor edhe jeta.



Të dy i bashkoi vdekja e sërisht ajo i ndau, duke treguar se brenda dy shpirtrave të humbur e të trishtë mund të gëlojë dashuria edhe kur jashtë strehëzës së tyre mbretëron kaosi.


Fragment shkëputur nga libri:

‘’ – Ti ke qënë gjithmonë me mua… edhe kur të dashuroja, edhe kur të urreja, edhe kur rrëfehesha mospërfillës… Asgjë s’ka ndryshuar ndonjëherë. Ti ke qënë gjithmonë me mua dhe brenda meje…
…. – Sono stata… perduta… senza di te…
-Por unë e kam ndier veten më të braktisur pa ty… Ti ke qënë gjithë drita, gjithë ëmbëlsia dhe gjithë hidhërimi im… Më kë shkundur dhe me je falur dhe më ke falur. Më kë kthyer në jetë! ‘’

©RE

*Ky artikull nuk lejohet të ribotohet pa lejen e autores. 

Kontaktoni: njetuferrezeshneperre@gmail.com

Photography: @genart.photography
Location: Hemingway Tirana

Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Gjashtë faqe ku mund të lexoni libra në internet

Në #njetuferrezeshneperre flasim cdo javë për librat, të mirat që leximi sjell në jetët tona dhe sugjerime mbi letersinë që vërtetë vlen të lexohet. Këtë javë mendova të prezantojmë së bashku një tjetër   temë interesante e cila lidhet me të lexuarin dhe mendoj se do t'i vijë në ndihmë cdo liber-dashësi. Përditshmëria jonë është e vrullshme, e ngarkuar me punë dhe përgjegjësi dhe këto janë disa nga justifikimet që përmendim për të shfajsuar veten pse nuk kemi rrëmbyer kohët e fundit një libër në duar. Meqënëse dita jonë është e lidhur ngushtësisht me teknologjinë dhe botën e internetit konsiderova si temë tepër interesante për këdo që do të lexojë   në internet. Librat përcjellin vlerë të jashtëzakonshme, por njëkohësisht ato janë kthyer në një biznes të mirëfilltë, prandaj pirateria dhe leximi i librave papagesë në internet është gati i pamundur. Megjithatë pas një hulumtimi të gjatë, më poshte do ju prezantojmë me disa nga faqet ku  mund të lexoni libra të buku...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *