Skip to main content

''Një grua në Paris'', rrëfimet e dashurisë e tradhëtisë




Një kohë e shkurtër shkëputje nga librat, leximet letrare dhe gjithçka që ma mbush zemrën me kënaqësi e frymëzim mund ta justifikoj me dhjetra përgjegjësi e kokëçarje shkollore. Megjithatë, për to do t'ju flas një herë tjetër.

Libri, të cilin kam zgjedhur të ndaj sot me ju është një roman mjaft i njohur në mbarë botën e njëkohesisht edhe për lexuesit shqiptarë. Ky libër ka krijuar diskutime të mëdha duke rikthyer  në vëmendje jetën e vërtetë të një prej shkrimtarëve më të dashur të globit, nga këndvështrimi i gruas së tij të parë.

"Një grua në Paris" shkruar nga Paul McClain është libri që rrëfen në mënyrën  më të ndjerë prapaskenat e martesës së parë të shkrimtarit Ernest Hemingway me Hadlei Richardson. Hadlei ishte gruaja e veçantë, e cila e ndryshoi përjetësisht Ernestin në aspektin njerëzor dhe atë profesional. Pavarësisht të gjithë jetës së tij pa themele, martesës së vështirë me Hadlein dhe historive të tjera dashurore, martesa e tij e parë mbeti e rëndësishme dhe Hadlei pati ndikimin thelbësor tëk ai.

Takimi i tyre i parë ndodhi në Cikago më 1920, kur Hadley Richardson ishte  njëzet e tetë vjeçare, e cila pas disa zhgënjimesh  kishte hequr dorë prej dashurisë. Njohja me Ernest Hemingëay bëri që jeta e saj të merrte një tjetër kthesë. Pas pak kohësh, çifti zhvendoset në Paris, ku jeta sociale pësoi një hov dhe u lidhën miqësitë me Gertrude Stein, Ezra Pound dhe F. Scott dhe Zelda Fitzgerald.

Jeta në Paris, mes mbrëmjeve të mahnitshme të muzikës Jazz dhe shfrenimeve të pakufijëta vendosi jo rrallëherë në pozita të vështira konceptin e familjes së shëndoshë dhe ngriti pikëpyetje për martësën e çiftit.  Ernesti i ri dhe i mbushur me ëndrra për të lënë gjurmë në botën e letrave e për të jetuar çdo eksperiencë që jeta i sillte përpara pa e menduar dy herë gjendet përballë së shoqes Hadley, e cila përpiqej të mbante ekuilibrat në familjen e tyre, si bashkëshorte, si mikja e tij mirëkuptuese e gjithashtu si muze e frymëzimit të tij. 

Pavarësisht dashurisë së madhe për njëri-tjetrin, martesa e tyre nuk i shpëton dot krizës , e cila do të shërbejë deri në krisjen e kësaj marrëdhënie të vështirë.
Ky libër rrëfen në mënyrën më afër zemrës shkëndijat e dashurisë, përpjekjet për të mbajtur ndezur vatrën e dashurisë përgjatë martesës, vështirësitë e sfidat, furtunat e stuhitë, zhgënjimin prej tradhëtisë dhe mungesës së besnikërisë dhe dhimbjen e ndarjes.

Gjithashtu, mënyra sesi shkrimtarja ka ndërtuar romanin duke përfshirë atmosferën e Parisit të atyre viteve, natyralisht dhe ëmbëlsisht të bën të jetosh për pak kohë në atë Paris. Të endesh nëpër rrugët e këtij qyteti magjik, të ulesh nëpër kafenetë e këndshme, të bëhësh shpirti i mbrëmjeve festive e të duash të kërcesh, të dehesh e dëfrehesh. Për më tepër sjellja e shkrimtarëve të njohur si individ të thjeshtë, duke i hequr të gjithe petkat e famës dhe të suksesit, por duke i përplasur me vyrtytet e mangësitë e karakterit të tyre është një nga pikat kyçe të romanit.

Dashamirësia me të cilën autorja trajton Hadley dhe realiteti me të cilin përball Ernestin nuk e bën këtë të fundit të urryer për lexuesit, pavarësisht sjelljes e vendimeve të tij dhe kjo është mjeshtëria e McClain.

Për ta përmbledhur, libri ‘’Një grua në Paris’’ është i bukur, romantik, i trajtuar me elegancë dhe hapet si një dritare për një botë të panjohur, siç mund të jetë jeta personale e një shkrimtari, i cili ka influencuar çdo lexues të tij.

Ju ftoj në leximin e ‘’Një grua në Paris’’ shkruar nga Paula McCain!

Rilexohemi së shpejti,

©RE

*Ky artikull nuk lejohet të ribotohet pa lejen e autores. 

Kontaktoni: njetuferrezeshneperre@gmail.com


Comments

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *