Skip to main content

#Andrrantren, udhëtimi pas në kohë


Vallë, a keni parafytyruar ndonjëherë të ndërmerrni një udhëtim në vitet '40-'50, të lundroni në të shkuarën dhe të kërkoni dëshpërimisht ekzistencën e një makine kohe për të realizuar këtë andërr? Nëse ende po imagjinoni sesi mund të realizohet, përgjigja është #andrrantren. Për realistët, 30 prilli është dita e fundit e muajit, por për andërrimtarët veçse Dita Ndërkombëtare e Jazz-it, lehtësisht mund të konsiderohet si një arratisje e ëmbël në kohë, një braktisje me vetëdije e realitetit për të gjetur një oaz të gëzueshëm, të mbushur me muzikë të vërtetë, atmosferë të hareshme e miqësi të bukura.

Dita nisi në vendtakimin jo vetëm simbolik të ish Stacionit të Trenit, në Avulloren 02, ku Zonjëza, e cila peshon një sënduk histori, një përjetësi kujtime e shumë rrëfime të pandara, gëzonte stoike admirimin e udhëtarëve të etur për të shkuarën. Rrugëtimi për në të shkuarën ndërmerrej mes fustanëve floral e polka dot, berretave të trashëguara, flokëve të stiluar sipas filmave bardh e zi, buzëve korale e këpucëve të rehatshme për të kërcyër deri në rikthimin në epokën moderne.


Kurrë më parë nuk kisha hasur aq shumë njerëz të vendosur për të kthyer pas historinë mes swing-ut, lëvizjeve moskokëçarëse, ritmeve të jazz-it e shoqërimit të rumit.
Udhëtimi me tren deri në qytetin e andrrave rikthehu jo vetëm funksionin e parë të tij si mjeti më i zakontë i transportit në vitet '40, por njëkohësisht shërbeu si ura lidhëse mes njërëzve, mes dy epokave e mes memories kolektive. 


Sa e sa miqësi janë lidhur për të mos u ndarë më kurrë në rradhët e vagonëve? Sa e sa familje prisnin oraret në stacione për t'u ribashkuar? Sa të tjerë janë harruar e përhumbur në xhamat e veshur me pluhurin e kohës, por të pastra mjaftueshëm sa rrezet e diellit të ngrohin shpirtin e të ndriçojnë mendjen? Shumë të tjerë të magjepsur në biseda kanë zbritur stacione të tëra më larg, por koha është një rrethanë e parëndësishmë, kur zemrat janë plot. Sa shikime janë shkëmbyer në zemrën e asaj Zonje bujare e sa dashuri kanë lindur mes ecejakeve lart e poshtë?


Shpirti i çaf-çufit vallëzonte me ritmet e jazz-it duke bashkuar të njohur e të panjohur e duke mos lënë askënd në qoshkën e tij të vetmisë. Shpirti i festës e dëshira e qindra vetëve për të prekur pluhurin magjik të së shkuarës, ku emociononet ishin të vërteta e gjërat e vogla ishin të vetmet, të cilat kishin vlerë. Herë pas herë, më kaplonte ndjesia se isha pjesë e ndonjë filmi luajtur nga Greta Garbo a Clark Gable, por aktorët kryesor ishin udhëtarët guximtar, të cilët mundën të ndryshonin ritmin e akrepave të orës me haren e muzikës. Tingujt e trompave nuk ndaleshin gjatë gjithë udhëtimit e bashkë me ta kërcimi i udhëtarëve.



Vallëzimi në tren bëri të ndryshonte tërësisht edhe ritmi i tij. Ndihej lehtësisht se #andrrantren fluturonte mes reve, mbante zemrat peshë, bashkonte qindra vetë drejt një realiteti ku gjithcka ishte e vërtetë, muzika, entuziazmi dhe këmbëngulja se e shkuara mbarte magjinë. 
Udhëtimi drejt Shkodrës nuk kishte qënë kurrë më i bukur. Treni zotëroi fuqinë të bashkonte udhëtarët, të shkurtonte largësitë e të vendoste një formë komunikimi mes miqve të vjetër e të rinj për në destinacionin final, Andrrën. 


Në Shkodër fekste dielli e bashkë me të kumbonin trumpetat e saksofonët, të cilët ndiqeshin nga kalvari më i hareshëm ndonjëherë. Lexohej lehtësisht se njerëzit kishin harruar kohën, fluturonin nën ritmet e muzikës, shijonin rrugicat e ngushta të qytetit të Shkodrës, i mbeteshin sytë tek trëndafilat e magjepsur e shtëpitë ftuese e vendasit bashkoheshin në vallëzim e të mikprisnin në andërr. Diçka e pazakontë ndihet në ato shtigje të vjetra, ku bëhet shkëmbimi i ndjesive të bukura, energjisë së mirë e copëzave të zemrës, që lë e merr prej aty. 

Pak nga pak, udhëtarët pushtuan gjithë qytetin, i cili hapi dyert e së shkuarës. Kafja e Madhe, simboli historik i bisedave mes miqëve, mbrëmjeve të gjata e jetës sociale shkodrane u kthye në vendtakimin e gjithë andrrimtarëve, të cilët zbuluan një mënyrë magjike për të rrëmbyer vitet ’40 nëpërmjet muzikës dhe emocioneve në kohën e internetit. 


Veçantia e maratonës ishte se festa nuk mbaronte kurrë. Koncerti madhështor I mbajtur në Teatrin Migjeni ishte kulminacioni i ditë-natës. Së pari, tributi i veçantë I muzikës shkodrane në 70 vjetorin jubilar të ndërtimit të Teatrit Migjeni dhe konvertimi në ritmet e ëmbla jazz më kthyhen në meloditë me të cilat u shoqërova qysh në vegjëli krah gjyshes. Pjesëmarrja e jashtëzakonshme e Ray Gellato dhe The Good Fellas, te cilët nisën performancën me këngët e famshme "That's amore", që robëroi dashurinë e publikut qysh prej fillimit. Teatri Migjeni ndjeu kërcimin e pandalshëm për orë të tëra në ritmet jazz e blues dhe ajri u elektrizua.

Me pak fjalë, më poshtë renditen disa arsye pse askush nuk duhet të mungoje 30 prillin e ardhshëm në këtë andërr.


Fillimisht, treni i ëndrrës bëri të fluturonim në një botë të gëzueshme, të mbushur me muzikë e njerëz entuziast duke harruar kështu çikërrimat, që na vështirësojnë përditshmërinë. 
Së dyti, për adhuruesit e muzikës jazz kjo festë nuk është e vetmja që i bashkon, por është një mënyre jetese. Hemingway  Fun Club është zemra e jazz-it në kryeqytetit dhe rruga për kthimin në të shkuarën e praruar.
Së treti, nëse shpirti yt i përket vlerave të së shkuarës, adhuron muzikën, artin e letërsinë dhe ndihesh si një shpirt i harruar qysh prej Brezit të Humbur, mes asaj atmosfere do gjesh aromën e shtëpisë.
Koha është një koncept i parëndësishëm për artin e vërtetë njësoj si vera, vetëm sa behet më e këndshme. 



Maratona e swing-ut, e cila finalizoi edicionin e saj të katërt lindi prej idesë së tre vëllezërve, të cilët histroria familjare i lidh me hekurudhën, muzikën, Teatrin Migjeni, rrugët e bukura të Shkodrës dhe dashurinë për njërëzit e gjithçka të bukur.

VINI RE, VINI RE: ‘’ Shënojeni 30 prillin e ardhshëm e vraponi në shinat e andrrës.’’


©RE

*Ky artikull nuk lejohet të ribotohet pa lejen e autores. 

Kontaktoni: njetuferrezeshneperre@gmail.com


Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Katër shkrimtarët që behen pjesë e bibliotekës sime me çdo botim

Librat janë si miqtë që nuk të braktisin as kur je gati të arratisesh prej gjithë botës. Nëpërmjet një magjie pak të shpjeguar ato ndërhyjnë në gjak e deje për të të mbushur me energjinë e pashterrshme të miliona jetëve të tjera. Unë jam e mendimit se shpenzimet në blerjen e librave nuk janë kurrë të shkuara dëm, pavarësisht se çfarë parapëlqen secili lexues. Gjithashtu, jam skeptike për të përcaktuar “libra të mirë” e “libra të këqinj”, siç rëndomtë dëgjojmë këtu-atje të flitet. Megjithatë, pavarësisht se librat para se t’i mbështjell me ngrohtësinë e bibliotekës sime i studioj me kujdes prej pasionit tim fanatik, sot dua të ndaj me ju disa shkrimtarë, librat e të cilëve i blej pa u menduar dy herë. Në gjuhën e libërdashësve (mos u habit, ne kemi gjuhën tonë), termi i autorëve që i blen në çdo botim të ri të tyre konsiderohet “ shkrimtarët auto- të blerë”.   Në këtë listë vendosa të përfshij dy autor shqiptare e dy të letrave botërore, të gjithë klasik të g...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *