Skip to main content

Vëmëndja te më të vegjlit dhe marrëdhënia e tyre me librat




Ditët e para të shtatorit rikthejnë pashmangshmërisht nostalgjinë e kujtimeve fëmijënore, ankthin e nisjes së vitit të ri shkollor dhe kthen tërësisht vëmendjen te më të vegjlit. Nisja e shkollës dhe shtatori i rrëmujshëm mes blerjesh, nxitimi, librash, objektivash të ndërtuara, ëndrrash të ngritura në këndvështrimin vetjak më mungon, por sot më frymëzoi të rikthenim në përditshmërinë tonë si të rritur, disi të rritur, duke u rritur apo të rritur pa dashur, librat që shërbyen në krijimin e vegjëlisë sonë.

Përzgjedhja e librave të fëmijërisë është një investim i rëndësishëm, i cili do të përkthehet në marrëdhenien e individit me librin përgjatë gjithë jetës së tij. Jo më kot në Një tufë rrezesh nëpër RE, ju pyeta se cili është libri i parë që mbani mend të keni lexuar, si për të theksuar rëndësinë e herëve të para për të kuptuar rrjedhën e mëtejshme të marrëdhënieve.

Nëse do e nisja rrëfimin e sotëm me kujtime tërësisht personale do thoja se librat e parë që më janë lexuar qysh një foshnjë, kur me siguri perceptimi për të përthithur ato që diktonte përralla, libri apo historia ishte minimal, por vullneti dhe dëshira nga ana e familjarëve të mi për të përfshirë librin si pjesë të pandashme të rutinës sime ka bërë që kësaj rutine mos t’i ndahem më kurrë. Librat e parë që më kujtohen si më të dashurit e mi  (ende pa nisur shkollën) ishin librat me përralla dhe gjëgjëza. Gjyshja ime, të cilën e përmend gjithnjë me mall e dashuri e tanimë është kthyer në familjare edhe për ju, ishte veçse një lexuese e përkryer, e cila luante me diksionin, tingujt, luhatjen e zërit, onomatopenë dhe gjithfarë formash të tjera aktoreske për të tërhequr vëmendjen time maksimale, gjithashtu kishte aftësitë të jashtëzakonshme narrator. Kjo e fundit bënte që ndër tregimet e mia më të dashura të ishin kujtimet e fëmijërisë së saj.

Për t’ju kthyer temës, libri i parë që konsideroj si leximin tim të parë ishte përralla ‘’Tre derrkucët”. Ende i ruaj të gjithë librat e fëmijërisë, edhe nëse do shihnit gjendjen e tre derrëkucëve të mi, do kuptoni lehtësisht që ishin më të dashurit për mua. Më pas,romani i parë që kam lexuar tërësisht vetë ka qënë ‘’Ana Flokëkuqja” fill pas përfundimit të klasës së parë. Përzgjedhjet e librave të vegjëlisë sime kanë qënë një ndërthyrje e librave klasik për fëmijë së bashku me botimet e reja të atyre viteve, gjithmonë nën lupën e kujdesshme të prindërve, për të lexuar libra me vlerë, të mirë dhe që vetëm do mundeshin të shtonin dashurinë time për to.

Në pragun e nisjes së vitit shkollor, në formën e një kujtese për prindërit, edukatorët, mësuesit, gjyshërit, kujdestarët, motrat e vëllezërit më të rritur e të afërmit, kushtojini vëmëndje të veçantë aktivitetit të leximit për më të vegjlit e familjes. Nganjëherë duket se ngarkesa e tmerrshme e shkollës, oraret e tejzgjatura të studimeve, lodhja e fëmijëvë lë pak hapësirë për leximin e librave jashtëshkollor. Tani që po ndaj këto mendime me ju, ndodhem pikërisht përballë bibliotekës sime të veçantë, e cila mbart gjithë librat e fëmijërisë sime dhe ndihem e mbushur me aventurat e lexuara, me lotët që derdhja qysh fëmijë për fatkeqësitë e personazhëve të mi të dashur duke kontribuar në empatinë time, e rrethuar me miq që formësuan personalitetin tim, e bekuar për fatin e të lexuarit libra të rëndësishëm, që rrisin mendërisht të voglin dhe e zhytur në nostalgji.

Rikujtoni librin tuaj të parë, ndajeni këtë kujtim me më të vegjlit e familjes dhe frymëzojini të rrëmbejnë librin. Besomëni, ata do ju falenderojnë më vonë!

Rilexohemi shpejt,
©RE

*Ky artikull nuk lejohet të ribotohet pa lejen e autores. 


Kontaktoni: njetuferrezeshneperre@gmail.com

Comments

Popular posts from this blog

Vargjet e lira dhe mesazhet e Migjenit

Në letersinë shqipe, kur në mendje na vijnë vargjet e lira dhe një ndryshim rrënjësor i formës dhe përmbajtjes të zakontë të poezive, menjëherë na kujtohet Migjeni dhe vargjet e tij të lira. Poezitë e tij janë një paraqitje e zhveshur e realitetit të dhimbshëm, e botës së harruar, e problemeve ekzistencialiste dhe e fenomeneve të cilat dukeshin të rëndomta dhe nuk fliteshin në letërsi, me mendimin se Shqipëria kishte nevojë për patriotizëm dhe atdhedashuri për të ngritur në piedestal frymën atdhetare, përpara problemeve të rënda të përditshmërisë. Vargjet e lira të Migjenit hodhën poshtë të gjitha kufijtë, barrierat dhe klishet. Forma e tyre ishte e crregullt, e lirë dhe e pakufizuar nga kanone të paracaktuar, rimë apo ritëm i brendshëm. Më e lirë akoma ishte përmbajtja, e cila u kthye në himn për kryengritjen kunder varfërisë, padrejtësisë, urisë dhe dhimbjes njerëzore. Vepra ndahet në disa pjesë: Së pari,  Këngët e pakëndueme , të cilat shfaqin një rebelizem të au

‘’Katedralja e Parisit’’ dhe madhështia e Hygo

Java duket se fluturon e bashkë me të vjen dita kur prezantojmë me ju leximin e kohëve të fundit. Nga një bisedë me një mikeshë të krijuar së fudmi, me të cilën jemi gjendur në Klubin e Librit #rrembelibrin, mu kujtua një nga librat, që kam lexuar më me dëshirë gjatë viteve të gjimnazit, ‘’Katedralja e Parisit’’ shkruar nga Viktor Hygo. Vrapova drejt bibliotekës së familjes dhe iu riktheva kësaj kryevepre botërore që atë natë. Nuk munda ta lëshoja nga duart deri ditën e ardhshme dhe në mendje më vërshonin dhe një herë të gjitha ngjarjet e rikujtuara e cdo emocion, të cilin kisha përjetuar nëpërmjet këtij libri. Viktor Hygo konsiderohet si një nga autorët më të mëdhenj të letërsisë frënge e njëkohësisht të asaj botërore. I njohur ndryshe si babai i romantizmit, në veprat e tij dallohet qartë prania e rëndësishme e konceptit "turmë" dhe pikërisht kjo përbën një nga idetë themeltare të tij, ku sipas tij para feudalëve qëndrojnë me autoritetin maksimal për

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e cimbis

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *