Skip to main content

#unërrinështëpi | Tri libra për ta bërë qëndrimin në shtëpi më të këndshëm



Vetëizolimi nuk është aq i papërballueshëm, sidomos për dikë që dashuron librat. 

Kjo periudhë e cuditshme, e cila bëri të ndryshojë tërësisht përditshmëria jonë, aktivitetet, rutina e mbi të gjitha mendësia mbi kujdesin ndaj shëndetit, të dashurve dhe vetes ka shërbyer si një reflektim rrënjësor.

Pas muaj të tërë shkëputur tërësisht nga blogu, por jo nga librat, mes vështirësisë së mirëmenaxhimit të kohës, punëve të cilat nuk mbarojnë kurrë e ndonjëherë neglizhencës që të kaplon pas një heshtje të gjatë, kjo periudhë “ngujimi” më rikthen në qoshkën time të vogël, që e ndërtova me dashuri.
Heshtja ime e gjatë disa mujore ka vetëm një arsye: ngarkesën mes jetës studentore dhe punës e gjithashtu asaj pak hapësire të krijuar për të afërmit e miqtë. Nuk do shtjelloj më gjatë pse “Një tufë rrezesh nëpër RE” është mbushur me mungesa të pajustifikuara, por mund të them se ndihem sërisht e motivuar për të rinisur ëndrrën e lënë për pak reflektim.

Brenda kësaj vorbulle paniku, ku kryefjala e përditshmërisë sonë është shndërruar një emër aq sa i frikshëm edhe thuajse i panjohur e i papritur, thirrjet për të qëndruar në shtëpi janë më e pakta që mund të bëjmë për veten dhe të dashurit tanë. Shtëpia është strehëza e ëmbël në të cilën nuk do mërzitesha kurrë.  Natyrisht, në një hapësirë ku promovohen librat dhe leximi nuk do gjenit asgjë tjetër veçse disa sugjerime librash për këto ditë të pazakonta.

Në kushtet e mungesës së lirisë, librat janë dritarja nga e cila duhet të hedhim vështrimin. Një jetë e jetuar mes librash, peshon sa mijëra të tilla, pikërisht prej emocioneve, përjetimeve, empatisë, mësimeve të vlefshme, dijes dhe udhëtimit sa në një botë në tjetrën. Në këtë shkrim të ri dua të ndaj me ju disa sugjerime librash që do e bënin kohën e kaluar mes të ëmblësh shtëpi edhe më të këndshme e orët e shpenzuara panevojë në internet edhe më të pakta.

Libri i parë që dua të sjell në vëmëndjen tuaj është  “ Dashuri në kohërat e kolerës” shkruar nga autori i mirënjohur Gabriel Garcia Marquez.  Javët e fundit ky titull mbase është përdorur shpesh si lajtmotiv duke bërë një paralelizëm me situatën në të cilën po jetojmë e duke hilarizuar distancimin me më të dashurit, por përtej kësaj ky është libri që të udhëzon në rrugën e bukur e të vështirë të dashurisë. Ky roman i shkruar me aq finesë dhe pasion shërben si balsam për të zbutur cdo paragjykim për format e dashurisë, për të sheshuar të gjitha keqkuptimet që lindin prej saj e për të kujtuar dhe njëherë më shumë se kurrë se jeta nuk është aq e gjatë sa për të zgjedhur mos të dashurosh. Ky do jetë libri që do ju bëj të mbani gjallë shprësën në këto ditë të  vështira e do ndezi qindra dritëza emocionesh brenda jush, që mund të jenë shuar nga ankthi e pasiguria.

Libri i dytë që dua të sjell në vëmëndjen tuaj është “ Gruaja qe donte t’i arratisej lajmit te keq” shkruar nga David Grossman. Në këto kohë të vështira, ku dashurinë për jetën e shprehim duke luftuar me lirinë e duke sakrifikuar për t’i qëndruar larg njëri-tjetrit, ky libër rikthen në vëmëndje kronikat e një luftë të dhimbshme. Një libër i fuqishëm dhe tronditës, i shkruar në një mënyrë mbresëlënëse, që depërton thellë në mëndësinë e lexuesit duke ngritur këmbanat e alarmit për rëndësinë e jetës, vlerën e paqes dhe peshën e familjes.

Libri i tretë, i cili më vjen natyrshëm në mëndje si një sugjerim për ta ndarë sëbashku është një thesar i vërtetë për të cilin ndihem me shumë fat që e zotëroj në biblotekën e familjes e nuk jam e sigurt në mund të gjendet ende lehtësisht. Bëhet fjalë për një përmbledhje të vjetër “Poezi spanjolle të shekullit XX” shqipërar nga Aurel Plasari, redaktuar nga Xhevahir Spahiu e recensuar nga Dritëro Agolli, Dalan Shapllo e Hesus Ernandes. Këto figura të mirënjohura të fushës së letrave flasin vetë për këtë libër. Përmes poezive spanjolle shpaloset një botë e ngrohtë e ekzotike në të cilën shtegton me të gjithë shqisat. Poezi plot ndjenjë, të fuqishme, pasionante, të  gërshetuara gjithnjë më bukuritë natyrore dhe me stilistik të spikatur, të cilat do doja shumë t’i ndaja me ju.

Në pamundësi për të publikuar cdo poezi të librit, më poshtë gjeni njërën prej tyre shkruar nga Blas de Otero, një nga poetët më të shquar spanjoll, i cili karakterizohet nga shprehjet e tij të drejtpërdrejta ndaj popullit dhe thirrjet për atdhedashuri.
BESIMI
Kam besim te njeriu. Pashë
Kurrize copëtar me kamxhik,
Shpirtra të verbuar që ecin trokthi
Si Spanja kaluar
Me dhembje e uri. Dhe pata besim.

Kam besim te paqja. Pashë.
Yje te larta, rrathë flakërues në agim,
Që mbushin me dritë
Lumenj të thellë
Plot shkumë e buçim. Dhe pata besim.


Kam besim tek atdheu. Pashë
Shkreptima zemërimi
Një dashuri të akulltuar
Dhe një thikë të rrufeshme që priste
Copëza buke – edhe mes territ të sotëm
dhe pata besim.

Së fundmi, tanimë që më tepër se kurrë jemi në kërkim të besimit dhe kurajos, mungesat në “Një tufë rrezesh nëpër RE” nuk do jenë kurrsesi kaq të gjata. Duke ju falenderuar me gjithë zemër që edhe në mungesë të aktivitetit tim në blog, më keni shkruar e keni rilexuar shkrimet e vjetra, ju dëshiroj shëndet e kujdesuni që kjo kohë të jetë sa më e frutshme për ju!

Rilexohemi shumë shpejt,
©RE

*Ky artikull nuk lejohet të ribotohet pa lejen e autores. 
Kontaktoni: njetuferrezeshneperre@gmail.com




Comments

Popular posts from this blog

Vargjet e lira dhe mesazhet e Migjenit

Në letersinë shqipe, kur në mendje na vijnë vargjet e lira dhe një ndryshim rrënjësor i formës dhe përmbajtjes të zakontë të poezive, menjëherë na kujtohet Migjeni dhe vargjet e tij të lira. Poezitë e tij janë një paraqitje e zhveshur e realitetit të dhimbshëm, e botës së harruar, e problemeve ekzistencialiste dhe e fenomeneve të cilat dukeshin të rëndomta dhe nuk fliteshin në letërsi, me mendimin se Shqipëria kishte nevojë për patriotizëm dhe atdhedashuri për të ngritur në piedestal frymën atdhetare, përpara problemeve të rënda të përditshmërisë. Vargjet e lira të Migjenit hodhën poshtë të gjitha kufijtë, barrierat dhe klishet. Forma e tyre ishte e crregullt, e lirë dhe e pakufizuar nga kanone të paracaktuar, rimë apo ritëm i brendshëm. Më e lirë akoma ishte përmbajtja, e cila u kthye në himn për kryengritjen kunder varfërisë, padrejtësisë, urisë dhe dhimbjes njerëzore. Vepra ndahet në disa pjesë: Së pari,  Këngët e pakëndueme , të cilat shfaqin një rebelizem të au

‘’Katedralja e Parisit’’ dhe madhështia e Hygo

Java duket se fluturon e bashkë me të vjen dita kur prezantojmë me ju leximin e kohëve të fundit. Nga një bisedë me një mikeshë të krijuar së fudmi, me të cilën jemi gjendur në Klubin e Librit #rrembelibrin, mu kujtua një nga librat, që kam lexuar më me dëshirë gjatë viteve të gjimnazit, ‘’Katedralja e Parisit’’ shkruar nga Viktor Hygo. Vrapova drejt bibliotekës së familjes dhe iu riktheva kësaj kryevepre botërore që atë natë. Nuk munda ta lëshoja nga duart deri ditën e ardhshme dhe në mendje më vërshonin dhe një herë të gjitha ngjarjet e rikujtuara e cdo emocion, të cilin kisha përjetuar nëpërmjet këtij libri. Viktor Hygo konsiderohet si një nga autorët më të mëdhenj të letërsisë frënge e njëkohësisht të asaj botërore. I njohur ndryshe si babai i romantizmit, në veprat e tij dallohet qartë prania e rëndësishme e konceptit "turmë" dhe pikërisht kjo përbën një nga idetë themeltare të tij, ku sipas tij para feudalëve qëndrojnë me autoritetin maksimal për

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e cimbis

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *