Skip to main content

“ Gurët e vetmisë” libri që bën shpirtin të qaj e qesh


Teksa mendoja si t’i rikthehesha fletës së bardhë të hapësirës sime të ngrohtë, pas një mungesë të gjatë e qindra justifikimesh se nuk ishte ende koha të rinisja artikujt e mi të perjavshem plot e përplot me libra, vendosa t’i hedh nje sy atyre të sugjeruar, që janë mbeshtjellë në krahët e “Një tufë rrezesh nëpër RE”. Mes dhjetra titujsh, vura re se mungonte njëri për të cilin kam folur jashtëzakonisht shumë dhe e kam lexuar dy- tri mot të shkuar.
Nuk do kishte kthim më të mirë përveçse me “Gurët e vetmisë”, ndër librat më magjepsës së letërsisë bashkëkohore shqipe. Qysh në fjalitë e para, mbaj mend se ky libër me veshi me një mantel të mrekullueshëm kujtimesh prej energjisë së bukur toske që percjell, gjuhës arkaike të kulluar, pastërtisë së traditave e zakoneve e një humori të hollë e delikat. Diku këtu e diku aty më kujtoheshin fjalë, të cilat tingëllonin shpesh në veshin tim përgjatë rritjes sime në një familje prej toskerisë së poshtme, ndaj mos më gjykoni nëse dalloni në këtë përshtypje nota të shumta mjalti e dashurie.
“Gurët e vetmisë” është një libër dedikuar një plage të pambyllur kurrë si Çameria e kronika, kujtimet dhe shprehja e mallit për atë tokë në këtë roman është aq e gjallë, e bukur, e paqtë dhe e admirueshme sa gjithçka teksa e lexon të bën të mendosh pse jemi ende kështu, pa një zgjidhje e pa -çuar në vend amanetin e të parëve tanë.
Megjithatë, “Gurët e vetmisë” nuk është plotësisht një roman historik që përcjell fakte tronditëse duke ndezur urrejtje, përkundrazi. Përshkruar me elegancë, në çdo fjali të tij mund të provosh të gjitha shqisat. Sytë shohin bukuritë e asaj toke, shtëpitë e pastra që llamburisin, vajzat punëtore e duararta; hunda ndjen aromen e agrumeve; me shijen të bëhet sikur provon gatimet e vjetra tradicionale; dëgjimi has gurgullimën e lumit teksa perplaset me furi nder gure, tingujt e bukur të këngëve çame e prekja duket se shtrëngon fort dheun e tokes se munguar.
Nektari i këtij rrëfimi, i cili dhimbjen e përcjell me paqe e dashurinë me shumë pasion është gjuha e përdorur e paraqitja mjaft e bukur e traditave. Mendoj se perveçse i këndshëm për t’u lexuar dhe faktit që mban nën kopertinë një peshë të madhe siç është plaga e Çamerisë, ende e pashëruar, gjithashtu ky libër të prezanton me jeten e rreth një shekulli më parë me lehtesinë e të kthyerit pas në kohë dhe familjaritetin e rrefimit që dëgjohet shpesh në familjet tona: me humor, shumë mall e ngrohtësi.
Vetë titulli i romanit “Gurët e vetmisë” duket sikur flet pikërisht për rezistencën që pati ajo pjesë e popullisë, që pas masakrash, zvarritjesh e vuajtjesh qëndroi gjithnjë e fortë. Për të mos dashur ta politizoj përshtypjen time mbi romanin, mbase “vetmia” lidhet pikërisht me faktin se ende kjo çeshtje peshon dhimbje të parikuperuar në zemrat tona.
Teksa rrëfehet jeta e secilit prej personazheve të librit, të cilet jo rrallë herë ndihen si ndonjë nënoke e familjes a ndonjë papu i afërt, ndjen se ky libër është nje nga ato thesaret e bukur që do prezantojnë brezin e ri me një tjetër këndvështrim mbi historinë e Çamerisë, pra bazuar në rrëfime të përzemërta të gjyshërve dhe me shpirtin tek traditat e doket.
Në përfundim dua të rendis disa arsye pse ky libër duhet të jetë ndër ata që duhet të zgjidhni të lexoni këtë verë: së pari, nëse jeni lodhur duke dëgjuar sesi gjuha shqipe po vritet çdo ditë me mënyrën e keqe të përdorimit, shkurtimet, huazimet dhe mangësitë ne leksik, ju pohoj me bindje se ky është rasti kur një libër të pasuron me një arsenal fjalësh të reja; së dyti, ky është nga ata librat që historia të rrëmben prej natyralitetit, familjaritetit dhe thjeshtësisë me të cilën është shkruar; së treti, “Gurët e vetmisë” është një libër që zgjon ndërgjegjen kombëtare mbi paqëti, pa bujë e zarare, për të kuptuar kush jemi e nga vijmë e për ta zbutur gjithçka me balsamin e humorit të Tom Kukës. Apo mos ndoshta tanimë është tepër vonë për ta thërritur ende Enkel Demin me pseudonimin e tij artisitik?
Ju ftoj në leximin e “Gurët e vetmisë”!
Rilexohemi shpejt,
©RE

*Ky artikull nuk lejohet të ribotohet pa lejen e autores. 
Kontaktoni: njetuferrezeshneperre@gmail.com

Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Gjashtë faqe ku mund të lexoni libra në internet

Në #njetuferrezeshneperre flasim cdo javë për librat, të mirat që leximi sjell në jetët tona dhe sugjerime mbi letersinë që vërtetë vlen të lexohet. Këtë javë mendova të prezantojmë së bashku një tjetër   temë interesante e cila lidhet me të lexuarin dhe mendoj se do t'i vijë në ndihmë cdo liber-dashësi. Përditshmëria jonë është e vrullshme, e ngarkuar me punë dhe përgjegjësi dhe këto janë disa nga justifikimet që përmendim për të shfajsuar veten pse nuk kemi rrëmbyer kohët e fundit një libër në duar. Meqënëse dita jonë është e lidhur ngushtësisht me teknologjinë dhe botën e internetit konsiderova si temë tepër interesante për këdo që do të lexojë   në internet. Librat përcjellin vlerë të jashtëzakonshme, por njëkohësisht ato janë kthyer në një biznes të mirëfilltë, prandaj pirateria dhe leximi i librave papagesë në internet është gati i pamundur. Megjithatë pas një hulumtimi të gjatë, më poshte do ju prezantojmë me disa nga faqet ku  mund të lexoni libra të buku...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *