Skip to main content

Katër këshillat që do doja t'i dëgjoja kur nisa studimet e larta



Në #njetuferrezeshneperre flasim jo vetëm për librat, leximin e adhuruesit e tyre, por gjithashtu për gjithçka që lidhet me edukimin. Sot është dita e parë e nisjes së vitit akademik për arsimin e  lartë e duke qënë vetë e përfshirë në këtë kategori studentësh dëshiroj t’i dedikoj një artikull. Këtë nëntor unë nis vitin e dytë të studimeve pas universitare, por çdo fillim viti në një qoshkë të mendjes sime është pikërisht dita e parë e nisjes së studimeve Bachelor. 

Vallë a ju kujtohet edhe ju kur gjysmë të rritur e gjysmë adoleshentë rendnit për të gjetur klasën tuaj në fakultet, kur nuk dinit asgjë dhe shkolla e lartë dukej si një e panjohur e frikshme?

Unë e kujtoj shumë mirë vitin tim të parë, kur gjendesha e humbur mes gjithë atyre studentëve që thonin se adhuronin financën dhe kjo kishte qënë ëndrra e një jete për ta e unë as që ia kisha idenë se përse ndodhesha aty, kur në të vërtetë ëndërroja të studioja Arte e Letërsi e të zhvilloja karrierën si Kritike Letrare. Abstrakte apo jo? Këtë mendoja dhe unë, sidomos për një vend si Shqipëria, por kjo nuk do të thotë se ëndrra ime nuk ishte mjaftueshëm e denjë krahasuar me financierët e dëshiruar prej të cilëve rrethohesha.

Pas disa ditësh si nëpër re, ku pendohesha çdo ditë për zgjedhjen e qaja për ëndrrën vendosa të merrja frerët në duar. “ Mëso gjithçka që mundesh e gjej një ëndërr të re.”- mendova, e kështu ndodhi. U diplomova tre vite më vonë, tepër krenare dhe e lumtur për zgjedhjen time të pangjashme me ëndrrën e vjetër, e me një plan stretegjik që nderlidhte ëndrrëimet e vjetra me të rejat. Aq shumë e pëlqeva financën sa vendosa të vazhdoj edhe dy vite studimet pasuniversitare në po të njëjtën degë duke kuptuar se kur je optimist e preokupohesh sic duhet mëson të duash gjithçka.

Vitin e parë kisha nevojë të dëgjoja miqësisht disa këshilla për të përballur gjithë të panjohurën, por ajo që merrja si përgjigje nga kushdo ishte: "Mos e vrit shumë mendjen se fakultet është."

Ju lutem mos i vini vesh kësaj fjalie, ashtu siç nuk e mora parasysh as unë. 

Sot dua të ndaj me ju (veçanërisht studentët e vitit të parë) disa këshilla të vockla që do doja të m’i kishin thënë. :)

    1. Ji sistematik

Kushedi sa qindra e mijëra herë e ke dëgjuar këtë shprehje nga mësues e prindër. Jo, unë nuk jam asnjëri prej tyre, por besomë ata kanë të drejtë. Viti i parë i fakultetit është pak çoroditës. Përshtatja me sistemin e ri, të ndryshëm nga ai i gjimnazit dhe i pangjashëm me çfarë jeni mësuar dymbëdhjetë vite të bëni do pak kohë për t’u përshtatur. Në ka një gjë që kam mësuar nga fakulteti është se nuk ka njerëz të zgjuar e më pak të tille, por ka vetëm sistematik e josistematik. 

Përpiqu të studiosh çdo leksion në ditën e caktuar, ushtrohu sa më shumë të jetë e mundur e kushtoi kohë pyetjeve. Fundjavave bëj një përsëritje për të gjitha leksionet e javës dhe nxirr shënime. Të përgatisësh një dosje për secilën lënde me gjërat më të rëndësishme të leksionit, ushtrimet e zgjidhura dhe sesionet praktike do jenë një punë e jashtëzakonshme ndihmuese që do të të duhet kur sezoni i provimeve të mbërrijë edhe ai është shumë më afër nga se mendon!!

Pra, pa panik merr një bllok të ri e përgatit axhendën tënde të shkollës. Së shpejti do ndaj me ju mënyrën sesi unë organizoj bllokun tim për t’ju frymëzuar e për t’ju dhënë disa ide.

    2. Kujdes shëndetin

Shëndeti është kryefjala e vitit 2020 e nuk më duket se kam shumë për të thënë nga vetja. Ajo që dua të ndaj me ju është një sekret i vockël: kilet e marra gjatë fakultetit janë shumë veshtirë të hiqen ndaj bëni kujdes me çokollatat e gjithfarë ushqimi të pashëndetshëm të cilin e konsumoni teksa studioni.

Gjithashtu, fakulteti është periudha kur mësohet vesi i kafeinës e nis teprimi i saj. Për t’i rezistuar orëve të gjata e të vona të studimit kafetë e pijet energjike bëhen miqtë tuaj të ngushtë. Asgjë e tepruar nuk është e shëndetshme e freskinë e orëve te rregullta të gjumit nuk e japin as gjithë plantacionet e kafesë në Brazil, ndaj kushtojini vëmëndje regjimit. Ky është një komponent tëpër i rëndësishëm i performancës suaj të suksesshme.

    3. Aktivizohu kudo

Vitet e fakultetit nuk janë vetëm për të studiuar, por mbi të gjitha për t’u aftësuar e ky i fundit nuk arrihet vetëm teorikisht. Universiteti në të cilin unë kam fatin të studioj edhe tani ka një jetë studentore tepër te pasur e ky ka qënë një avantazh i madh për mua. Shfrytëzo çdo aktivitet sado i parëndësishëm të duket, sepse nuk i dihet kurrë se kë mund të njohësh aty që mund të shërbejë në një kontakt të rëndësishëm për karrierën tuaj të mëtejshme. 

Ji aktiv në panairet e punës, dërgo CV-në pahezitim e prano të zhvillosh  internshipe edhe në dukje të parëndesishme. Ky do jetë portofoli i vlerave të tua të shtuara kur të dalësh në tregun e punës pas tri viteve. Bachelori përfundon shpejt, kështu që e vetmja gjë që dua të theksoj është që mos t’i përkushtohesh vëtëm shkollës. Aktivitetet jashtë shkollore bëjnë një diferencë të madhe në dyert që do të të hapen më vonë. 

    4. Kënaqu

Krahës gjithë këtyre punëve të ngarkuara në dukje që përmenda në tre pikat e para dua të të kujtoj të kënaqesh shumë. Vetëm pasi e mbarova Bachelorin kuptova sa vite të bukura ishin e sa kohë kisha në dispozicion për të bërë aq shumë gjëra njëkohësisht. 

Masteri nuk do jetë njësoj kur me shumë gjasa do duhet të punoni në të njëjtën kohë. 

Kënaqu me miqësitë e reja që do krijosh, njih veten në të gjitha mundësitë profesionale që të jep fusha të cilën ke zgjedhur e provoni gjithçka që del përpara. Cdo eksperiencë sado e pavlerë në fillim, të ndërton si profesionist!

Në përfundim dua të them se periudha e tranzicionit do jetë e shkurtër e do tejkalohet shumë shpejt. Mos harro që ky është momenti yt për të shkëlqyer dhe e gjithë koha e investuar në edukimin tënd do këtë një raport kthimi të lartë në të ardhmen. 

Të gjithë marrin në fund atë që meritojnë, edhe në Shqipëri!

Ju dëshiroj shumë suksese e shumë kurajo për të realizuar ëndrrat tuaja!

Lexohemi shumë shpejt,

©RE


*Ky artikull nuk lejohet të ribotohet pa lejen e autores. 
Kontaktoni: njetuferrezeshneperre@gmail.com

Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Gjashtë faqe ku mund të lexoni libra në internet

Në #njetuferrezeshneperre flasim cdo javë për librat, të mirat që leximi sjell në jetët tona dhe sugjerime mbi letersinë që vërtetë vlen të lexohet. Këtë javë mendova të prezantojmë së bashku një tjetër   temë interesante e cila lidhet me të lexuarin dhe mendoj se do t'i vijë në ndihmë cdo liber-dashësi. Përditshmëria jonë është e vrullshme, e ngarkuar me punë dhe përgjegjësi dhe këto janë disa nga justifikimet që përmendim për të shfajsuar veten pse nuk kemi rrëmbyer kohët e fundit një libër në duar. Meqënëse dita jonë është e lidhur ngushtësisht me teknologjinë dhe botën e internetit konsiderova si temë tepër interesante për këdo që do të lexojë   në internet. Librat përcjellin vlerë të jashtëzakonshme, por njëkohësisht ato janë kthyer në një biznes të mirëfilltë, prandaj pirateria dhe leximi i librave papagesë në internet është gati i pamundur. Megjithatë pas një hulumtimi të gjatë, më poshte do ju prezantojmë me disa nga faqet ku  mund të lexoni libra të buku...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *