Skip to main content

Si të organizojmë jetën studentore, kur gjithçka duket një katrahurë



Jeta studentore ka nisur zyrtarisht në të gjitha nivelet e studimeve dhe sidomos me mësimin online situata mund të bëhet pak më e vështirë për t’u menaxhuar. Për këtë arsye do duhet një organizim më i mirë nga vetë ne. Tani që jeta jonë zhvillohet sa në një ekran inteligjent në tjetrin duhet të gjejmë mënyrat për të menaxhuar gjithçka e për të përballuar me sukses ngarkesën. Sot në #njetuferrezeshneperre dua të ndaj me ju disa aplikacione online, të cilat do kthehen në miqtë tuaj besnik për produktivitetin dhe menaxhimin e kohës. 


  1. Notion


Notion është kthyer në aplikacionin tim të parapëlqyer që pas zbulimit të tij. Mund të them me plot gojë se është jo vetëm një agenda virtuale, por një organizuese e përsosur e gjithë jetës tënde. Me Notion mund të planifikosh javën; të mbash shënime; të menaxhosh jetën studentore; të ndjekësh ecurinë e projekteve; të mbash kontakte; të mbash parasysh objektivat e tua afatgjatë e afatshkurtër; të kontrollosh zakonet e tua të shpenzimeve e me pak fjalë të zgjidhësh gjithçka që në jetën tënde duket një pirg i pandreqshëm rrëmuje.

Lajmi i mirë është se mund të përdoret falas dhe më besoni se do ju ndihmojë të ndryshoni plotësisht mënyrën sesi e organizoni ditën dhe kohën tuaj.


  1. Forest


Aplikacioni Forest është një nga më interesantët që ndihmon në përqëndrim dhe në bllokimin e kohës tënde me detyrat që i vendos vetes sipas prioritetit. Ajo që ti planifikon nëpërmjet Forest është kohëzgjatja për secilën detyrë. Duke i qëndruar besnik kohës se dedikuar për punët e tua sipas kategorive t’i arrin të rrisësh pemë të ndryshme virtuale, të cilat kthehen në pemë reale të mbjella në rastet kur shpenzohen monedhat virtuale. 

Misioni i mrekullueshëm që ky aplikacion ka të bën që të jesh i dobishëm për shoqërine duke kontribuar në krijimin e një mjedisi më të shëndetëshem e pyllëzuar e gjithashtu në mënyrën e dobishme sesi përdor kohën tënde pa u shpërqëndruar nga telefoni. Nëse je një nga njerëzit që telefoni nuk të lejon të bësh asgjë më shumë se pesë minuta i përqëndruar, së pari mos u dëshpero pasi nuk je i vetmi dhe së dyti  duhet të provosh Forest. :)


  1. Mendeley 


Jeta studentore është e mbushura me detyra voluminoze të cilat kërkojnë seriozitet dhe punë impenjative. Nëse të është dashur të bësh një kërkim të mirëfilltë shkencor më parë; ke punuar për temën e diplomës apo ke kuptuar rëndësinë dhe kohën që merr  sistemimi i citimeve dhe referencave në mënyrë profesionale, pasi të njihesh me Mendeley do kuptosh se jeta jote do thjeshtësohet. 

Ky aplikacion është ndërtuar në formën e një platforme akademike, e cila ndihmon në kërkimin tënd shkencor, në organizimin e punës tënde shkencore e gjithashtu në njohjen me profesionist të tjerë të angazhuar. 

Të gjithë ata që kanë nevojë për burime të ndryshme përsa i përket punëve shkencore duhet absolutisht t’i hedhin një sy.


  1. MindMup


Cila është pjesa më e bezdisshme e përvetësimit të leksioneve për ju? Për mua është strukturimi i leksioneve voluminoze, të cilat marrin kohë të konsiderueshme për t’u shndërruar në koncepte të lexueshme lehtësisht dhe skematikisht. Me pak fjalë po ju tregoj dhe mënyrën time të të studiuarit dhe ajo është MindMup. Me MindMup secili mund të arrijë të përqëndrohet në konceptet kryesore, fjalët kyçe, shembujt pikëza të rëndësishme etj.

Skemat janë mënyra më e mirë e të mësuarit thellësisht dhe jo përmendësh, duke bërë që mos t’i humbasësh më kurrë njohuritë e tua.

MindMup do jetë lehtësuesi i sezonit tuaj të provimeve!! 

Në përfundim mund të them se këto aplikacione shërbejnë vëtëm për t’ju angazhuar më shumë në mbajtjen nën kontroll të ngarkesës suaj studentore. Edhe nëse nuk do jeni dot sistematik në përdorimin e të gjithëve, mbajini në mend si mjete që mund të lehtësojnë përditshmërinë tuaj e të punoni mençurisht e jo me mundim.


Lexohemi shpejt,

©RE


*Ky artikull nuk lejohet të ribotohet pa lejen e autores. 
Kontaktoni: njetuferrezeshneperre@gmail.com
 

Comments

Popular posts from this blog

‘’Shtëpia misterioze’’, kënaqësia e ditëve të verës

Java fluturoi dhe takimi i përhershëm i së shtunës me një libër ndër duar na gjeti në bregun e detit, me aromën e kripes e të rërës. Këtë javë në #njetuferrezeshneperre do flasim për një nga autorët më të mëdhenj francez. Në të vërtetë nuk është   hera e parë që sugjerojmë një libër të Honore de Balzak, por veprat e tij realiste, të bukura, njerëzore e të vërteta nuk mund të bëhen kurrë të përsëritura. Këtë javë do flasim për ‘’Shtëpia misterioze’’, një tregim i shkurtër i Balzakut. ‘’Shtepia misterioze’’ është botuar për herë të parë më 1831 dhe është pjesë e ‘’Komedisë Njerëzore’’. Ky tregim nis me mister që në faqet e para të tij. Dr. Horace Bianchon haset gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Vendôme me një shtepi mistike, ku pemët, barishtet e gjelbërimi kishte gjalluar si pa të keq, e ku zogjtë, zvarranikët, macet e brejtësit bashkëjtonin e zhurmonin në shtepinë e braktisur, të cilën me shumë gjasa e gjenin si të tyren. Gjithcka që e bënte shtëpinë misterioze e ci...

Rrugëtimi për një vit magjik

Javët e para të vitit hasemi më një trysni të vazhdueshme në rrjete sociale, ku çdokush nis të shpalosë eksperiencat e tij të suksesit lidhur me menaxhimin e kohës e jetës. Nga të gjitha anët vërshojnë reklama fletoresh, axhendash, blloqesh e kushdo mundohet të tregojë sesi të  marrësh më të mirën e vitit tënd të ri. Gjithnjë më kanë pëlqyer nisjet nga e para, ku duket se me një valixhe plot ëndrra planifikon rrugëtimin tënd për vitin që të pret, por nganjëherë i gjithë ky kujdes për të matur sekondin e minutin e çdo dite, të bën të harrosh të jetosh. Me siguri, pjesa më e madhe e atyre që po lexojnë këto rreshta përballet çdo ditë me një ditë të ngarkuar në punë; të papritura frustruese sapo dalin nga shtëpia; përgjegjësi familjare; presioni për të dhënë maksimumin në çdo gjë që bëjnë etj. Nganjëherë të gjitha këto objektiva me të cilat mbushim jetën tonë të përditshme, vetëm sa na pengojmë të marrim vertëtë më të mirën e produktivitetit tonë. Kështu, lehtësisht e pa këshilla ...

Gjashtë faqe ku mund të lexoni libra në internet

Në #njetuferrezeshneperre flasim cdo javë për librat, të mirat që leximi sjell në jetët tona dhe sugjerime mbi letersinë që vërtetë vlen të lexohet. Këtë javë mendova të prezantojmë së bashku një tjetër   temë interesante e cila lidhet me të lexuarin dhe mendoj se do t'i vijë në ndihmë cdo liber-dashësi. Përditshmëria jonë është e vrullshme, e ngarkuar me punë dhe përgjegjësi dhe këto janë disa nga justifikimet që përmendim për të shfajsuar veten pse nuk kemi rrëmbyer kohët e fundit një libër në duar. Meqënëse dita jonë është e lidhur ngushtësisht me teknologjinë dhe botën e internetit konsiderova si temë tepër interesante për këdo që do të lexojë   në internet. Librat përcjellin vlerë të jashtëzakonshme, por njëkohësisht ato janë kthyer në një biznes të mirëfilltë, prandaj pirateria dhe leximi i librave papagesë në internet është gati i pamundur. Megjithatë pas një hulumtimi të gjatë, më poshte do ju prezantojmë me disa nga faqet ku  mund të lexoni libra të buku...

Shkruhemi së bashku

Name

Email *

Message *