Ecja nëpër rërën e bardhë, të pastër, të pashkelur dhe të lëmuar dhe në mendje më vijnin ditët kur të pandarë shëtisnim duarmbërthyer së bashku. Dallgët e lehta të detit, shkumonin nën këmbët e mi dhe ngaterroheshin me rërën, e rrëmbenin me forcë dhe dashuri, për ta risjell disa sekonda më pas dhe për ta lënë sërisht të lirë. Edhe unë ndihesha si rëra, herë e lirë dhe e herë e pushtuar; herë e shkujdesur nëpër ecejaket e jetës time dhe herë e gjunjëzuar mes kujtimesh; herë e bezdisur nga përvelimi I diellit mbi lëkurën time dhe herë e përkëdhelur prej rrezeve, dritës dhe ngrohtësisë së tij. Kështu ecja, ecja si në fluturim, sikur dëshiroja t’i ndaloja mendimet e mia dhe për disa minuta të isha një njeri pa të shkuar e pa të ardhme, pa dëshira e pa pengje, pa lot e pa gëzime. Doja të isha një njeri i zbrasur nga të gjitha përjetimet, doja të isha disa kilogram mishi e eshtrash dhe vetëm aq. Doja të kthehesha në një det pa brigje, në një pafundësi bluje, ku endesha ...
''Një tufë rrezesh nëpër RE''është një ditar publik, ku në menyrë artistike shpalosen fletë shpirti me cdo lexues... ''Asnjë RE nuk është aq e errët sa rrezet të mos mundin të depërtojnë..."